Apeli i liron nga akuza ish-drejtorin e hetimeve dhe ish-drejtoreshën e hetimeve speciale të IPK-së

Gjykata e Apelit ka marrë vendim që ta ndryshojë aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke liruar nga akuza për privim të kundërligjshëm nga liria, ish-drejtorin e Departamentit për Hetime në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), Jetullah Aliu dhe ish-drejtoreshën për Hetime Speciale në po këtë institucion, Valbona Osmani.

Kolegji i gjyqtarë në këtë rast është përbërë nga gjyqtarët Ferit Osmani si kryetar dhe anëtarë Kadrije Goga-Lubishtani dhe Skender Cocaj.

Gjykata Themelore e Prishtinë në korrik e vitit të kaluar e kishte liruar nga akuza ish-kryeshefin e IPK-së, Fitim Shishani, ndërsa të akuzuarit Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani ishin dënuar me nga 1 vit e 5 muaj burgim me kusht.

Ndaj këtij aktgjykimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë si dhe mbrojtësit e të akuzuarit Aliu dhe Osmani kishin parashtruar ankesë.

Prokuroria ankesën e kishte bazuar në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi sanksionin penal, ndërsa mbrojtja për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionin penal.

Gjykata e Apelit e refuzoi si të pabazuar ankesën e Prokurorisë dhe vendosi t’i aprovojë ankesat e mbrojtësve të dy të akuzuarve Aliu dhe Osmani, duke liruar nga akuza të njëjtit.

Sipas vendimit të gjykatës së Apelit, lidhur me të pandehurit Aliu dhe Osmani, si rezultat i vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike është shkelur Ligji Penal në dëm të të pandehurve, pasi nga provat e administruara nuk është vërtetuar se kanë kryer veprën penale – Privim i kundërligjshëm i lirisë.

“Për të vërtetuar nëse veprimet e të pandehurve përbëjnë vepër penale, kolegji me shumë kujdes trajtoj edhe deklaratën e të dëmtuarit si dhe deklaratat e dëshmitareve dhe nga këto deklarime nuk kanë rezultuar së provuari se të pandehurit Aliu dhe Osmani (përfshirë këtu edhe të pandehurin Fitim Shishani i cili është liruar nga akuza) ditën kritike kanë kryer veprën penale që iu vihet në barrë” – thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

“Nga ky deklarim nuk rezulton se të pandehurit e kanë burgosur, mbajtur të mbyllur apo në ndonjë mënyrë tjetër e kanë privuar nga liria, për këtë vepër penale këto elemente janë esenciale, ashtu që pa ekzistimin e këtyre elementeve në asnjë rrethanë nuk mund të vërtetohet, se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë – thuhet tutje në vendim.

Kolegji penal i Gjykatës së Apelit vendosi lidhur me lirimin e të pandehurve për veprën penale privim i kundërligjshëm i lirisë duke respektuar edhe parimin ”in dubio pro reo”, ku parashihet që “mëdyshjet lidhur me ekzistimin e fakteve të rëndësishme për çështjen ose për zbatimin e ndonjë dispozite të ligjit penale interpretohen në favor të pandehurit dhe të drejtave të tij sipas këtij Kodi”.

Konform kësaj dispozite, kolegji nga provat e të cilat gjenden në shkresat e lëndës nuk arriti të vërtetoj bindshëm se të pandehurit kanë kryer këtë vepër penale, andaj në mungesë të provave bindëse të njëjtit i liroi nga akuza.

Sipas aktakuzës, Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani e kishin ndaluar hetuesin Q.V. në një motel buzë rrugës Ferizaj-Prishtinë.

Tutje, aktakuza thotë se të pandehurit Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani pa ndonjë urdhër paraprak ia kishin marrë armën, distinktivin dhe telefonin mobil Q.V. dhe më pas kishin thirrur Policinë e Ferizajt dhe Q.V. ishte dërguar në stacionin policor për intervistim. Edhe dy të pandehurit kanë qenë në stacionin policor të Ferizajt.

“E pandehura Valbona Osmani, në konsultim me dy të pandehurit e tjerë Aliu dhe Shishani dhe së bashku me dëshmitarin B.R. e kanë shoqëruar të dëmtuarin pa pëlqimin e tij në zyrat e IPK-së në Hajvali që më pastaj të njëjtit, nuk i është lejuar që të largohet nga salla dhe nga ndërtesa e IPK-së, deri në orën 23:50, ose pas tetë orësh ndalimi” – thuhet në aktakuzë.

Q.V. më pas është marrë nga hetuesit e Drejtorisë së hetimeve të trafikimit me qenie njerëzore, të cilët ishin konsultuar paraprakisht por edhe në vazhdimësi me të pandehurit Aliu dhe Osmani.

Më pastaj, i dëmtuari Q.V. ishte intervistuar sërish nga hetuesi policor B.H. në zyrat e kësaj Drejtorie dhe së bashku në konsultim me të pandehurën Valbona Osmani ishte liruar.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, të akuzuarit kishin kryer veprën penale – privimi i kundërligjshëm  nga liria.