Stacioni policor në Zubin Potok, Foto:KALLXO.com

Zubin Potok, qytetari pretendon se është rrahur nga Njësia Speciale, IPK fillon hetimet paraprake

Të shtunën, më 13.04.2014, qytetari i komunitetit serb, Vlado Stevanoviq, ka raportuar në Polici se është keqtrajtuar fizikisht nga disa pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës afër Zubin Potokut.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë rajonale Mitrovicë-Veri i Policisë sër Kosovës, Veton Elshani.

“Ky qytetar ka raportuar para dy ditësh në Polici se është keqtrajtuar fizikisht në veri nga disa pjesëtarë të Njësisë Speciale të Kosovës, por ne nuk kemi të bëjmë asgjë me këtë, andaj Inspektorati Policor i Kosovës është duke u marrë me rastin’’ – tha Elshani.

Nga Inspektorati Policor kanë thënë se kanë filluar hetimet lidhur me këtë rast.

“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju konfirmon se me datën 14.04.2024, ka pranuar njoftimin nga pala ankuese dhe sot me datë 15.04.2024, ka filluar me hetime paraprake në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe në varësi të të gjeturave, do të procedohet sipas legjislacionit në fuqi” – thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Siç raporton ‘Kosovo Online’, qytetari pretendon se është rrahur teksa po shkonte për në shtëpinë e një shoku.

“Fshati ku ndodhi ngjarja është afër. Unë isha duke ia dërguar një shokut tim një pjesë për traktor. Unë u tregova atyre se isha duke shkuar për në shtëpinë e tij. Ata (Njësia Speciale), më ndaluan, më kontrolluan ID-në, më kontrolluan makinën dhe më kërkuan dokumentet. Unë ua dhashë dokumentet e Serbisë. Ata më kërkuan për ID të Kosovës, u thash që s’kam të tilla. Realisht i kisha dokumentet e Kosovës por meqë vetura ime është me targa të Serbisë, u thash që s’i kam. Më ngacmuan për një këmishë që ka një ujk me sloganin: ‘Çdo i poshtër dëshiron ta vrasë një ujk”, slogan i cili nuk është provokim. U thash atyre që nuk do të thotë asgjë” – citohet të ketë thënë Vlado Stevanoviq për ‘Kosovo Online’.

“Ata filluan të më pyesnin për atë që unë ndjek, nëse Kosova është Serbi, dhe më pas filluan të më rrahin. Njëri prej tyre shau, nxori një armë. Një oficer tjetër ndërhyri shpejt, duke kritikuar kolegun për nxjerrjen e armës, më goditën nga pas” – citohet të ketë thënë ky qytetar për ‘Kosovo Online’.