Foto: REL/RFE

Ambasadori amerikan: Marrëveshjet janë të detyrueshme edhe pa nënshkrime

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha sot në “Kanal 10” se nënshkrimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë është shumë më pak i rëndësishëm sesa zbatimi i plotë i marrëveshjeve.

“Nga këndvështrimi ynë, përderisa ne e pranojmë interesin e kryeministrit Kurti për të pasur një nënshkrim, mendojmë se është shumë më pak e rëndësishëm sesa rëndësia aktuale që të ecim përpara me zbatimin e plotë të të gjitha detyrimeve të marrëveshjes nga të dyja palët” – u shpreh Hovenier.

Ai shtoi se mund të ofrojë një listë të marrëveshjeve të tjera që nuk janë nënshkruar domosdoshmërisht, por që janë ligjërisht të detyrueshme, përfshirë në procesin e dialogut.

Ambasadori tha se edhe krerët europianë, që u takuan së fundmi ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në deklaratën e përbashkët kanë treguar qëndrimin dhe pritshmëritë e tyre.

“Nëse e lexoni deklaratën e tyre të përbashkët, sepse ata dhanë deklaratë të përbashkët më 27 tetor, aty janë disa gjëra të rëndësishme. Aty janë shprehur disa pritje të rëndësishme; pritjet që palët të përmbushin zotimet e tyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Ata e vënë në pah se kjo duhet të bëhet pa parakushte, pa vonesa. Më tej, në deklaratën e tyre, ata flasin se formalitetet, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me miratimin nuk do të duhej të pengojnë përparimin në arritjen e zbatimit të plotë të marrëveshjes dhe aneksit të zbatimit nga të dyja palët” – tha Jeff Hovenier.

Takimet e ndara të Kurtit dhe Vuçiqit me kancelarin e Gjermanisë, presidentin e Francës, kryeministren e Italisë, Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, dhe presidentin e Këshillit Europian, Hovenier tha se duhet t’i shohim si mundësi të jashtëzakonshme që ata të flasin me secilin prej tyre, për të parë se ku qëndrojnë gjërat.