Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti: Serbia bëri shkelje të Marrëveshjes, Brukseli si një arbitër nuk i ra pipit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ndërsa e ka kritikuar Brukselin “si një arbitër” mes dy palëve se nuk e ndëshkoi e as nuk e qortoi Serbinë.

“Më 27 shkurt të vitit të kaluar bëmë marrëveshje. Ajo marrëveshje është njohje de fakto së paku. Më 18 mars ia bashkëngjitëm edhe aneksin e zbatimit dhe aty thuhet se asnjë nen nuk është më i rëndësishëm se tjetri dhe kur u pa progresi, Serbia filloi që nga 24 prilli sistematikisht t’i shkelë e të mos i respektojë ato 11 nene” – tha Kurti në një intervistë në televizionin publik të Kosovës – RTK.

Sipas shefit të Qeverisë së Kosovës tetë prej neneve të Marrëveshjes janë shkelur shumë herë nga Serbia.

“Për fatin tonë të keq, Brukseli si një arbitër nuk reagonte me rastin e këtyre shkeljeve. Pra moszbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit nga Ohri e kanë mbajtur këtë temë shumë gjallë” – tha i pari i Qeverisë.

“Edhe një herë, për sa i përket territorit të Kosovës ne kemi shumë suksese, por në Bruksel, që nuk është as në Kosovë e as në Serbi, kur ne duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet dhe më pastaj t’i zbatojmë ato Beogradi ka sabotuar do të thosha suksesshëm për shkak se Brukseli si një arbitër nuk i ra filikaçës, nuk i ra pipit, sa herë që kishte shkelje e ato ishin të përjavshme në vitin që shkoi” – u shpreh Kurti.

Tutje ai tha se nuk mund të pritet zbatim i Marrëveshjes kur ka shkelje të saj.

“Sot jemi në këtë situatë jo të mirë sa i përket marrëdhënieve me Serbinë, ndonëse kemi marrëveshje për shkak se arbitri nuk e ka qortuar, e lëre më sanksionuar palën e cila bëri shkelje të Marrëveshjes” – theksoi Kurti.

Kur u pyet se pse mendon që nuk mori ‘qortime’ Serbia nga Brukseli, Kurti tha se mendon se “është një lloj brenge që nëse qortohet ose ndëshkohet Serbia ajo do të shkojë me Rusinë, me federatën ruse, me Kremlinin, e presidentin despotik Putin, thua ti që tashmë s’e ka bërë këtë gjë”.

Kurti shtoi se ka shumë diplomatë në Perëndim të cilët duan të besojnë që Serbia ende nuk ka shkuar me Federatën ruse.