Takimi Kurti – Sarrazin. Foto: ZKM

Kryeministri Kurti priti në takim përfaqësuesin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri Albin Kurti ka takuar të enjten, më 11.04.2024, përfaqësuesin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi, Kurti ka kërkuar zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në Procesin e Berlinit, duke përfshirë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Kryeministri e falënderoi z. Sarrazin për angazhimin dhe rolin e Gjermanisë në thellimin e bashkëpunimit rajonal mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si palë të barabarta. Duke folur për pritjet nga samiti i radhës, Kryeministri theksoi rëndësinë që marrëveshjet e arritura në Procesin e Berlinit të zbatohen plotësisht duke përfshirë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID kartë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës”- thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Kurti e i dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor kanë biseduar dhe për përgatitjet e samit të 10-të të Procesit të Berlinit dhe çështje aktuale në vend e rajon.