Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ambasadori gjerman përsërit nevojën për zbatim të plotë Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit duhet të zbatohen plotësisht, në të kundërtën, moszbatimi i tyre minon procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë qëndrim ai e ka shprehur në rrjetin social X, duke e shpërndarë edhe postimin e kryetarit të Iniciativës Evropiane të Stabilitetit, Gerald Knaus, i cili i ka quajtur kontradiktore dhe konfuze deklarimet e kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, në raport me Kosovën.

Ambasadori Rohde ka thënë se pajtohet plotësisht me mendimin e Knaus-it.

“Pajtohen plotësisht. Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit duhet të zbatohen plotësisht. Moszbatimi minon procesin e dialogut” – ka thënë Ambasadori Rohde.

Në një varg postimesh në rrjetin social, X (ish-Twitter), Bërnabiq i ka reaguar ashpër Raportueses për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, e cila ka quajtur blof deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se Serbia do të largohet nga Këshilli i Evropës, nëse aty pranohet Kosova.

Bërnabiq i ka thënë von Cramonit se partnerët ndërkombëtarë kanë gënjyer sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të paraparë me Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar gati 11 vjet më parë.

“Fakti që partnerët tanë evropianë (dhe të tjerë) në disa raste në mënyrë të qartë kanë deklaruar, publikisht dhe ndryshe, se themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe është parakusht absolut për çdo diskutim të mëtejshëm për këtë apo ndonjë çështje tjetër të ngjashme. A kanë gënjyer partnerët europianë (dhe të tjerët)?” – ka shkruar Ana Bërnabiq.

Ndër të tjera udhëheqësja e Kuvendit serb ka thënë se “Kosova është krahinë autonome e Serbisë” dhe jo një shtet europian.

Gerald Knaus në reagimin e tij ndaj Bërnabiqit ka thënë se Serbia nuk mund të injorojë një marrëveshje ku u zotua se nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe pastaj të argumentojë se për shkak të së njëjtës marrëveshje, Kosova duhet të bllokohet.

“Këshilli i Evropës nuk është filial i institucioneve të tjera. Ajo ka procedurat dhe standardet e veta, të rrënjosura në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut” – ka shtuar Knaus.

Iniciativa Evropiane e Stabilitetit është një institut kërkimor që fokusohet në Evropën Juglindore dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Për të t’u anëtarësuar në këtë organizatë, Kryeministri i Kosovës, vendosur ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, anipse tha se nuk i pëlqen ai “vendim i çuditshëm e i padrejtë”.

Kjo për shkak se ndërkombëtarët kanë kushtëzuar ecjen tutje të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës me zbatimin e këtij vendimi.

Më 19.05.2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur që Manastirit të Deçanit t’i ktheheshin 24 hektarë tokë. Problematika e kësaj tokës nisi në vitin 1946, kur Manastiri i Deçanit u shpronësua nga disa ngastra toke.

Aplikacionin e Kosovës për anëtarësim shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.