Osmani: Serbia është e përkushtuar që ta kthejë rajonin në vitet '90

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konsideron se ndërhyrja e NATO-s para 25 vjetësh duke i bombarduar caqet ushtarake serbe, ka shënuar jo vetëm një kthesë vendimtare në historinë e Kosovës, por edhe një  moment historik vendimtar në historinë moderne të njerëzimit.

E pranishme në konferencën e organizuar nga Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me Universitetin e Arkansasit, me temën “Demokracia, të drejtat e njeriut dhe ndërtimi i paqes”, ajo ka theksuar se Kosova ka dalë nga hiri i luftës për t’u bërë një demokraci e gjallë, gjithnjë duke aspiruar të kontribuojë në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare si partner e NATO-s.

E para e shtetit ka përkujtuar se 25 vjet pas aktivizimit të botës për ta ndihmuar Kosovën për t’u çliruar nga agresioni serb, ky vend ka bërë përparime të mëdha.

“Prania e NATO-s në Kosovë ka vazhduar të luajë një rol kyç në rindërtimin, zhvillimin dhe konsolidimin e  demokracisë. Por edhe për të shërbyer e mbrojtur të gjithë qytetarët tanë, pa dallim etnik”, ka deklaruar Osmani.

Megjithatë, ajo ka tërhequr vëmendjen se synimet e Serbisë për ta kthyer Kosovën në vitet e ‘90-ta ende nuk janë ndalur.

“Fatkeqësisht, çdo ditë që kalon, Serbia nuk turpërohet të na kujtojë qëllimet e saj të vërteta. Si përfaqësuesja e Rusisë në rajonin tonë, Serbia është e përkushtuar që ta kthejë rajonin tonë në vitet ’90 dhe bashkë me aleatët e saj duan të zhbëjnë gjithçka që është arritur bashkërisht ndër vite”, ka deklaruar ajo.

Osmani ka folur edhe për sulmin e grupit terrorist serb në Banjskë  duke e quajtur atë si sulm që nuk i është bërë vetëm Kosovës.

“Sulmi në Banjskë është sulm edhe kundër NATO-s dhe kundër Shteteve të Bashkuara si mbështetëse e sukseseve tona të përbashkëta’’, ka theksuar Osmani.

Për ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Rrugë tjetër nuk ka, por kërkohet mirëbesim dhe zbatim i plotë i të gjitha zotimeve që ka marrë Kosova në kuadër të dialogut’’, tha Hovenier.

Diplomati amerikan potencoi se SHBA-të kanë vizionin e qartë për një Evropë të tërë të lirë dhe në paqe.

Në konferencë u paraqit me një video mesazh edhe Wesley Clark, ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë, gjatë viteve 1999-2000.

Ai tha se ndihet shumë krenar për gjithçka që Kosova ka bërë në aspektin ekonomik e politik, dhe se shpreson se ky vend do të anëtarësohet në BE dhe NATO.

Kur i sheh shqiptarët e Kosovës, Clark thotë se e kujton rëndësinë e lirisë, guximin, vendosmërinë dhe luftën për mbrojtjen e familjeve dhe vlerave.

“Zemra ime është me ty, shpirti im është me ty- Kosovë dhe të uroj gjithë të mirat”, ka uruar Clark.

Më 24 mars 2024 janë bërë 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe.

Sulmet zgjatën plot 78 ditë duke u ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dy ditë më pas filloi dislokimi i rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës. 30,000 prej të cilëve ishin nga shtetet anëtare të NATO-s.