Vjosa Osmani

Akuza nga Grenelli: Presidenca paralajmëron se Osmani do të mbajë konferencë pas kthimit në Kosovë

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, ka akuzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për siç ka thënë ai- “manipulim” të fjalëve të presidentit amerikan, Donald Trump, në një reagim të saj.

E për këtë reagim të Grenellit, Presidenca e Kosovës, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani sapo të kthehet në Kosovë do të mbaj një konferencë për media.

“Sapo të kthehet në Kosovë, Presidentja Osmani do të mbaj konferencë për media lidhur me këtë çështje”- ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentës.

Aktualisht, presidentja Osmani është në vizitë zyrtare në ShBA dhe nuk është bërë e ditur se kur do të kthehet në Kosovë.

Gjatë një ligjerate në Uashington, ajo ka thënë se ka informacione të besueshme se presidenti amerikan, Donald Trump, së voni ka parandaluar mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

Mirëpo, Grenell në një postim në platformën ‘X’, ka shkruar se Osmani ka manipuluar me fjalët e Trumpit.

“Turp për Vjosa Osmani që manipuloi fjalët e Presidentit Donald Trump. Donald Trump u nominua për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij në paqen dhe normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë në 2019 dhe 2020 – përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit nga Trump në Shtëpinë e Bardhë në Zyrën Ovale. Osmani nuk ishte pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur kishte diçka të re është absurde”- ka shkruar Grenell.

Në fjalën e saj gjatë ligjeratës në Uashington, Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se rreziqet nga Serbia janë të vazhdueshme duke thënë se ato nuk duhen nënvlerësuar.

Sipas saj, presidenti Trump ka bërë gjithçka që është në fuqinë e tij deri tani, për të siguruar ruajtjen e paqes në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

E deputetët e Kuvendit të Kosovës janë pyetur nga gazetarët rreth kësaj deklarate të Osmanit.

Ata kanë thënë se kjo është një nga arsyet që Kuvendi duhet të konstituuohet sa më shpejtë dhe të procedohen krijimi i institucioneve, duke nënkutpuar formimin e Qeverisë.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë janë pajtuar të zbatojnë një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në mandatin e tij të parë, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.

Reagon Grenell: Turp për Osmanin- manipuloi fjalët e Trumpit

 

Deklarata e Osmanit se Trumpi e parandaloi përshkallëzimin e situatës nga Serbia shkakton reagime