Aksioni i sotëm, arrestohen edhe 10 persona të tjerë

Në kuadër të operacionit të sotëm të Prokurorisë Speciale janë arrestuar edhe 10 persona të tjerë si dhe gjatë kontrollit të disa lokacioneve janë sekuestruar edhe 11 mijë euro.

Deri më tani nga ky operacion janë arrestuar tetëmbëdhjetë (18) persona, si dhe janë sekuestruar gjashtë (6) vetura, 160.300 euro dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, serverëve dhe telefonave mobilë e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale.

Të gjithë të dyshuarit e arrestuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar  në mbajtje.

KALLXO.com raportoi sot se njësitë speciale të Policisë së Kosovës janë duke bastisur dy kompani “Call center” në lagjen Pejton në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për KALLXO.com se operacioni policor ndërlidhet me veprimtari të mashtrimit.

Prokuroria Speciale njoftoi para disa minutash se janë arrestuar 8 persona. Të arrestuarit janë punëtorë të “Call Center”, të cilët dyshohen se kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm në Gjermani duke u ofruar kinse investime në aksione të ndryshme si dhe në kryptovaluta, e të cilat kanë qenë platforma fiktive, me ç’rast të dyshimtit kanë përvetësuar shumë të mëdha të hollash.

Arrestohen 8 persona në Kosovë, dyshohet se mashtronin qytetarë në Gjermani