Foto: KALLXO.com
QKUK: Gjendja e të plagosurve në Pejë është e rëndë
Tre personat që u plagosën sonte me armë zjarri në Pejë tashmë kanë mbërritur në QKUK.
Doktori i Emergjencës në QKUK, Ejup Govori, ka njoftuar se gjendja e të plagosurve, sipas ekzaminimit fillestar, është e rëndë dhe se po vazhdon trajtimi i tyre.
Tre persona janë plagosur sonte, më 22.05.2024, rreth orës 21:25 në Pejë.
Të plagosurit fillimisht janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës.
Por, për shkak të gjendjes së tyre, ata janë nisur për në QKUK.
Kështu tha për KALLXO.com doktori i Emergjencës së Spitalit të Pejës, Besnik Ibraj.
Ai tregoi se tre të plagosurit i kanë pranuar pas orës 22:00.
“Pas orës 22:00 i kemi pranu tre të plagosur me armë zjarri, rezulton që të tre janë familjarë. Njëri ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore me plagë në regjionin e qafës dhe gjoksit. Është dërguar për në QKUK” – tha dr. Ibraj.
“Po ashtu edhe i dyti ka pasur plagë në të dy këmbët dhe bark dhe është dërguar për QKUK. I treti ka pasur plagë në regjionin e barkut. Të tre pra janë dërguar në QKUK, njëri në gjendje të rëndë shëndetësore” – ka theksuar mjeku Besnik Ibraj.
Lidhur me rastin, Prokuroria dhe Policia në Pejë kanë njoftuar se i dyshuari ende është në arrati dhe se rasti po trajtohet si tentim vrasje e rëndë.