Haradinaj mesazh PDK-së: Kurti po synon t’ju shkatërrojë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po e tenton shkatërrimin e Partisë Demokratike të Kosovës.

Teksa e ka quajtur Kurtin mashtrues, Haradinaj e ka marrë shembull koalicionin e kaluar LVV-LDK, duke thënë se Kurti e kishte shkaktuar rënien e LDK-së në 12 për qind të votave.

“Ju kujtohet një kohë që bëri marrëdhënie të mira me LDK-në e Isa Mustafën, përkundër cilësimeve shumë të këqija që ua kishte dhënë. Me atë dashuri e absorboi LDK-në e absorboi, e lëshoi në 12%. Ai i ofroi LDK-së partneritet, me të cilin e gllabëroi LDK-në. Ai e ka strategjinë si mashtrues, sot Kurti po e shkatërron PDK-në, po e synon, duke e përfshi në agjendën e vet ndaras nga pjesa tjetër e opozitës. Votuesit e PDK-së, me mendu që janë bashkë, e nuk ka lidhje a e voton LVV-në a PDK-në është strategji perfide e LVV-së. PDK ka strategji, por është vërtetu që Kurti ka imunitet më të madh kur bashkëpunon me armiqtë e vet, armiqtë e Kurtit kur bashkëpunojnë pësojnë më shumë. Ka provë, i ndodhi LDK-së”- ka thënë Haradinaj në RTV Dukagjini.

Sipas tij, PDK-ja me veprimet e saj po e ndihmon Kurtin ta marrë edhe një mandat tjetër.

“(Nëse) Njëri nga ne ndihmon Kurtin të shkojë në zgjedhje, pa një kontratë mes nesh, është një rrezik e mundësi me ia ndihmu Kurtit edhe një mandat. Nëse njëri nga ne e bëjmë një koalicion me Kurtin si të shkojmë në zgjedhje, kur s’është e tërë opozita, atëherë shihet se uniteti ynë pas zgjedhjeve nuk ekziston”- tha ai.

Haradinaj tha se është e domosdoshme një marrëveshje paszgjedhore mes partive opozitare.

“Po kërkoj një durim opozitar. Formula më e thjeshtë do të ishte që partia që fiton më së shumti vota nga opozita të jetë mandatari” – ka thënë ai.

Partia Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje publike dy partive tjera opozitare, LDK- së dhe AAK-së, që ta mbështesin mocionin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, si rrugë për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme më 30 qershor ose 7 korrik 2024, por këto dy parti insistojnë në opsione tjera. E LVV-ja pret nga opozita të flasë me një zë.