Foto: KALLXO.com

Mungesa e njërit të pandehur shtyn gjykimin ndaj 18 të akuzuarve për krim të organizuar

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca ndaj 18 të akuzuarve për krim të organizuar, shmangia e tarifave doganore, kontrabandim me mallra dhe vepra të ngjashme, mirëpo kjo seancë ka dështuar për shkak të mungesës së njërit prej të akuzuarve.

Arsyeja e dështimit të seancës gjyqësore ka ardhur si pasojë e mungesës së të akuzuarit Besnik Istrefi.

“Unë nuk jam në dijeni për arsyet e mungesës së tij” – deklaroi avokati Imer Ahmetaj, mbrojtësi i të pandehurit Besnik Istrefi.
Seanca e radhës do të mbahet me 12.07.2024.

Ky rast më parë gjykohej në Gjykatën e Mitrovicës, mirëpo i njëjti është deleguar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

Dosja e Prokurorisë Speciale

Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit Agron Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Ali Musliukaj, Liridon Hyseni, Besnik Istrefi, Azem Islami,  Xhevat Spahija, Shkelqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazrek, Demë Lokaj, Alban Nikqi, Albion Lokaj, Gentrit Zymeri, Fadil Qollaku.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ismet Zeqiri, së bashku me të pandehurit Millan Radisavleviq dhe Aleksandar Rakiçeviq (gjenden në arrati sipas aktakuzës ) kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Prokuroria i akuzon të lartcekurit se në mënyrë të vazhdueshme dhe të kundërligjshme nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale dhe në vazhdimësi mallrat e kontrabanduara.

Periudha kohore për të cilën Prokuroria i akuzon te lartcekurit theksohet të jetë nga data 11.06.2014 deri me datë 10.12.2014.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të gjithë pjesëtarët e grupit kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës (nga 12,000 litra ), 2 ngarkesa me vaj hidrol (nga 10,000 litra) dhe 3 ngarkesa me nitrotretës (me nga 7,000 litra).

Mallrat e lartcekura, sipas organit akuzues, ky grup kriminal më pastaj i shpërndan nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, në dyqane të ndryshme dhe depo, krejt kjo me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojnë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore doganore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në vlerë prej 30,000 euro.

Sipas Prokurorisë këto mallra të kontrabanduara të sjella në Kosovë janë deponuar në lokacione të caktuara për t’u bërë më vonë shpërndarja e këtyre mallrave në tërë Kosovën.

Tutje sipas aktakuzës dorëzimin e mallrave e kanë bërë vartësit e të pandehurve Besim Zeqiri dhe Ismet Zeqiri, Liridon Hyseni, Ali Musliukaj, Ridvan Avdiu, Canabeg Hyseni, Dukagjin Latifi dhe Gentrit Zymeri.

Me këtë Prokuroria për këto veprime të pandehurve i akuzon Besim Zeqiri, Ismet Zeqiri, Millan Radisavleviq dhe Aleksdanar Radisavleviq (dy të fundit gjenden në arrati) kanë kryer veprën penale – pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprat penale kontrabandimi i mallrave, tregtia e ndaluar, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa të pandehurit Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muskilukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu,Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami, kanë kryer veprën penale – pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprat penale kontrabandimi i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.