Rektorati

foto; Denis Sllovinja

Një grua dhe katër burra ia mësyjnë garës për rektor të UP-së

Pesë kandidatë kanë aplikuar në konkursin për rektorin e ri të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prej tyre një grua dhe katër burra.

Kandidatët që kanë aplikuar për pozitën e rektorit të UP-së janë: Sefer Avdiaj, Isak Shabani, Faton Berisha, But Dedaj dhe Gjyljeta Mushkolaj.

Aplikimin e tyre për pozitën e rektorit të UP-së e kanë konfirmuar nga Rektorati i UP-së.

Në mesin e këtyre emrave bëjnë pjesë dy prorektorë aktualë të UP-së dhe njëherit profesorë, një dekan, një profesor dhe një profesoreshë.

Sefer Avdiaj është prorektor për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion. Avdiaj është edhe profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në UP, në departamentin e Fizikës.

Kandidati tjetër Faton Berisha është prorektor për personel akademik, integritet dhe botime. Edhe Berisha është profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në UP.

Gjyljeta Mushkolaj është profesoreshë në Fakultetin Juridik të UP-së.

Isak Shabani është dekan në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP dhe së fundmi është zgjedhur për një mandat tjetër të dekanit në këtë Fakultet.

But Dedaj është profesor në Fakultetin Ekonomik të UP-së.

Avdiaj dhe Dedaj kishin kandiduar për pozitën e rektorit edhe në vitin 2022, kur u zgjodh rektori aktual i UP-së, Qerim Qerimi. Rektori aktual Qerim Qerimi ishte zgjedhur më 21.11.2022 dhe mandati i tij përfundon në shtator të vitit 2024.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës kishte njoftuar për hapjen e konkursit për zgjedhjen e rektorit të ri të UP-së, më 08.05.2024. Sipas njoftimit, konkursi ka qenë i hapur nga data 07.05.2024 deri më 21.05.2024.

Disa kritere të konkursit ishin që kandidati nuk duhet të ketë qenë në pozita udhëheqëse në ndonjë parti politike apo listë zgjedhore në nivel qendror e lokal në tri vitet e fundit.

Po ashtu si kriter është kërkuar që të ketë përvojë të dëshmuar akademike, kërkime shkencore dhe të ketë gradën e profesorit të rregullt; apo të ketë përvojë të dëshmuar menaxhuese universitare.

Informatat e plota për kriteret dhe konkursin mund t’i gjeni KËTU.