Ilustrim
Pengoi gjyqtarin në detyrë, arrestohet gruaja në Mitrovicë
Një grua është arrestuar nën dyshimin se e ka penguar gjyqtarin që po kryente punën sipas detyrës zyrtare.
Rasti ka ndodhur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Këtë e ka konfimuar zëdhënësja për Informim dhe Komunikim me Media, Hateme Haxhaj- Haziri.
“Ka ndodhur dje më 16.05.2024 në Mitrovicë, përderisa gjykata, me qëllim të njohjes më për së afërmi me gjendjen në teren, saktësisht gjyqtari i Departamentit të Përgjithshëm Civil ka qenë duke e mbajtur seancën e daljes në vendshikim, është penguar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga pala në procedurën kontestimore. Lidhur me këtë gjyqtari i Gjykatës Themelore Mitrovicë e ka dhënë dëshminë e tij”- ka thënë Haxhaj- Haziri.
Ndërsa sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës e dyshuara me vendim të prokurorit është liruar.
“Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, pasi që e njëjta dyshohet se ka penguar në kryerje të detyrës dy ankuesit kosovarë. Me vendim të prokurorit e dyshuara pas inicimit të rastit është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”- thuhet në raportin e policisë.