(Arkiv) - Spitali i Pejës - Foto: KALLXO.com

Tre të plagosurit në Pejë dërgohen në QKUK, njëri në gjendje të rëndë - ka plagë në qafë dhe gjoks

Tre persona janë plagosur sonte, më 22.05.2024, rreth orës 21:25 në Pejë.

Të plagosurit fillimisht janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës.

Por, për shkak të gjendjes së tyre, ata janë nisur për në QKUK.

Kështu tha për KALLXO.com doktori i Emergjencës së Spitalit të Pejës, Besnik Ibraj.

Ai tregoi se tre të plagosurit i kanë pranuar pas orës 22:00.

“Pas orës 22:00 i kemi pranu tre të plagosur me armë zjarri, rezulton që të tre janë familjarë. Njëri ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore me plagë në regjionin e qafës dhe gjoksit. Është dërguar për në  QKUK” – tha dr. Ibraj.

“Po ashtu edhe i dyti ka pasur plagë në të dy këmbët dhe bark dhe është dërguar për QKUK. I treti ka pasur plagë në regjionin e barkut. Të tre pra janë dërguar në QKUK, njëri në gjendje të rëndë shëndetësore” – ka theksuar mjeku Besnik Ibraj.

Lidhur me rastin, Prokuroria dhe Policia në Pejë kanë njoftuar se i dyshuari ende është në arrati dhe se rasti po trajtohet si tentim vrasje e rëndë.