Foto-ilustrim

Njëri nga të plagosurit në Pejë dërgohet në QKUK

Tre persona janë plagosur me armë zjarri në një incident që ka ndodhur sonte me 22.05.2024 në Pejë.

Njëri nga ta është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ndërsa dy nga të lënduarit po trajtohen në Spitalin Rajonal të Pejës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Rreth orës 21:25 minuta në rrugën “Bekim Berisha – Abeja” në Pejë ka pasur të shtëna me armë zjarri, me ç’rast tre persona janë lënduar. Janë dërgu në Emergjencë të spitalit rajonal, një prej të lënduarve është nisur për në QKUK. Në vend të ngjarjes janë njësitë kompetente për të kuptuar për rrethanat se si ka ardhur deri te aksidenti”- ka thënë ai.

Tre persona, të cilët dyshohet se janë familjarë mes vete, janë plagosur nga një person i dyshuar, për të cilin Policia po punon që ta identifikojë dhe lokalizojë.

Ai dyshohet se pasi kreu plagosjen është larguar nga vendi i ngjarjes.

KALLXO.com mëson se ngjarja ndodhi në Pejë ndërsa për rastin ka kontaktuar edhe me Prokurorinë e Pejës.

Prokurori Ersan Qavolli në një bisedë përmes telefonit ka konfirmuar rastin për KALLXO,com deri sa shtoi se është në vendin e ngjarjes së bashku me ekipet e Policisë.

“Dyshohet që janë tre persona të plagosur, i dyshuari është në arrati dhe jemi duke punuar për ta identifikuar të dyshuarin dhe për ta lokalizuar dhe arrestuar sa më shpejt. Jemi duke punuar intensivisht në rast”- tha Qavolli për KALLXO.com.

Deri më tani rasti po cilësohet si tentim vrasje e rëndë.

Tre të plagosur në Pejë, i dyshuari në arrati