Plagosja e 3 personave me armë zjarri në Pejë, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për të lokalizuar të dyshuarin

Tre persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri në një incident që ka ndodhur të enjten në mbrëmje, më 22.05.2024, në Pejë.

Për shkak të plagëve, të plagosurit janë dërguar nga Spitali rajonal i Pejës në QKUK në Prishtinë.

Mjeku i Klinikës Emergjente në QKUK, Ejup Govori, ka thënë se gjendja e pacientëve është e rëndë dhe njëri prej tyre ka plagë në qafë dhe në gjoks.

Lidhur me rastin, Policia Rajonale e Pejës po kërkon ndihmën e qytetarëve për të lokalizuar vendin ku është i dyshuari për këtë ngjarje të rëndë.

Sipas Policisë, i dyshuari është Agron (Mentor) Gashi, i lindur më 2002.

Agron Gashi sipas Policisë dyshohet për veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë.

Policia kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: 192 dhe 080019999 (pa pagesë), 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë ose e-mail: [email protected]

Policia ka publikuar edhe fotografinë dhe shënimet e tjera të të dyshuarit bazuar në ligj dhe me autorizim të Prokurorisë së Pejës.