Foto: KALLXO.com

Vrasja e vitit 2017 në Prishtinë, dëshmitarët thonë që konflikti ndodhi si pasojë e prerjes së malit

Ne Gjykatën e Prishtinës sot, më 22.05.2024, është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me rastin ku të akuzuar për vrasje dhe vrasje në tentativë janë Gëzim Rexhepi, Fadil Rexhepi, Muharrem Rexhepi, Bedri Rexhepi dhe Pajazit Rexhepi.

Gjatë seancës gjyqësore janë dëgjuar dy dëshmitarë lidhur me rastin i cili sipas Prokurorisë ka ndodhur më 26.10.2017.

Dëshminë e tij lidhur me këtë rast e filloi Agron Rexhepi, i cili tha se mosmarrëveshja kishte filluar lidhur me prerjen e malit.

“Mosmarrëveshjen e kemi pasur për malin”- tha Rexhepi në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Gazmend Bahtiraj.

Tutje dëshminë e tij lidhur me rastin e dha edhe dëshmitari (njëkohësisht i dëmtuar) tjetër i Prokurorisë, Xhavit Rexhepi.

I njëjti tha se konflikti ka filluar për shkak që ishte bërë prerja e një pjese të malit të cilinn dëshmitari e konsideronin si të tyrin.

“E kanë pre do mal tonin, e që ne e konsiderojmë që një pjesë e malit ka qenë e jona”- tha dëshmitari Xhavit Rexhepi.

Në seancë gjyqësore fillimisht elaboroi ekspertizën e tij balistike eksperti Qëndrim Topalli.

Topalli duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Armend Hamiti tha se në këtë konflikt janë përdorur katër armë.

“Janë përdorur katër armë”- tha Topalli.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22.05.2018, i dëmtuari Sh.R. së bashku me vëllanë e tij, tani të pandehurin Muharrem Rexhepi  dhe të akuzuarin Fadil Rexhepi, të armtosur shkojnë në shtëpinë e të pandehurve Gëzim, Bedri dhe Pajazit Rexhepi më 26.10.2017.

Sipas Prokurorisë në këtë datë fillojnë një fjalosje për çështjen e prerjes së malit. Në ato momente i pandehuri Bedri Rexhepi e sulmon fillimisht të ndjerin me grushta dhe kondak të revoles.

Sipas organit të akuzës, Gëzim Rexhepi niset në drejtim të tyre, pasi që i njejti në ato momente ishte në ahur duke u kujdesur për bagëtitë,  me pushkë automatike shtien në drejtim të tashmë të ndjerit Sh.R., dhe të pandehurve Muharrem dhe Fadil Rexhepi. Nga kjo gjuajtje një plumb e godet tani të ndjerin Sh.R., me ç’rast gjeti vdekjen, kurse Fadil Rexhepi ka mbetur i plagosur.

Me këto veprime i pandehuri Gëzim Rexhepi nga Prokuroria po akuzohet për vrasje dhe për veprën penale vrasje në tentativë, si dhe armëmbatje pa leje.

Në këtë përleshje, sipas Prokurorisë, vëlla i tanimë të ndjerit Sh.R., Muharrem Rexhepi, nga hakmarrja e paskrupullt me qëllim të privimit nga jeta me armë shtie në drejtim të dëmtuarit Xhavit Rexhepit, duke e goditur në dorën e djathtë. Me këtë veprim Muharrem Rexhepi akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbatje pa leje.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në përleshje e sipër Fadil Rexhepi e ka goditur me grushte të pandehurin Bedri Rexhepi, e më pastaj me qëllim që ta privojë nga jeta ka shtënë në drejtim të Xhavit Rexhepit duke e goditur me plumb pas shpine, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këtë Fadil Rexhepi ngarkohet nga Prokuroria për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Kurse i pandehri tjetër Bedri Rexhepi akuzohët për vrasje në tentativë dhe për armëmbajte pa leje, pasi sipas Prokuorisë në momentin kur ishte sulmuar nga Muharrem dhe Fadil Rexhepi, kishte arritur të ikte dhe të marrë një armë në ahurin që gjendej afër dhe ka shtënë në drejtim të Muharrem Rexhepit.

Tutje, Pajazit Rexhepi akuzohet për dëmtim të pasurisë.