Nderohen 77 të vrarët nga forcat serbe në masakrën e Vushtrrisë - Foto: Ferit Idrizi / Facebook

25-vjetori i masakrës në Vushtrri, përkujtohen 77 civilët e vrarë nga forcat serbe

Në Vushtrri është shënuar përvjetori i masakrës së kryer nga forcat serbe 25 vjet më parë.

Në masakrën e datës 22.05.1999, forcat serbe kishin vrarë e masakruar 77 civilë shqiptarë.

Në këtë përvjetor, i pari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka shkruar se para 25 viteve qytetarët e Vushtrrisë përjetuan një tmerr, pasi në mënyrë çnjerëzore u vranë dhe u masakruan civilë shqiptarë.

“Masakra e 22 majit është një nga masakrat më të përgjakshme në Kosovë, ku nuk u kursyen as fëmijët, gratë e pleqtë”- ka shkruar Idrizi.

Masakrën e Vushtrrisë e ka përkujtuar edhe ish-kryetari i kësaj Komune, Xhafer Tahiri, i cili ka kërkuar drejtësi për të vrarët e kësaj masakre.

“Asnjë i dënuar për këtë krim, vendi ku ishte fshehur ky krim, ku ishin varrosur këto viktima e qindra të tjera, në Batajnicë të Beogradit është shndërruar në “tokë të shenjtë” për të ndërtuar kishë. Ky krim në Vushtrri as nuk falet e as nuk harrohet. Kërkojmë drejtësi!”- ka shkruar Tahiri në rrjetin social Facebook.

Sipas të dhënave preliminare të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, 25 vite më parë, forcat serbe pasi torturuan, vranë 77 persona, të gjithë civilë të pafajshëm shqiptarë.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitar tha se një nga 77 viktimat është ende i zhdukur, ndërsa të gjithë të tjerët janë identifikuar dhe varrosur.

“Deri më tani askush nuk është dënuar në Kosovë për këtë masakër, ndërsa e njëjta masakër ka qenë pjesë e aktakuzës në Tribunalin e Hagës ndaj serbëve të akuzuar” – ka deklaruar Blakaj për KALLXO.com.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

https://www.icty.org/en/case/slobodan_milosevic

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në linkun:

https://www.icty.org/x/cases/milutinovic/acjug/en/140123.pdf