Arrestohen 8 persona në Kosovë, dyshohet se mashtronin qytetarë në Gjermani

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit policorë dhe prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg – Gjermani kanë kryer një operacion të suksesshëm ndaj grupeve të dyshuara kriminale, të përfshira në veprën penale të mashtrimit si formë e krimit të organizuar.

Të arrestuarit janë punëtorë të “Call Center”, të cilët dyshohen se kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm në Gjermani duke u ofruar kinse investime në aksione të ndryshme si dhe në kryptovaluta, e të cilat kanë qenë platforma fiktive, me ç’rast të dyshimtit kanë përvetësuar shumë të mëdha të hollash.

“Gjithashtu, në operacionin e sotëm janë kontrolluar 17 lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Ferizaj, deri më tani janë arrestuar tetë (8) persona të dyshimtë, si dhe janë intervistuar një numër i konsiderueshëm i personave të dyshuar. Gjatë kontrollit të lokacioneve në këtë operacion deri më tani janë gjetur dhe sekuestruar: 6 vetura, 149.300 euro kesh, dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, serverëve dhe telefonave mobil e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprës penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Me urdhër të prokurorit të dyshuarit që janë arrestuar janë dërguar në mbajtje.

Policia jep detaje për aksionin në Pejton, dyshohet për veprimtari mashtrimi