Hani i Elezit ballafaqohet me pasojat një ditë pas breshrit dhe reshjeve të shiut

10:48 – Pasojat nga vërshimet, flet kryetari i Hanit të Elezit

“Asnjë qeveritar nuk është interesuar së paku për të na kontaktuar” – thotë kryetari i Hanit të Elezi për KALLXO.com pas breshërit e shiut të datës 21.05.2024.

10:45 – Gjendja e parkingut të Komunës së Hanit të Elezit pas breshërit e shiut

09:10 – Mblidhet Komuna e Hanit të Elezit 

Shiu e breshëri i një dite më parë, Komuna e Hanit të Elezit po  mban mbledhje më 22.05.2024, për themelimin e Komisionit për vlerësimin e dëmeve.

KALLXO.com po raporton nga vendi i ngjarjes:

Foto: KALLXO.com

21:57

Drejtori i Bujqësisë në Han të Elezit: Dëmet në bujqësi janë të mëdha

Moti i lig që ka përfshirë sot pasdite territorin e Hanit të Elezit ka shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi.

Kështu ka thënë për KALLXO.com drejtori i Bujqësisë në Komunën e Hanit të Elezit, Avdurraman Bushi.

“Unë sapo isha tek disa qytetarë për t’i parë dëmet dhe dëmet te sektori jonë janë shumë të mëdha, kemi shumë serra të dëmtuara dhe shumë fidane të dëmtuara” – tha ai.

Drejtori Bushi tregoi për hapat që do i ndërmarrin pas kësaj situate.

“Nesër do të themelojmë komisionin për vlerësimim e dëmeve dhe tani do të vazhdojmë me procedurat e tjera” – tha Bushi për Kallxo.com.

 

21:43

Qytetari nga Hani i Elezit: Iku bahçja bashkë me serrën

Breshri i madh që ka rënë sot pasdite, më 21.05.2024, në zonën e Hanit të Elezit u ka shkaktuar dëme materiale dhe në bujqësis humë qytetarëve.

Menduh Vlashi, banor në “Lagjen e Kufirit” në Han të Elezit, ka thënë se breshri ia dëmtoi serrën dhe krejt bahçen.

“Iku bahçja bashkë me serrën” – tha ai në një prononcim për KALLXO.com.

21:01

Drejtoresha Kuka: Nuk ka asnjë person të lënduar nga breshri apo vërshimet

Territori i komunës së Hanit të Elezit, por edhe Kaçanikut, pasditen e 21.05.2024 janë përballur me një mot të lig, ku breshri i madh ka shkaktuar dëme materiale dhe në bujqësi.

Mirëpo, fatmirësisht, nga ky mot i lig nuk është raportuar të ketë pësuar ndonjë qytetar.

Kështu ka thënë në një prononcim për KALLXO.com drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Hanit të Elezit, Kimete Kuka.

“Sapo kontaktova me QKMF-në dhe ma konfirmuan se deri tani nuk ka asnjë person të lënduar, dëmet më të mëdha janë dëme materiale dhe në bujqësi, Fatmirësisht dëme njerëzore nuk kemi” – tha ajo për Kallxo.com.

Drejtoresha tha se nesër më 22.05.2024 kryetari i Komunës, Mehmet Ballazhi, ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme në ora 09:00 me këshillin komunal për Siguri në Bashkësi.

20:44

Kokrrat e mëdha të breshrit thyen tavolinat dhe karriget e qytetarëve në Han të Elezit

KALLXO.com ka siguruar pamje të reja të dëmeve të shkaktuara nga breshri në komunën e Hanit të Elezit.

Si pasojë e kokrrave të mëdha të breshrit, qytetarëve u janë thyer tavolinat dhe karriget në oborret e shtëpive, si dhe u janë dëmtuar pemët dhe perimet e mbjella në kopshtet e tyre.

 

19:56

Një mot i lig ka përfshirë sot pasdite territorin e komunës së Hanit të Elezit, ku breshri i madh ka shkaktuar dëme materiale dhe në bujqësi.

KALLXO.com ka siguruar pamje nga zona ku shihet se për shkak të breshrit të madh shumë qytetarë kanë ndërprerë lëvizjen me vetura në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Po ashtu, për shkak të breshrit dhe reshjeve të mëdha të shiut shumë rrugë janë vërshuar.

19:15

KALLXO.com ka siguruar pamje nga segmenti i autostradës “Arbën Xhaferi” në Han të Elezit, ku për shkak të breshrit të madh shoferët kanë ndalur qarkullimin.

18:55

Kryetari i Hanit të Elezit tregon për pasojat nga breshri

Pasditën e së martës, 21.05.2024, komuna e Hanit të Elezit është goditur nga një mot i lig, me breshër të madh e reshje shiu.

Sipas zyrtarëve komunalë, breshri ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe bujqësore.

I kontaktuar nga KALLXO.com, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka thënë se përveç dëmeve materiale fatmirësisht dëme në njerëz nuk ka pasur.

“Po, sot pasdite komuna jonë është goditur nga një breshër i madh, i cili ka shkaktuar dëme të mëdha në gjëra materiale, më së shumti dëme ka shkaktuar tek makinat, të cilave ua ka thyer xhamat, ka shkaktuar dëme edhe në bujqësi, disa serra i ka dëmtuar shumë. Fatmirësisht dëme në njerëz nuk kemi” – tha për KALLXO.com kryetari i Komunës së Hanit të Elezit.

Pjesë të ndryshme të vendit janë përballur me mot të lig, kryesisht me reshje të mëdha dhe të shpejta të shiut, por edhe me erëra të forta.

Nga erërat e forta, sipas drejtorit të Emergjencave të Komunës së Prishtinës, Lulzim Fushtica, janë rrëzuar skelet afër një ndërtese banimi, me ç’rast janë dëmtuar disa vetura.

KALLXO.com ka publikuar pamje të dëmtimit të veturave nga breshri.