Policia e Kosovës duke ruajtur objektin e Qeverisë së Kosovës në protesta, Foto: KALLXO.com

24 vjetori i Policisë së Kosovës gjen policët pa sigurim shëndetësor e jetësor

Sot po festojnë 24 vjetorin e organizatës në të cilën ata punojnë, ndonëse për punën e tyre që është ndër më të rrezikshmet, nuk kanë as sigurim shëndetësor e as jetësor.

Janë policët e Kosovës ata që çdo ditë janë në vijë të parë të frontit për të luftuar krimin, e që nga themelimi i Policisë së Kosovës gjatë punës së tyre në detyrë ranë gjithsej 22 policë.

Të shumta kanë qenë premtimet për të përmirësuar kushtet e punës së policisë, e pjesëtarëve të kësaj të fundit sa e sa herë iu premtua sigurimi shëndetësor e jetësor.

Mirëpo, edhe pas 22 policëve të rënë në detyrë, ende asnjë rezultat.

“Njëjtë sikurse Policia e Kosovës na japin neve siguri, edhe ne duhet t’u japim zyrtarëve policorë sigurimin jetësor e shëndetësor si një e drejtë e garantuar për punën e tyre të rëndësishme por edhe nën rrezik” – thuhet në listën e prioriteteve që pati Lëvizja Vetëvendosje, partia që është në pushtet.

E për çështjen e këtij sigurim, sot u pyet ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili doli në ekspozitën e pajisjeve që patën policia me rastin e 24 vjetorit të tyre.

“Të gjitha këto janë në kuadër të angazhimeve tona për të plotësuar jo vetëm për Policinë e Kosovës, por për të gjithë’.

Ndonëse ministrit iu kujtua që edhe më pak se dy vite i përfundon mandatin, ai nuk ktheu përgjigje më të gjatë për këtë çështje.

Me Ligjin e ri të pagave, policëve i dolën edhe probleme të reja. Atyre për një kohë nuk iu paguan edhe shtesat që i kanë të përcaktuara me ligj, e sipas organeve kompetente kjo çështje është ende në proces.

Sveçla gjatë prononcimit të tij u sfidua edhe për këtë pjesë, ai tha se janë duke u përpjekur që policia, dhe jo vetëm, të kenë mbështetjen e duhur institucionale.

“Ne jemi duke bërë të gjitha përpjekjet që jo vetëm Policia e Kosovës të ketë mbështetjen e duhur, qoftë nga qeveria qoftë edhe nga institucionet tjera” – tha ai.

Tutje i pari i MPB-së tha se ka përmirësime të ndjeshme brenda PK-së, duke shtuar se përmirësimet shihen në pajisje, në mjete, në logjistikën e tyre të përgjithshme.

“Ka përmirësime edhe në të ardhura, në beneifite të tjera, por pa tjetër se ka hapësirë për të bërë më shumë” – tha ai.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Ai uroi të gjithë policët për 24 vjetorin e kësaj force të sigurisë, duke thënë se kjo ditë shënon edhe një ringjallje të shpresës për fillim të zbatimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas Hoxhës, qëllimi i ekspozimit të pajisjeve është që qytetarët të ndjehen të sigurt që këto pajisje janë për të garantuar rend dhe ligj dhe nuk kanë nevojë të frikësohen nga policia.

Hoxha shtoi se nga Policia e Kosovës, duhet të frikësohen vetëm ata që janë e bëjnë vepra në kundërshtim me ligjin.