Projekti për ‘Çarshinë e Madhe’ në Gjakovë pritet të prezantohet sot

Ministria e Kulturës dhe Turizmit (MKT) do të organizojë sot, më 27.03.2026, një takim dhe një ekspozitë lidhur me panin për “Çarshinë e Madhe” në Gjakovë.

Sipas MKT-së, takimi dhe ekspozita “Gjurmimi i rrënjëve të Gjakovës”, mbahet në kuadër të projektit për hartimin e planit të konservimit të tërësisë urbanistike “Çarshia e Madhe” në Gjakovë.

Sipas njoftimit të MKT-së ky takim, ku ftohen për pjesëmarrje edhe qytetarët edhe ekspozita do të mbahet nga ora 10:00 deri më 16:00 në Galeria e Arteve në Pallatin e Kulturës në Gjakovë .

“Takimi synon të identifikojë vendet dhe shënjuesit me të rëndësishëm në qytet, në lagjet dhe komunitetet tuaja, si dhe të mbledhë kujtimet dhe përvojat që lidhen me to”- thuhet në njoftimin e MKT-së në Facebook.

Në të njëjtën kohë, sipas MKT-së ekspozita e fotografive do të pasqyrojë zhvillimin e qytetit ndër vite, shpërndarjen hapësinore sipas funksioneve kryesore në periudha të ndryshme, si dhe marrëdhënien e njerëzve me mjedisin fizik.

Ky projekt, i bashkëfinancuar nga MKT me mbështetje teknike nga UN-Habitat Kosovë, synon integrimin e trashëgimisë kulturore në planifikimin hapësinor për një zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës.