Rama reagon pas vendimit shkallës së dytë të komerciale për kompleksit afaristo-banesor në lagjen “Lakrishte”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas vendimit të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale e cila ka kthyer në rigjykim çështjen e ndërtimit të kompleksit afaristo-banesor në lagjen “Lakrishtë” në Prishtinë.

Sipas Përparim Ramës, vendimi i Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale përbën një konfirmim të plotë të drejtësisë dhe të angazhimit të Kryeqytetit për mbrojtjen e pronës publike.

Ky vendim, ka thënë ai vërteton edhe njëherë se rruga që kemi ndjekur për 4 vjet ka qenë e drejtë, ligjore dhe në interes të qytetarëve të Kryeqytetit.

“Përmes përfaqësimit tonë institucional në NPB (Ndërmarrja Publike Banesore) dhe përmes Zyrës Ligjore të Komunës së Prishtinës, kemi insistuar vazhdimisht dhe pa kompromis se kontrata ndërmjet NPB-së dhe investitorit ka qenë e paligjshme dhe e dëmshme për interesin publik” – ka shkruar ai.

Sipas tij, këtë e vlerësim e konfirmon edhe Gjykata Komerciale.

“Komuna e Prishtinës, ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë dhe proceduralë, duke hartuar dhe mbështetur padinë për prishjen e kësaj kontrate të dëmshme. Zyra jonë Ligjore ka vepruar me profesionalizëm të plotë, duke parashtruar kërkesë zyrtare për t’u bërë palë e interesuar në proces, me qëllimin e vetëm dhe të qartë: prishjen e kontratës së dëmshme për qytetarët e Prishtinës dhe kthimin e pronës publike te qytetarët”- ka shkruar ai Rama në Facebook.

Vendimi i Gjykatës, sipas Ramës është një mesazh i qartë se interesi publik nuk negociohet, se ligji do të mbrohet dhe se Prishtina do të qeveriset gjithmonë në funksion të qytetarëve të saj.

Dhoma e Shkallës së dytë e Gjykatës Komerciale të Kosovës ka rrëzuar aktgjykimin e shkallës së parë të 24.07.2025, të kësaj gjykate me të cilën Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) ishte detyruar kundërligjshëm të zbatojë një kontratë të skaduar me një konsorcium të kompanive private.

Faton Fetahu, në cilësinë e avokatit të NPB-së, njoftoi më 30.01.2026, përmes një postimi në Facebook, se Gjykata e shkallës së dytë ka konstatuar shkelje serioze ligjore, ka prishur siç ka thënë ai vendimin e kundërligjshëm dhe e ka kthyer çështjen në rivendosje, duke dhënë udhëzime të qarta për mbrojtjen e interesit publik dhe pronës komunale.

Ky vendim, sipas Fetahut i jep fund një tentative të rrezikshme për të realizuar një kontratë të dëmshme, e cila do t’u siguronte operatorëve privatë mbi 60 mijë metra katrorë prona publike për ndërtimin e pesë kullave shumëkatëshe afariste, me fitime enorme dhe me dëm të drejtpërdrejtë për qytetarët e Prishtinës.

“Edhe pse konsorciumi privat kishte kërkuar jo vetëm përmbushjen e kontratës, por edhe dhjetëra milionë euro dëm material dhe fitim të humbur, Gjykata Komerciale e Shkallës së Parë e kishte detyruar NPB-në të zbatojë një kontratë që asnjëherë nuk kishte hyrë në fuqi. Gjykata e Shkallës së Dytë, me të drejtë, konstatoi se një vendim i tillë nuk ka bazë ligjore”- ka njoftuar ai.

Sipas tij, nëse ky vendim nuk do të rrëzohej, pasojat financiare për buxhetin publik do të ishin enorme, me kërkesa që shkonin mbi 100 milionë euro, përfshirë kamatën ligjore.

Gjykata Komerciale me 24.07.2025 pat nxjerrë një aktgjykim me të cilën kishte provuar padinë e tre kompanive private, të cilat kishin paditur NPB-në, duke kërkuar zbatimin e kontratës për ndërtim të një kompleksi afaristo-banesor me kompani private, në tokën e Komunës në lagjen “Lakrishte”.

Projekti ishte pezulluar kohë më parë, për shkak të dyshimeve se si kishte rrjedhur procedura. Ndërsa për të kishte pasur edhe aktakuzë për 8 ish-zyrtarë të lartë të NPB-së, por që Gjykata kishte hedhur poshtë aktakuzën, me arsye të mungesës së provave.

Ndaj vendimi të Dhomës së Shkallës së parë të Gjykatës Komerciale kishte reaguan edhe Komuna e Prishtinës.

KALLXO.com qysh në nëntor të vitit 2021 kishte raportuar për mënyrën e dyshimtë se si ishin zgjedhur kompanitë për investim dhe si kishte rrjedhur në tërësi procedura për nënshkrimin e kontratës.

Prokuroria Speciale në qershor të vitit 2024 kishte ngritur aktakuzë për korrupsion pikërisht për projektin në fjalë, kundër tetë ish-zyrtarëve të lartë të NPB-së, konkretisht kundër ish-anëtarëve të Bordit të Drejtorëve Lendita Myderrizi, Bekim Pireva, Arbnora Jashanica dhe Xhevdet Leci, kundër ish kryeshefit Hajdar Hoxhajt, si dhe kundër ish-aksionarëve të ndërmarrjes Dren Kukajt, Vesel Makollit dhe Genc Sherifit.

Aktakuza ishte hedhur poshtë në prill të vitit 2025 nga Gjykata Themelore, për mungesë të provave, ndërsa Prokuroria Speciale ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.I

sh-anëtarët e Bordit të Drejtorëve, Muderrizi, Pireva, Jashanica dhe Leci dyshoheshin se me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për personat e tretë e në dëm të pronës publike, kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që, me datë 21.11.2020 kanë marrë vendim për miratimin e “Rregullores për Rritjen e Pasurisë së Paluajtshme të NPB-së përmes Ndërtimit”, duke qenë në dijeni, sipas Prokurorisë, se kjo rregullore nuk ka bazë ligjore.

“Realizimin e këtij projekti e kanë mundësuar po ashtu duke u pajtuar shprehimisht në takimin e datës 22.04.2021, që draft-marrëveshja kryesore për bashkë-investim, pra kontrata, ta referojnë te Bordi i Aksionerëve për aprovim, në bazë të së cilës kontratë në mënyrë të kundërligjshme kanë mundësuar që prona publike e destinuar për interes publik, të tjetërsohet në pronësi private” – thuhej në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Ndërsa ish-kryeshefi Hajdar Hoxhaj, dyshohet se ka lidhur kontratën për të cilën e ka ditur se është e dëmshme për ndërmarrjen, “i ka shkaktuar dëm NPB-së dhe Komunës së Prishtinës si aksionare 100% të kësaj ndërmarrje, përmes tjetërsimit të paluajtshmërisë e cila pasuri në bazë të ligjit mund të përdoret vetëm për interes publik”.

“… me 17.05.2021 në cilësinë e kryeshefit ka nënshkruar kontratën/marrëveshjen kryesore për bashkë-investim me kompanitë private, të cilën e ka noterizuar te Noteri, edhe pse ka qenë në dijeni se kontrata në fjalë ishte e dëmshme për NPB-në, duke qenë se përmes kësaj kontrate mundësohej që prona t’i jepen bashkë-investitorit të përzgjedhur të kompanive private në tërësi në shfrytëzim të përhershëm” – thuhej në aktakuzë.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, po ashtu thuhej se Dren Kukaj, Genc Sherifi dhe Vesel Makolli në cilësinë e anëtarëve të Bordit të Aksionarëve të NPB-së, “me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për personat e tretë, në dëm të pronës publike, kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që fillimisht me datë 15.01.2021 në kundërshtim me Ligjin për Shoqëritë Tregtare, kanë ndryshuar Statutin e NPB-së, me qëllim që të njëjtin t’ia përshtatin procesit lidhur me Projektin për ndërtim në lagjen Lakrishte”.

Në aktakuzë gjithashtu thuhej se në Statutin e ri të NPB-së, ndryshojnë nenin 7 që parasheh fushë-veprimtarinë e NPB-së, duke vënë si aktivitet primar ndërtimin e objekteve banesore dhe jo-banesore.

Rrëzohet vendimi i shkallës së parë të Gjykatës Komerciale për projektin banesorë në pronën e NPB-së