Arkiv - Ilustrim

Raporti: Bombardimet e forcave ajrore sudaneze vranë qindra persona në qytete, tregje e shkolla

Forcat ajrore sudaneze kanë kryer bombardime në të cilat 1.700 civilë janë vrarë në sulme mbi lagje të banueshme, tregje, shkolla dhe kampe për personat e zhvendosur, është bërë e ditur në një raport hulumtues sulmeve ajrore që po kryhen në luftën civile të vendit, ka raportuar të martën (09.12.2025) BBC.

Projekti “Dëshmitari Sudanez” ka bërë të ditur se ka përpiluar databazën më të madhe të sulmeve ushtarake në konflikt, që nisi në prillin e vitit 2023.

Raporti tregon se forca ajrore ka përdorur bomba pa precizitet në rajonet e populluara.

Të dhënat janë fokusuar në sulmet e kryera prej aeroplanëve luftarakë, që mund t’i operojë vetëm Forca e Armatosur Sudaneze (SAF). Rivalja e saj, Forca e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) nuk posedon fluturake ushtarake. Ushtria ka lansuar sulme ajrore, por dronët nuk janë përfshirë në raportin hulumtues.

RSF-ja është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare pas kryerjes të dyshuar të masakrave etnike në rajonin perëndimor sudanez, Darfur, duke nxitur Shtetet e Bashkuara ta akuzojnë për gjenocid.

“RSF-ja është përgjegjëse për për shumë dëme dhe shkelje, dhe mendoj se është e drejtë të thuhet kështu”, ka deklaruar Mark Snoeck, i cili e kryeson projektin. “Por mendoj se edhe SAF-i duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e veta”.

SAF-i nuk i është përgjigjur kërkesës së BBC-së për komentim të përmbajtjes së raportit. Më parë kishte akuzuar RSF-në për krime dhe masakra masive në rajonet e përfshira në luftime.

“Dëshmitari Sudanez” është nismë e Qendrës për Reziliencë Informacioni (CIR), grup joprofitabil që angazhohet për ekspozimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Për projektin e saj është financuar nga Ministria e Jashtme britanike. 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com