Ilustrim. Burimi: Faqja zyrtare e Komunës së Helsinkit
Shtytja e kushtueshme për çiklizëm në Helsinki shkakton tollovi e kritika
Kryeqyteti i Finlandës, Helsinki, ka shpenzuar miliarda euro për transportin publik dhe shtigjet e biçikletave – dhe planifikon edhe më shumë investime – pavarësisht reagimeve të përziera nga banorët, ka raportuar të mërkurën (13.05.2026) Reuters.
Në prill, rreth 50 mijë persona dolën për hapjen e një ure piktoreske prej 1.2 kilometrash – më e gjata në Finlandë – që lidh qendrën e qytetit me ishujt e afërt dhe është e rezervuar për këmbësorë, çiklistë dhe tramvaje.
Por të tjerët nuk është se janë impresionuar nga mungesa e korsive të makinave dhe çmimi prej 326 milionë eurosh, i cili mbulon njashtu dy ura ngjitur dhe investimet në tramvaje, përveç miliardave të shpenzuara tashmë në dekadën e fundit për infrastrukturën e transportit dhe çiklizmit.
“Ashtu si me të gjitha projektet e zhvillimit urban, gjithmonë ka njerëz që e kundërshtojnë dhe njerëz që e mbështesin… Argumenti më i madh për kundërshtimin e kësaj ure ishte çmimi i lartë i saj”, ka deklaruar për Reutersin kreu i ekipit të trafikut të biçikletave në Helsinki, Oskari Kaupinmaki.
Helsinki ka rreth 1.300 kilometra shtigje biçikletash, përfshirë 100 kilometra “rrjet superautostradash për biçikleta”, të cilin qyteti planifikon ta zgjerojë me 80 kilometra të tjera deri më 2029, ka shtuar Kaupinmaki.
Megjithatë, deri më tani investimet nuk e kanë nxitur çiklizmin në kryeqytetin nordik në bregdetin baltik, ku dimrat janë të ashpër dhe erërat shpesh janë të forta. Pjesa e transportit me biçikleta ka mbetur e pandryshuar në afërsisht 9%–11% që nga viti 2010, ka njoftuar Kaupinmaki.
“Arsyeja për këtë është se ende nuk e kemi përfunduar rrjetin”, ka theksuar ai.
Projekte të tjera përfshijnë zgjerim të madh të rrjetit të tramvajit dhe planin e miratuar javën e kaluar për mbylljen e njërës nga rrugët qendrore përpara stacionit kryesor hekurudhor për makinat, duke iu dhënë përparësi këmbësorëve, çiklistëve dhe transportit publik.
Asamblisti lokal, Marcus Rantala, kundërshtari më i madh i urës, ka theksuar se “ka kritikuar çmimin e projektit dhe realizmin e buxhetit”, i cili vazhdoi të rritej me kalimin e viteve, por e ka pranuar se ishte i kënaqur me rezultatin “mbresëlënës”.
Ngjashëm mendon edhe Johanna Jarvinen, muzikante dhe çikliste, e cila jeton në një ishull që urat e reja tani e lidhin me qendrën e qytetit.
“Në verë, kur ka më pak erë, do të jetë rreth 10 minuta larg udhëtimit tim për në punë, kështu që (kjo është) shumë mirë”, i ka thënë ajo Reuters.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com