Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve - Vdes viktima, pranohen tre famijarë tjerë si viktima

Në shqyrtimin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, janë pranuar edhe tre persona të tjerë si viktima në këtë proces gjyqësor.

Kjo u bë e ditur nga faqja zyrtare e Dhomave të Specializuara, ku thuhet se është miratuar kërkesa e mbrojtësit të viktimave Simon Laws, për të lejuar tre anëtarë të ngushtë të familjes së njërës prej viktimave, që ka ndërruar jetë së fundmi, që të marrin pjesë si viktima në këtë proces gjyqësor.

Deri më tani, numri total i viktimave në këtë çështje gjyqësore arrin në 143.

Versionin publik të redaktuar, në gjuhën angleze të këtij vendimi mund ta gjeni KËTU.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 143 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.
Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.