Rama: MAPL dhe MF po bllokojnë projektet e Komunës së Prishtinës

Më 8 qershor të këtij viti, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka shkarkuar anëtarët në komisionet e aksionarëve të dhjetë ndërmarrjeve publike lokale.

Në votim kanë marrë pjesë vetëm partitë opozitare. Gjithashtu edhe në sallë nuk ka qenë prezent asnjë anëtar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

Emrat e aksionarëve që janë shkarkuar kanë qenë nga këto dy parti.

Partitë opozitare me 26 vota zgjodhën edhe emrat e rinj për këto pozita.

Për këtë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një intervistë për emisionin ‘Kallxo Përnime’, tha se kryesuesi i Kuvendit e ka shfrytëzuar këtë për nevoja personale.

“Kjo normal që nuk ka zgjatur shumë dhe është marrë menjhëerë vendimi tjëtër i shfuqizimit të kryesuesit faktikisht, kështu që Asambleja prapë e ka shumicën me aksionarët ekzistues. Këtë vendim e ka marrë Asambleja dhe e kemi situatën tjetër ku shumica janë 28 asamblistë, e cila e krijon një shumicë të re që është më e fokusume ose më e fortë, d.m.th. nuk është 26-25 ku njëri ka pasur mundësi të bëjë ndryshime të themi për çështje personale sepse u pa” – tha Rama.

Ndërsa më 27 qershor të këtij viti, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka shkarkuar kryesuesin e tij, Fehmi Kupina.

Me 27 vota për dhe 1 kundër u miratua propozimi për shkarkim të Fehmi Kupinës.

Ministria e Financave ka bërë alokimin e mjeteve vetanake të Komunës së Prishtinës, ndonëse në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është ankuar se ky dikaster po e bllokon zhvillimin e kryeqytetit duke mos i lëshuar mjetet.

“Konfirmoj se dje me dt. 25.07.2023 është bërë alokimi i mjeteve/ të hyrave vetanake të komunës nga Ministria e Financave _ Departamenti i Thesarit” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në këtë intervistë ka akuzuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe atë të Financave se po e vonojnë procesin e alokimit të këtyre mjeteve.

Rama ka thënë se ka tendenca nga këto dy dikastere për bllokim të punëve.

“Kemi vendime të cilat i kemi marrë në Asamble, të cilat në një anë janë thirrur të jashtëligjshme nga MAPL-ja mirëpo faktikisht janë të ligjshme” – tha Rama.

Rama ka shtuar se Ministria e Financave i ka bllokuar kryeqytetit mbi 180 projekte.

“Përkundër faktit që kemi parë një konsensus që këto fonde do të barten nga MF-ja kjo ende nuk ka ndodhur, pra për 50 centë shembull, nëse i harxhojmë, gjejnë arsye teknike, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me menaxhim të fondeve publike, për me i ndalë këto fonde, pra më shumë se 180 projekte ende rrinë peng i disa qasjeve teknike” –  ka thënë kryetari i Prishtinës.

Ai më tej ka shtuar se e njëjta gjë ka ndodhur edhe vitin e kaluar.

“Jemi në muajin korrik, dhe vitin e kaluar një pjesë e mjeteve janë bartur tek në muajin nëntor. Përkundër faktit që vitin e kaluar kemi pasur edhe ngritje të çmimeve, edhe shkëputje të kontratave, kemi kërkuar qysh vitin e kaluar nga ministri i Financave të bëjë ndryshimin e ligjit për kontratat, nuk e ka bërë këtë, e ka bërë tek në nëntor edhe aty me një proces shumë të komplikuar edhe tash kur me i harxhu fondet nëse ndodh në nëntor” – thotë Rama.

Ai thotë tutje se 28.8 milionë euro projekte janë të lidhura me këto fonde që s’po i lëshon Ministria e Financave.

Rama ka folur edhe për projektin e unazës së qytetit, me ç’rast ka thënë se për shkak të këtyre fondeve që nuk po i lëshon Ministria e Financave nuk po mund të fillojë me punën.

“Ne e kemi projektin e përfunduar, tash duhet filluar me dizajnin final të projektit e kjo e kërkon kërkesën prej ministrit Murati, për me shku në fazën tjëtër” – tha kryetari i Prishtinës në intërvistë në emisionin “Kallxo Përnime”

Pse kryeministri Kurti s’po e takon kryetarin e Prishtinës?

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ka kohë që kërkon nga kryeministri Albin Kurti takim zyrtar por se ky i fundit nuk e ka pranuar asnjëherë.

Rama në intervistën dhënë për emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se është normale që një kryeministër të takohet me kryetarin e kryeqytetit dhe të diskutohet për zhvillimin e Prishtinës.

“Përveç eventeve asnjeherë nuk jam takuar me të. Kam kërkuar disa herë por që nuk më ka pranuar. Një kryetar i kryeqytetit me kryeministrin është normale që të takohen të diskutojnë për çështje të ndryshme, por nuk e di pse ende s’jemi takuar” – ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se vetëm për festivalin “Suny Hill” janë takuar por, sipas tij, kjo ka qenë vetëm një pikë.

“Që nga atëherë s’kemi takime. Ndoshta që ka punë më të rëndësishme por edhe kryeqyteti ka një rëndësi të madhe, ka mundësi që s’jam i Vetëvendosjes, s’po takohet me mua, nuk e di, por kjo nuk duhet të jetë arsyetim për mostakim me mua” – tha ai.

Ai ndër tjerash ka shtuar se mund të jetë edhe mbiemri Rama mund të jetë arsye për mos takim.

“Ndoshta kryeministri ka probleme me mbiemrin Rama” tha ai

Bashkimi i disa lagjeve të Prishtinës, premtim i kryetarit Rama

Rama është pyetur edhe për premtimet që i ka bërë gjatë fushatës zgjedhore, siç ishte bashkimi i disa lagjeve.

Ai tha se bashkimi i lagjës së Emshirit dhe Dardanisë, ka filluar si projekt.

“Projekti është dizajnu, fizibiliteti është duke u bërë i nënkalimit mes “Dardanisë” dhe “Emshirit”, kështu që jemi në proces, fizibiliteti kryhet deri në shtator, ideja është që koston ta kemi deri në shtator që ta fusim këtë shumë për vitin e ardhshëm”, tha Rama

Bashkimi tjëtër i lagjevë është ai i “Arbërisë”, me qendrën e qytetit, ku për këtë Rama tha që është projekt që lidhet me ministrinë e Kulturës.

“Në këtë pjesë është planifikuar të vendoset salla e baletit dhe operës dhe si pjesë e kësaj një kërkesë që e kemi bërë, ua kemi dhënë parcelën që ti bëjnë këto dy institucione aty dhe kërkesa ka qenë që pika zero të jetë pika ndërlidhëse mes Pallatit të Rinisë dhe Arbërisë. Ministria e Kulturës është duke i shiku, projektet të cilat kanë përfundu dmth me zgjedh fituesin e projekteve, ku për fat të keq unë kam kërkuar që të jem pjesë e jurisë por ministria e Kulturës nuk e ka parë të rendit që të jem pjesë e jurisë”, tha Rama

Rama ka folur edhe për projektin e rrugës para kuvendit të Kosovës.

“Ka dal projekti i kësaj zone paralelisht jemi duke i bërë analizat me UN Habitat për krejt këtë zonën e vjetër pra janë tri projekte që janë duke ndodhur paralelisht për përmbushjen e këtij premtimi. Tashmë e kemi bërë pastrimin e zonës që ka qenë AKP-ja, pra deri në fund të vitit të ardhshëm ne do ta transferojmë tregun në këtë pjesë”, thotë Rama

Në fillim të qershorit, oti i ligë ka përfshirë kryeqytetin, ku brenda pak minutave rrugët u vërshuan si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm dhe erërave të forta.

Edhe për këtë në emisionin “Kallxo Përnime”, ka folur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ku tha se projektet deri më tani janë bërë vetëm ‘shkel e shko’.

“Ndërtimet kanë filluar pa projektim, për këtë edhe e kam potencu faktin që neve na vyn arkitekti i qytetit, kërkah s’ka kanalizime dhe tash krejt rrugët bëhen si lum psh te stacioni i autobusëve, pa pas kanalizime në asnjërën anë. Tash ne duhet me i zgjidh të gjitha. Jemi duke e bërë skanimin e gjendjes ekzistuese të qytetit nër tokë”, tha Rama

Mbeturinat në kryeqytet, sfidë për krejt qeverisjet

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se prej që ka ardh në qeverisje të komunës, kjo qështje ka ndryshuar.

“E kemi pasur një kompani me shumë se 2.5 milionë euro borxhe. E kemi pas një kryeshef që e ka fut këndo e ka rëndu këtë kompani me punësime të ndryshme dhe e kemi pas një kompani që ka qenë në minus ndërsa këtë vit i ka +520 mijë euro. DMTH, prej 2.5 milionëve borxhe e kemi zbrit në 1.5 milionë”, tha ai

Ndër tjerash në emisionin “Kallxo Përnime”, ai ka shtuar se janë në procedura për blerje të kamionëve të rij.

“Edhe 1 mijë e 400 kontejner janë në proces për me ardh në kryeqytet”, tha Rama

Uzurpimi i hapësirave publike është një tjëtër problem në kryeqytet ku kryetari Rama tha se tashmë kanë filluar me lirimin e këtyre hapëisrave.

“Kjo është në të gjitha pjesët e qytetit, kjo do të bëhet në vazhdimsi, edhe në lagjën Dardani, disa pjesë tashmë janë bërë mbi kurriz”, tha Rama

Ndërsa sa i përketë transportit, kryeqytetit shumë shpejt do ti shtohen edhe 30 autobusë të rinj.

“Trafiku urban me GIZ-in janë duke e bërë planifikimin e transportit urban për riorganizim dhe kjo është në përfundim. Plus do ti sjellim edhe 50 të tjerë elektrik që do të jenë më të vegjël si kombibusë që do të mund të hyjnë nëpër zona më të ngushta”, tha Rama

“Këta autobusë dhe kombibusë do të vijnë deri më 2024”, tha Rama

Ai ka shtuar se komplet sistemi i transportit do të digjitalizohet.

Parkingjet jashtë qytetit të Prishtinës, janë të boshatisura e për të cilat, Rama tha se ndërlidhen me organizimin e transportit publik.

“I kemi caktuar të gjitha pikat e parkingjeve jashtë Prishtinës e të cilat lidhen drejtpërdrejt me sjelljen e autobusëve të rinj”, tha kryetari i Prishtinës

Shkollat në kryeqytet ankohen për gjendjen e tmerrshme të tualeteve

Shkolla “Ismail Qemajli” dhe “Pavarsia”, drejtues të tyre kanë thënë se ka vite që gjendja e tualeteve është e tmerrshme e që nuk është ndërmarr asnjëherë asgjë.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka thënë se për shkollën ‘Pavarsia’, është duke filluar ndërtimi i një aneksi.

“Për sa i përketë tualeteve e kemi një problem akut këtu me proceset e prokurimit, ku kompanitë që e qesin në OSHP, njëra-tjetrën dhe e pamundësojnë zgjedhjen e një kompanie për me e kry shërbimin e higjienës nëpër këto shkolla”, tha Rama

Ai ka shtuar se edhe mund të mbyllen shkollat nëse nuk ka një standard të higjienës.

Përparim Rama: Nga shtatori në Prishtinë do të fillojë mësimi gjithëditor në tri shkolla

“Në shtator do të fillojë mësimi gjithëditor në tri shkolla të kryeqytetit”.

Kështu tha kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai ka shtuar se kjo është vetëm pjesë e procesit për transformimin e të gjitha shkollave të kryeqytetit.

“Katër vitet e para po synojmë që një numër i madh i shkollave me tentu që 50% e tyre me qenë me mësim tërëditor edhe po e fillojmë prej shtatorit, edhe ndërtimi i shkollave të reja do të na ndihmojnë lidhur me këtë projekt, sepse kemi edhe mundësi të tjera edhe për 2 mijë e 500 nxënës të rinj” – ka thënë Rama.

Ai ka thënë se janë duke punuar gjithashtu që shkollat e kësaj komune shumë shpejt të pajisen edhe me televizorë të mençur (smart tv).

“Tash e kemi një tender me smart tablets. Ideja është që të digjitalizohen të gjitha shkollat deri në fund të mandatit” – tha Rama.

 

linku i emisionit :