Armët e grupit terrorist serb që janë konfiskuar nga Policia e Kosovës në Banjskë të Zveçanit Foto: KALLXO.com

Ministri Maqedonci: Serbia rrezik për rajonin e Europën nëse ka fabrika që shet armë pa dijeninë e shtetit

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se dëshmi e shtetit të Kosovës që grupi terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë është i mbështetur nga shteti serb është pikërisht lloji i armëve të përdorura.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se këto armë që i janë gjetur këtij grupi nuk mund të shiten në një treg normal.

“Armë si M80, antitanku që i janë gjetur grupit terrorist, nuk mund të shiten në treg normal, pra nuk është armë individuale, pra që të shitet kjo armë kërkon një aprovim nga shteti. Është e pamundur që të blihet kjo armë në mënyrë të rregullt pa aprovimin politik të Ministrisë së Mbrojtjes për t’u shitur si armë sepse konsiderohet me rrezikshmëri të lartë” – tha Maqedonci.

Ai ka shtuar se këto armë janë të prodhuara nga fabrika “Sloboda”, që është fabrikë shtetërore serbe.

“Shumica e armatimit ka qenë e prodhuar në fabrikat shtetërore të Serbisë, në fabrikat që prodhojnë për ushtrinë serbe dhe në ato që shesin me leje të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë. Në këtë rast ka qenë e pamundur që këto armë të bien në duar të një grupi” – tha ministri i Mbrojtjes për “Kallxo Përnime”.

Ai ndër të tjera ka shtuar që nëse ky grup nuk do të ishte i kontrolluar nga shteti serb, atëherë Serbia do të konsiderohej si vend që përbën rrezik për regjionin dhe Europën.

“Nëse ky grup nuk ka qenë i dirigjuar nga shteti serb dhe nëse fabrikat në Serbi prodhojnë dhe shesin armë të cilat shteti serb nuk mund t’i kontrollojë unë vlerësoj që Serbia do të klasifikohet një vend me rrezikshmëri të lartë që prodhon terroristë dhe përbën rrezik për regjionin dhe Evropën” – tha Maqedonci.

Megjithëkëtë ai thotë që nuk e beson këtë teori që Serbia nuk e di se çfarë ndodh në territorin e saj.

Ndryshe, më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.

Krejt çka ndodhi dje në veri