LAJMI I FUNDIT - Policia KS2
Krejt çka ndodhi dje në veri
00:01 – Kurti: Operacioni në veri po vazhdon
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se operacioni në Banjskë të Zveçanit është ende duke vazhduar.
Kurti në platformën X, ka shkruar se deri më tani Policia ka konfiskuar qindra armë dhe municione, duke përfshirë dhe mitralozë.
“Në operacionin e sotëm kundër terroristëve të armatosur. Policia e Kosovës konfiskoi qindra armë dhe municione, duke përfshirë pajisje të rënda ushtarake si mitralozë, granata dhe më shumë. Policia jonë mbetet në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in. Operacioni po vazhdon” – ka shkruar ai.
In today’s operation against armed terrorists, @Kosovo_Police confiscated hundreds of weapons, and ammunition, including heavy military equipment such as machine guns, grenades and more. Our police remains in close co-ordination with KFOR & EULEX. The operation is ongoing. pic.twitter.com/PfyXJYIqNw
— Albin Kurti (@albinkurti) September 24, 2023
22:23 – Mitralozi i veçantë që u kap në veri
Policia e Kosovës gjeti arsenal armësh në veriun e vendit sot pas një aksioni në Banjskë të Zveçanit.
Në orët e para të mëngjesit u vra një polic i forcave të rendit dhe u plagos një tjetër.
Në fotografitë që siguroi KALLXO.com shihet edhe një mitraloz prodhim i Zastava.
Ky tip i armës shërben për gjuajtje nga distanca të largëta, e veçanta e tij është edhe rezervat e mëdha të municionit.
Gjatë aksionit, Policia gjeti edhe armë të tjera të rënda, si zolla e lloje të tjera të armëve.
22:15 – Ambasadori Hovenier ndez çirinj në nderim të policit Afrim Bunjaku
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, bashkë me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar kanë ndezur çirinj në nderim të policit të Kosovës, Afrim Bunjaku i cili u vra në Banjskë të Zveçanit nga grupi terrorist.
Hovenier ka shprehur ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe kolegëve të policit.
Sonte në disa qytete të Kosovës janë ndezur çirinj në nderim të policit të Kosovës, Afrim Bunjaku i cili u vra në Banjskë të Zveçanit nga grupi terrorist.
21:46 – Vuçiq: Mund të na vrisni të gjithëve po të doni, nuk do ta njohim kurrë Kosovën e pavarur
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën si një shtet i pavarur “as formalisht, as joformalisht”.
Në një konferencë për media, Vuçiq u shpreh se “mund të na vrisni të gjithëve, Serbia nuk do ta njoh kurrë Kosovën si shtet i pavarur”.
“Mesazhi im më i rëndësishëm është se ne kurrë nuk do ta njohim Kosovën e pavarur. Mund të na vrisni të gjithëve. Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën e pavarur! Ne jemi gati dhe flasim gjithmonë, por harrojeni njohjen e Kosovës”- tha Vuçiq.
“Një është e sigurt, Kosova asnjëherë nuk do të fitoj pavarësinë nga Serbia, të huajt le të vazhdojnë punën e tyre e ne do të marrim vendimet tona këto ditë gjithë ditën kishim diskutime të rënda dhe analiza dhe sonte nuk kemi dal me konkluzë për vendimet si do të mbrojmë qytetarët e Serbisë do të ju njoftojmë”- shtoi ai.
21:41 – Prokuroria Speciale jep bilancin e të arrestuarve dhe armëve që u konfiskuan sot në Banjskë
Prokuroria Speciale ka konfirmuar se janë ndaluar gjashtë persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Me aktvendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, të ndaluarit dërgohen në mbajtje për 48 orë.
Po ashtu, nga aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës, thuhet se janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme.
Sipas Prokurorisë, ata po dyshohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, ’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
21:26 – Gashi: Edhe në mure të Kishës ka pasur kuti me municione, kishte plan për luftime
Gazetari Kreshnik Gashi ka deklaruar se grupi i personave të armatosur që sulmuan policinë e më pas hynë në manastirin e Banjskës kishin qenë të pajisur me armatim për të zhvilluar luftime.
Sipas tij, tërheqja e tyre mund të ketë ndodhur pasi humbën përkrahjen dhe nuk e kanë pritur që do kishte pamje droni.
“Nga informacionet prej zonës atje janë konfiskuar rreth 20 makina, furgon të stërmbushur me mjete luftarake. Pra, makina që shumica janë pa tabela dhe nuk dihet të kujt janë. Nga persona që janë kryer bastisjet atje më është thënë se ka edhe makina që kanë qenë të regjistruara në Serbi, nga zona Panqevës. Bëhet fjalë për 20 zolla, minahedhës, pako me municion, mitraloz, numër të pallogaritur të kallashnikovëve”- ka thënë Gashi.
21:25 – Pjesëtari i grupit terrorist që po trajtohet në QKUK është Vladimir Toniq
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është duke u trajtuar njëri prej personave të plagosur në veri të vendit.
I njëjti dyshohet së është pjesë e grupit terrorist i arrestuar sot në veri të vendit.
KALLXO.com mëson se emri i tij është Vladimir Toniq.
Naser Syla, drejtor i Emergjencës në QKUK tha se i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.
“Në QKUK para gjysmë ore është sjellë një i plagosur i nacionalitetit serb, këtu i kemi kryer të gjitha ekzaminimet dhe gjendja tij për momentin është stabile, tash po pritet të fusim në sallë për trajtim të mëtutjeshëm” – ka thënë ai.
21:20 – Nesër ditë zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit.
Sipas njoftimit, zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Mëngjesin e sotëm, si shkak i situatës, presidentja Osmani ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën në New York, dhe qysh sot do të niset për në Kosovë.
21:17 – Policia: Intensiteti i sulmeve ndaj policëve ka rënë, por situata në Banjskë vazhdon të jetë e tensionuar
Policia e Kosovës ka njoftuar se situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar ndonëse intensiteti i sulmeve ndaj zyrtarëve policor ka rënë.
Njësitet policore gjatë kontrolleve në disa lokacione dhe në disa automjete që janë përdorur nga grupi terrosit për bllokimin e rrugëve kanë gjetur arsenal armësh.
“Sipas informacioneve fillestare bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov etj”- thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
21:09 – Policia tregon se çka u gjet te manastiri në Banjskë
Policia e Kosovës ka konfirmuar se nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale, në bashkëkoordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, kanë hyrë në objektet përcjellëse të manastirit të Banjskës.
Policia thotë se përderisa njësitet policore gjatë kontrollit në disa lokacione, objekte banimi dhe në disa automjete që janë përdorur nga grupi terrorist për bllokim të rrugëve, përfshirë automjetet që kanë qenë përreth manastirit në Banjskë, janë gjetur të mbushura përplot me arsenal armësh.
“Sipas informacioneve fillestare bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikovë, etj.”- thuhet në komunikatën e organeve të rendit.
Sipas Policisë, në orët e vona intensiteti i sulmeve ndaj zyrtarëve policorë ka rënë, por situata e sigurisë ende vazhdon të jetë e tensionuar.
20:27 – Vuçiq: Nuk dua ta arsyetoj vrasjen e policit, Kurti është organizatori kryesor i kaosit
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë se nuk dëshiron që ta arsyetoj vrasjen e policit të Kosovës në Branjska të Zveçanit, por ka tentuar të akuzojë autoritetet në Kosovë në lidhje me ngjarjet e sotme në Banjskë të Zveçanit..
“Nuk dua të arsyetoj vrasjen e policit, nuk kishte askush nevojë për këtë vepër, në veçanit jo për popullin serb, kur Kurti është organizuesi kryesor i kaosit në Kosovë”- tha Vuçiq.
Vuçiq u arsyetua për vonesën për t’u deklaruar për zhvillimet në veri të Kosovës duke thënë se i mori kohë për “ta kuptuar se çfarë ka ndodhur”.
“Na është dashur kohë që të kuptojmë vet se çka ka ndodhur ne Kosovë për të treguar të vërtetet dhe të përgatitemi për marrjen e vendimeve të duhura. Një grup serbësh nga Kosova dhe Metohi kishte vendosur 2 kamionë si barrikada në Banjska. Pastaj vjen Policia e Kosovës dhe mundohet të largoj dhe ndodh një përleshje dhe në përleshje vritet polici dhe plagoset një person tjetër. Në 8: 57 janë mbyllur pikat kufitare, ndërsa ende vazhdojnë të shtënat dhe përleshjet. Në 10:15 shqiptarët shpallin se 4 komunat në veri janë zonë e operacionit terrorist” – tha Vuçiq në konferencë për media.
Vuçiq tha se KFOR i ka dhënë krah Kurtit që “të merret me terrorist dhe të vret sa më shumë njerëz”
“Çfarë ka ndodhur?! Ndonëse çdo ditë kemi folur dhe kam tërhequr vërejtjen në Bruksel dhe Uashington për këtë, shumë pak nuk kanë dashur të dëgjonin serbët, pra jo nga Serbia qëndrore, por nga Kosova kanë nisur kryengritjen duke mos dashur të durojnë terrorin shqiptar. Që nga 3 tetori kur Kurti e ka larguar kolonelin Gjuriq, 62 herë është përdorur policia kundër serbëve. Vetëm pritej se kur do të provonin ata që ishin të përndjekur nga policia” – tha mes tjerash Vuçiq.
20:17 – Kurti: Kemi të bëjmë me një strukturë mercenare e përkrahur politikisht e financiarisht nga Beogradi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pasi ka ndezur qirinj para stacionit të Policisë së Kosovës në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku, ka thënë se ka dështuar përpjekja për destabilizimin e Kosovës nga Serbia.
Në një deklaratë për media Kurti ka thënë se bëhet fjalë për një strukturë mercenare e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht nga Beogradi zyrtar.
“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist i cili ka planifikuar dhe përgatitur gjatëkëtë çfarë ka ndodhur sot dhe që nuk paraqesin një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht nga Beogradi zyrtar”- deklaroi ai.
Kreu i ekzekutivit tha se ka qenë në fshatin Samadrexhë për ngushëllime tek familja e policit Bunjaku.
“Unë porsa mbërrina para stacionit të Policisë në Qendër nga fshati Samadrexhë ku ishim për ngushëllime tek familja e policit, Afrim Bunjaku dhe këtu me ndezjen e qiriut, secili prej neve e shtojmë një dritë të vogël, për shpirtin e madh të Afrim Bunjakut i cili me trimërinë dhe sakrificën e tij, ndriqoi rrugën e shtetit të së drejtës së Kosovës që nuk zmbrapset para asnjë krimineli e terroristi”- tha Kurti.
“Falënderoj qytetarët që kanë ardhë këtu për të bërë nderime dhe për të treguar se Afrimin e kemi afër në zemrat tona dhe se rruga e shtetit ligjor, rruga e kushtetutshmërisë, dhe e ballafaqimit me kriminelët e terroristët është rrugë që do të ndjeket nga të gjithë ne”- shtoi ai.
LIVE – Kush e organizoi dhe çka zbuloi policia në dhe rreth manastirit?
19:44 – Sveçla: Jemi duke punuar në identifikimin e personave brenda manastirit
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se aksioni i Policisë së Kosovës në manastirin e Banjskës në Zveçan është duke vazhduar ende.
Sveçla tha se Policia e Kosovës është në çdo cep të këtij territori ndërsa ka theksuar se janë duke punuar në identifikimin e personave brenda manastirit.
Ministri e quajti sulmin terrorist dhe sulmuesit grup terrorist, duke shtuar se disa nga pjesëtarët janë edhe pjesë e mbrojtjes civile.
“Ky është grup terrorist, duke qenë se kanë qenë të kyçur në akte terroriste. Policia e Kosovës është në çdo cep të këtij lokacioni aty ka në numër të pelegrinëve andaj jemi duke punuar që të identifikohen të gjithë do të punojmë që sulmuesit të mos infiltrohen si pelegrinë”- ka thënë ai.
Sveçla ka njoftuar se deri më tani janë gjashtë të arrestuar dhe së paku 3 të vrarë nga grupi i armatosur.
Ministri para gazetarëve ka thënë se aksioni i policisë po vazhdon.“Kemi gjashtë të arrestuar, dy nga ta të plagosur. Me uniformë dhe të armatosur dhe katër të tjerë që ishin në mbështetje të grupit me radiolidhje. Si dhe së paku tre sulmues të vrarë për të cilët janë duke u bërë procedurat e identifikimit. Me këtë rast Policia e Kosovës ka zbulu një sasi të jashtëzakonshëm të armatit. Lirisht mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë. Përgatitjet ishin që një kohë që në mënyrë masive të sulmojnë Policinë e Kosovës dhe institucionet e Kosovës dhe seriozisht ta rrezikojnë integritetin e Kosovës. Këta kanë dështuar falë sakrificës së Policisë së Kosovës”- tha ai.
19:41 – Kurti shkon për ngushëllime te familja e policit të vrarë në Zveçan
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shkuar në orët e mbrëmjes për ngushëllime tek familja e policit të vrarë në Banjska të Zveçanit, Afrim Bunjaku.
Kurti u deklarua para mediave duke thënë se dhembja është e madhe, por edhe krenaria është e jashtëzakonshme.
“Bashkë me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Blerim Gashanin dhe drejtorin e policisë dhe kolegë të ndjerit Afrim Bunjaku, sot erdhëm që të shprehim ngushëllime si Qeveri e Republikës së Kosovës. Pikëllimi është i thellë, dhembja është e madhe por edhe krenaria është e jashtëzakonshme për guximin dhe sakrificën e Afrimit. Në betejën e Kosovës për rend, ligj dhe kushtetutshmëri, për siguri dhe për paqe, për të drejta dhe për liri për të gjithë pa dallim, kundër kriminelëve dhe terrorizëve të mbështetur politikisht, financiarisht, logjistikisht nga Serbia do të ngadhënjejë Republika e pavarur e Kosovës”
“Lavdi Afrim Bunjakut dhe të gjithë ne zotohemi që rrugën që ai e ngriti me punën dhe angazhimin, ne do ta vazhdojmë pa kompromis” – ka thënë Kurti.
19:24 – Xhelal Sveçla tregon numrin e të vrarëve dhe të të arrestuarve të grupi terrorist
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se ka vizituar vendin e ngjarjes aty ku u vra polici Afrim Bunjaku, në Banjskë të Zveçanit.
Sveçla tha se përgjigja e zyrtarëve policorë ka qenë e menjëhershme që sipas tij për një kohë të shkurtër e kanë vendosur territorin nën kontroll.
“Përgjigja e zyrtarëve policorë të Kosovës ishte menjëhershëm dhe ishte jashtëzakonisht profesionale. Për një kohë të shkurtër vendosën këtë territor në kontroll. Kjo u bë pas një numër të madh betejash ku kishim edhe një zyrtarë tjetër lehtë të lënduar”- tha ai.
Ministri ka treguar se tashmë janë arrestuar gjashtë të dyshuar, dy prej tyre sulmues të armatosur dhe uniformuar si dhe katër të tjerë me radiolidhje.
“Ne i kemi gjashtë të arrestuar, dy nga ta të plagosur me uniformë, të armatosur dhe katër të tjerë që ishin në mbështetje të këtij operacioni me radiolidhje si dhe së paku tre sulmues të vrarë për të cilët janë duke u bërë procedurat e verifikimit”- tha ministri.
Sveçla shtoi se Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme armatimi të rëndë, armatim këmbësorie, eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime dhe pajisje për barrikada.
“Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme armatimi të rëndë, armatim këmbësorie, eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada dhe lirisht mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues tjerë”- theksoi ministri mes tjerash.
19:21 – Tensionet në Banjskë, një pjesë e sulmuesve që kishin rrethuar manastirin janë arratisur drejt malit
Një pjesë e personave të cilët në orët e para të mëngjesit sulmuan policinë e Kosovës e që dyshohen se ishin strehuar në manastirin e Banjskës janë arratisur në drejtim të malit.
Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se ka pasur shkëmbim të ashpër zjarri e më pas të dyshuarit kanë arritur të ikin.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
19:20 – Borrell i bën thirrje Vuçiqit për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, gjatë një bisede me kryeministrin Albin Kurti ka dënuar ashpër agresionin e sotëm në veri të Kosovës.
Sipas komunikatës së BE-së, Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të dashurit e punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe u uroi shërim të shpejtë policëve të plagosur.
Sipas njoftimit, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka telefonuar edhe presidentin Aleksandar Vuçiq.
Përfaqësuesi i Lartë Borrell thuhet se përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt.
Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit.
“EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është duke monitoruar situatën në terren dhe është e gatshme të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e saj dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in e NATO-s. Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet”- thuhet në komunikatën e BE-së.
19:14 – Drejtoresha e spitalit në Mitrovicë tregon se ku është i plagosur njëri nga sulmuesit
Drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Luljeta Zhubi ka dhënë detaje rreth gjendjes së personit të plagosur, pjesë e grupi të armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Zhubi ka thënë se personi ka ardhur më lëndime nga arma e zjarrit në këmbë.
Drejtoresha ka theksuar se gjendja e personit ka qenë stabile.
“Personi ka ardh me lëndime nga arma e zjarrit dhe thyerje. Pas ekzaminimeve tona është udhëzuar për në QKUK. Ai ka ardhur këtu dhe është nisur për në QKUK me parametra stabil. Ne kemi ekipet tona por kemi edhe përforcime që nga mëngjesi. Të gjitha spitalet rajonale, Vushtrri e Prishtinë janë në gatishmëri. Personi i parë që ka ardh nga komuniteti serb, pas plagë hyrëse dhe dalëse në pjesën e këmbës nga arma e zjarrit si dhe një thyerje në ekstremitetin e poshtëm. Ai ka qenë i vitit të lindjes 1975”- ka thënë Zhubi.
Ajo ka bërë të ditur se në orët e mbrëmjes ndihmë mjekësore ka kërkuar edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës.
“Tash, ka ardh edhe një polic i joni, i cili ka lëndime në dy ekstremitetet e poshtme, për shkak se ka pësuar rënie gjatë kryerjes së detyrës” – njoftoi ajo.
19:04 – Një nga të plagosurit e grupit të armatosur dërgohet nga Spitali i Mitrovicës në QKUK
Njëri nga personat e plagosur, i cili dyshohet se i përket grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në mëngjesin e sotëm në Banjskë të Zveçanit, është nisur nga Spitali i Mitrovicës drejt Prishtinës në QKUK.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se deri më tani janë vrarë tre persona nga grupi i armatosur që po qëndron në Zveçan, ndërsa një tjetër është i arrestuar.
Po ashtu, Policia ka njoftuar se janë arrestuar edhe katër persona të tjerë të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.
18:59 – Policia e Kosovës futet brenda manastirit në Banjskë
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë futur brenda manastirit në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Në manastirin e Banjskës, që nga orët e para të mëngjesit po qëndronin pjesëtarë të një grupi kriminal terrorist që kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe kanë vrarë pjesëtarin Afrim Bunjakun.
KALLXO.com merr vesh se ekipet e policisë tashmë kanë hyrë brenda manastirit dhe janë duke bërë identifikimin e personave brenda këtij institucioni e më pas do të shqyrtohet mundësia nëse të njëjtit do të dërgohen të gjithë për intervistim, kjo pasi që disa prej personave që kanë qenë brenda janë civilë e të tjerë dyshohet se mund të jenë persona që kanë bashkëpunuar me të dyshuarit për sulme.
18:21 – Kriza në Banjskë: Zbulohen emrat e dy të arrestuarve, janë nga Mitrovica e Veriut
Policia e Kosovës sot konfirmoi se katër persona janë arrestuar si të dyshuar në veriun e vendit të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve.
KALLXO.com ka biseduar me avokatin e njërit prej të arrestuarave i cili ka konfirmuar se gjatë arrestimit, në veturën ku ishte ai është gjetur një radio-lidhje dhe një bateri.
“Katër të arrestuar, njëri nga ta është Dushan Vllajeviq nga fshati Zhitkoc të Leposaviqit me banim në Mitrovicën e Veriut, ai dyshohet për dy vepra penale” – ka thënë avokati.
Ai ka thënë se në deklarimet e para para hetuesisë, klienti i tij nuk ka dhënë shumë detaje ndërsa, tha se armë nuk janë gjetur gjatë arrestimit.
“Gjatë bastisjes dhe kontrollit në rrugë ku janë arrestuar i është gjetur një radio-lidhje dhe një bateri që vendoset në kokë. Armë nuk janë gjetur, as te ky as të personi tjetër që ka qenë shofer…” – ka thënë ai.
“Klienti im u deklarua se nuk din asgjë për rastin, siç tha ai ka dal me pi kafe tha se vetëm ka dëgjuar për një incident. Pastaj, siç tha shoku tij e ka marrë me veturë, duke u kthyer i ka ndal policia” – ka deklaruar avokati.
18:20 – Momenti kur të plagosurit barten me ambulancë dhe me përcjelle të Policisë
17:41 – Kryeministri Kurti në takim me shefin e AKI-së, Petrit Ajeti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, aktualisht është duke mbajtur një takim me shefin e Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë (AKI), Petrit Ajeti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Takimi është duke ndodhur pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
17:33 – Haradinaj shkon për ngushëllime në familjen e policit të vrarë
Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ngushëlluar familjen e policit të varë sot në orët e hershme të mëngjesit në Banjskë të Zveçanit.
Në Facebook, Haradinaj tha Afrim Bunjaku ra sot si hero, në mbrojtje të paqes.
“Qëndrova për ngushëllim në familjen e policit të vrarë Afrim Bunjaku, i cili ashtu si heronjtë dikur në luftën për liri, ra hero në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe jetës së qytetarëve të Kosovës” – ka shkruar ai.
17:28 – Vjosa Osmani: Terroristët s’na zmbrapsin, por vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë!
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani përmes rrjetit Facebook ka shpërndarë pamje të pjesëtarëve të policisë së Kosovës me mbishkrim se të gjithë jemi në anën e tyre.
Osmani tutje u shpreh se terroristët nuk na zmbrapsin, por vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë.
“Në misionin fisnik, në mbrojtje të integritetit e sovranitetit të Republikës së Kosovës, jemi të gjithë në krah të Policisë së Kosovës. Të gjithë bashkë me një mesazh: Terroristët s’na zmbrapsin, por vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë! Faleminderit heronjve tanë në uniformë!Kosova është e përjetshme!”- ka shkruar Osmani.
17:01 – Sveçla: Zotohemi që lufta dhe përpjekja e Afrim Bunjakut nuk do të ndalet
Afrim Bunjaku, pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra sot në orët e para të mëngjësit si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se rreshteri Bunjaku ra sot në krye të detyrës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës.
“Ne zotohemi, që lufta dhe përpjekja e Afrimit dhe gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për rend, ligj dhe siguri në veri të vendit nuk do të ndalet. Lavdi Heroit Afrim Bunjaku”- ka shkruar Sveçla në Facebook.
17:00 – Sulmet në Zveçan, Policia: Një zyrtar policor ka pësuar lëndime kryesisht të lehta
Policia e Kosovës ka konfirmuar se në fshatin Banjskë të Zveçanit, tre pjesëtarë të grupit të armatosur janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e rendit.
Sipas informacioneve zyrtare, një pjesëtar i grupit të armatosur është arrestuar, i cili ishte i armatosur dhe i uniformuar gjatë arrestimit.
Të dhënat tregojnë se një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë.
“Si pasojë e sulmeve një zyrtar policor i PK-së ka pësuar lëndime kryesisht të lehta” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
16:56 – Zhvillimet në Banjskë, raportohet se Vuçiq do të mbajë konferencë për media
Pas vrasjes së policit të Kosovës në Banjskë të Zveçanit, agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” ka njoftuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të mbajë konferencë për media pasditen e sotme.
Fillimisht ishte njoftuar për konferencë në ora 14:00 nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Kjo konferencë më pas është anuluar.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasdite do t’iu drejtohet mediave që t’i demantojë të gjitha gënjeshtrat e Albin Kurtit, për të cilin pretendojnë se është krijues i kaosit në Kosovë” – ka shkruar Tanjug.
Në njoftim nuk është përmendur ora se kur Vuçiq pritet t’i drejtohet mediave.
16:55 – Situata në Banjskë e tensionuar, sulmet me armë zjarri ndaj policëve po vazhdojnë
Policia e Kosovës njofton se në zonën e fshtatit Banjska situata e sigurisë vazhdon të qëndrojë e tensionuar, dhe po ashtu sulmet me armë zjarri ndaj njësiteve policore po vazhdojnë në intensitet të njëjtë, varësisht nga lëvizjet e grupeve kriminale.
“Në zonën e fshatit Banjska situata e sigurisë vazhdon të qëndrojë e tensionuar, po ashtu sulmet me armë zjarri ndaj njësiteve policore po vazhdojnë në intensitet të njëjtë, varësisht nga lëvizjet e grupeve kriminale”- thuhet në njoftimin e Policisë.
PK-ja thotë se veprimet policore po realizohen sipas planifikimeve dhe zhvillimeve në terren, duke u përgjigjur në vetëmbrojtje ndaj sulmeve të adresuara ndaj zyrtarëve policorë, të cilëve po iu rrezikohet jeta e tyre e drejtpërdrejtë.
16:52 – Policia bastisi një lokacion që dyshohet se është përdorur nga sulmuesit, gjeti municione
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë veprimeve policore në një lokacion banimi i cili është përdorur nga sulmuesit, janë gjetur pajisje logjistike, mjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushatarke si armë dhe municione të kalibrave të ndryshëm.
Në komunikatën e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se deri më tani janë vrarë tre persona nga grupi i armatosur që po qëndron në Zveçan, ndërsa një tjetër është i arrestuar.
Po ashtu, Policia ka njoftuar se janë arrestuar edhe katër persona tjerë të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.
16:41 – Policia ka arrestuar 4 të dyshuar për lidhje me grupin e armatosur
Policia e Kosovës ka konfirmuar vrasjen e tre personave të grupit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Organet e rendit kanë njoftuar se një pjesëtar tjetër i grupit të armatosur është arrestuar.
Policia ka arrestuar edhe katër persona të tjerë të dyshuar në Rudar për posedim ilegal të radiolidhjeve të cilët dyshohet se ndërlidhen me grupet kriminale.
“Sipas informatave zyrtare nga terreni gjatë shkëmbimit të zjarrit konfirmohet vrasja edhe e dy sulmuesve të tjerë, të cilët kanë qenë të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur rëndë, e po ashtu konfirmohet edhe arrestimi i një sulmuesi të uniformuar dhe të armatosur”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Si pasojë e sulmeve një zyrtar policor i PK-së ka pësuar lëndime kryesisht të lehta.
16:36 – Vrasja e policit në veri, emisari i gjerman Manuel Sarrazin vjen sot në Kosovë
Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka dënuar me termat më të ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, Ministria ka bërë të ditur se emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, do të udhëtojë sot për në Kosovë.
“Dënojmë me termat më të ashpër sulmin e tmerrshëm ndaj Policisë së Kosovës. Mendimet tona janë me familjen e oficerit të vrarë dhe të plagosurit rëndë. Grupet e armatosura të paligjshme duhet të ndalojnë rrezikimin e jetëve. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi. Manuel Sarrazin udhëton për në Kosovë sot”- thuhet në postim.
16:32 – Policia: Tre sulmues të vrarë dhe një i arrestuar
Tre pjesëtarë të grupit të armatosur kanë mbetur të vdekur deri më tani në Banjskë të Zveçanit, ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një njoftimi.
Ndërsa është arrestuar edhe një pjesëtar tjetër i grupit terrorsit.
Po ashtu, Policia ka njoftuar se janë arrestuar edhe katër persona të tjerë të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.
15:39 – Forcat policore të Kosovës në Banjskë
Ekipi i KALLXO.com, raporton nga vendi i ngjarjes – Shtimi dhe pozicionimi i forcave policore të Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
15:30 – Shefi i EULEX-it: Të tmerruar nga sulmi i dhunshëm kundër Policisë
Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano është shprehur i tmerruar me sulmin ndaj Policisë së Kosovës sot në orët e para të mëngjesit.
Pietro Barbano i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë ndërsa u ka uruar shërim dy pjesëtarëve të tjerë të plagosur.
“Të tmerruar nga sulmi i dhunshëm i sotëm kundër Policisë. Ngushëllimet e mia më të thella familjes së policit të vrarë në krye të detyrës. I uroj shërim të shpejtë dy oficerëve të plagosur”- ka shkruar shefi i EULEX-it.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë sot në orët e para të mëngjesit si pasojë e një sulmi ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit.
Një polic mbeti i plagosur dhe një tjetër i lënduar, jashtë rrezikut për jetë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se një pjesëtar i grupit të armatosur në veri është gjetur i vdekur.
15:23 – MPJD: Një sulm terrorist i kryer nga grupet kriminale të Serbisë vrau një polic të Kosovës
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës përmes një deklarate për media e ka quajtur sulm direkt ndaj sigurisë dhe sovranitetit të vendit sulmin terrorist në komunën e Zvecanit ku një polic mbeti i vrarë dhe dy tjerë të plagosur.
“Një sulm terrorist i kryer nga grupet kriminale të Serbisë vrau një polic të Kosovës në krye të detyrës, ndërsa dy të tjerë u plagosën në komunën veriore të Zveçanit në Kosovë. Kjo përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës”- thuhet në reagimin e ministrisë.
Tutje, ministria u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të dënojnë sulmet e sotme terroriste dhe përpjekjet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe rajon në termat më të fortë të mundshëm.
MJPD ka potencuar se mbështetja e dhunës nga Serbia paraqet shkelje flagrante të sigurisë kombëtare.
“Derisa jemi të pikëlluar me humbjen e oficerit, riafirmojmë angazhimin tonë për të mbështetur sundimin e ligjit dhe sigurinë në të gjithë territorin tonë. Mbështetja e dhunës dhe terrorizmit nga Serbia paraqet një shkelje flagrante të sigurisë kombëtare dhe ligjeve, parimeve dhe vlerave tona ndërkombëtare”- ka theksuar ministria.
Kryeministri Kurti ka deklaruar sot gjatë ditës se rreth 30 persona të armatosur kanë kryer një sulm terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit duke vrarë një zyrtar policor dhe plagosur një tjetër.
15:22 – Ministri i Mbrojtjes pas vrasjes së policit: Dorasit, kriminelë të dirigjuar nga Beogradi
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë në Banjskë të Zveçanit dhe i ka uruar shërim të shpejt pjesëtarit tjetër të plagosur.
Maqedonici tha se “dorasit sigurisht se nuk mund të jenë tjetër përveçse kriminel të dirigjuar nga Beogradi, me qëllim destabilizimin e vendit”.
Ai theksoi se veprime të tilla nuk do të zmbrapsin organet e sigurisë për të kryer detyrat e tyre.
“Siguria e qytetarëve, mbrojtja e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës është obligim, detyrë mbi çdo detyrë tjetër, andaj dhe kriminelët do të dënohen dhe grupet kriminale do të shkatërrohen”- thuhet në reagimin e ministrit të Mbrojtjes.
15:18: Dyshohet se Policia është sulmuar me minahedhës nga grupi i armatosur terrorist
Burime të KALLXO.com brenda Policisë bëjnë të ditur se Policia e Kosovës po dyshon se është gjuajtur sot gjatë ditës me minahedhës.
Sipas burimeve, sulmi dyshohet se ka ardhur pikërisht nga zona ku është duke qëndruar grupi i armatosur terrorist në veri të Kosovës.
Po ashtu, burime brenda Policisë kanë bërë të ditur KALLXO.com se Policia ka arritur ta gjej trupin e pajetë të personit të vrarë nga ana e grupit të armatosur të armatosur që po qëndron pranë një manastiri në fshatin Banjskë në Zveçan.
15:10 – Policia gjen trupin e pajetë të të vrarit që i përket grupit të armatosur terrorist
Burime brenda Policisë kanë bërë të ditur KALLXO.com se Policia ka arritë me gjetë trupin e pajetë të personit të vrarë nga ana e grupit të armatosur që po qëndron pranë një manastiri në fshatin Banjskë në Zveçan.
Mirëpo deri më tash ende nuk është arritur që të identifikohet, për shkak se trupi i pajetë nuk ka dokumente të identifikimit. Policia e Kosovës aktualisht është në procedurë të identifikimit.
Policia gjen trupin e pajetë të të vrarit nga grupi i armatosur
14:54 – Mbyllet edhe pika kufitare në Jarinjë
Policia e Kosovës për shkaqe sigurie ka mbyllur dy pikat kufitare në veri, atë në Jarinjë dhe Bërnjak.
Organet e rendit kanë ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare.
“Referuar situatës dhe rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës për shkaqe sigurie ka mbyllur për qarkullim kufitar dy vendkalimet kufitare në veri (Jarinje dhe Bërnjak), andaj fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim si dhe të shmangun daljet dhe lëvizjet e tyre në atë rajon/zonë”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
14:42 – KFOR për situatën në veri: Jemi të gatshëm për t’u përgjigjur nëse kërkohet
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vazhduar të monitorojë nga afër situatën në fshatin Banjskë të Zveçanit dhe është shprehur i gatshëm t’i përgjigjet situatës nëse kërkohet.
“KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën në Banjska dhe trupat e KFOR-it janë të pranishme në zonë, të gatshme për t’u përgjigjur nëse kërkohet. Policia e Kosovës, si reaguese e parë, ka përgjegjësinë parësore për menaxhimin e incidentit në terren”- është deklaruar KFOR.
Në njoftim thuhet se “Komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare, përfshirë BE-në, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe me institucionet në Kosovë, dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje”.
KFOR ka dënuar ashpër sulmin kundër Policisë së Kosovës dhe i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën pas sulmit në fshatin Banjskë të Zveçanit.
14:33 – Vritet një pjesëtar i grupit të armatosur në veri të Kosovës
Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar për situatën në Banjskë të Zveçanit.
Policia bën të ditur se njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje u janë kundërpërgjigjur sulmuesve, dhe referuar informacioneve të Policisë së Kosovës, një nga sumuesit është vrarë.
“Njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale, ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë”- thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se situata në veri të vendit, konkretisht në fshatin Banjskë, vazhdon të jetë e tensionuar.
“Situata në Veri të vendit, konkretisht në zonën e fshatit Banjska vazhdon të jetë e tensionuar, grupet kriminale kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në teren, të cilat edhe përkundër sulmeve ndaj tyre po vazhdojnë angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë, në interes të qetësimit të situatës, ofrimit të sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë”- thuhet në njoftim.
“Sulmuesit profesional në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së”- thekson Policia.
Pas situatës së krijuar, PK bën të ditur se për shkaqe sigurie ka mbyllur për qarkullim kufitar dy vendkalimet kufitare në veri Jarinje dhe Bërnjak.
13:59 – BE dënon sulmin në veri, kërkon shtendosje të situatës
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vdekur një polic sot në Zveçan.
Ai ka kërkuar që sulmet të ndalen menjëherë.
“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë” – thuhet në reagimin e Borrell.
Përfaqësuesi i BE-së ka thënë se edhe jetë të tjera të pafajshme janë në rrezik armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës.
Borrell më tej ka thënë se EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in.
“BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të shtendosur situatën në veri të Kosovës” – përfundon komunikata e BE-së.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se mëngjesin e sotëm në fshatin Banjska të Zveçanit është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.
13:46 – Sveçla për situatën në Zveçan: Sulmet ndaj njësiteve të policisë po vazhdojnë
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçka ka reaguar pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së dy të tjerëve në veri të Kosovës, mëngjesin e sotëm.
Sveçla ka thënë ka thënë se sulmi po vazhdon ende nga njësi profesionale të përgatitura dhe me përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht, teksa shton se urimi i sulmeve sulmeve me armë zjarri është manastiri në Banjska të Zveçanit dhe përreth.
“Sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësi profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme. Burimi i sulmeve me armë zjarri është manastiri në Banjska të Zveçanit dhe përreth”- ka shkruar Sveçla.
13:24 – Zv/drejtori i Policisë: Ekipet tona janë në vendngjarje bashkë me KFOR-in
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka thënë se janë në koordinim me KFOR-in dhe së të dy ekipet ndodhen bashkë në Banjska të Zveçanit.
“Jemi në koordinim të plotë me KFOR-in. Në momentin që po flasim ekipet tona bashkë me ekipet e KFOR janë aty”- tha Hoti.
Hoti bashkë me kryeministrin Kurti në konferencën e përbashkët pas vrasjes së një polici dhe dy të tjerë plagosur në Banjska të Zveçanit, thanë se një grup prej së paku 30 persona të armatosur rëndë ndodhën në rrethimin e Policisë së Kosovës.
13:13 – MSh: Gjendja e policit të plagosur është jashtë rrezikut për jetën
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjendja e policit të plagosur në veri është jashtë rrezikut për jetën.
Ministria njoftoi se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vizitoi policin i cili mbeti i plagosur si pasojë e sulmeve kriminale dhe terroriste në fshatin Banjskë.
“Nga mjekët mbikëqyrës në QKUK u njoftua se gjendja shëndetësore e policit të plagosur është stabile dhe ai do të vijojë të jetë nën mbikëqyrjen e profesionistëve shëndetësor”- thuhet në njoftim.
12:52 – Kurti: Personat e uniformuar dhe të armatosur kanë edhe autoblinda
Xhipa pa targa e autoblindë që nuk i përketë Policisë së Kosovës janë parë në Bajnskë të Zveçanit dhe janë në posedim nga grupi i armatosur që e kanë sulmuar Policin e Kosovës, ka njoftuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka thënë se janë diku 30 persona të armatosur dhe profesionist ushtarakë e policisorë që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, e të njëjtit janë të rrethuar nga ana e Policisë së Kosovës.
Kurti ka thënë se automjetet që janë pranë Manastirit të Bajnskës në Zvecan janë pa targa dhe janë automjete që nuk i posedojnë serbet lokal dhe askush që është civil në Republikën e Kosovës.
Madje Kurti ka thënë se personat janë formacion profesional dhe nuk janë civil të armatosur.
Ai tutje ka thënë se organet e sigurisë edhe prokuroria do të zhvillojnë hetimet për të kuptuar më shumë për këto uniforma që i kanë këta persona.
“Siç shihet përveç xhipave që i kanë, kanë edhe një autoblindë aty, kjo autoblindë nuk është e Policisë së Kosovës” – ka thënë Kurti.
Personat që dyshohet se kanë lidhje sulmin ndaj policisë dyshohet se janë brenda në manastirin e Bajnskës
Policia e Kosovës ka pranuar informacione se brenda këtij manastri dyshohet se ka persona të cilët kanë lidhje me sulmin e sotëm ndaj PK-së, sulm që la të vdekur një polic, një e lëndoi e një e plagosi.
11:32 Familjarët e policit të vrarë: Të vdesësh për atdhe, është sikur të rilindësh përsëri
“Të vdesësh për atdhe, është sikur të rilindësh përsëri” – kështu e ka nisur postimin e tij Arton Bunjaku, familjar i policit të vrarë në orët e para të ditës së sotme në fshatin Bajnskë të Zveçanit.
Bunjaku në postimin e tij ka thënë se sot i erdhi një lajm i kobshëm për familjen e tyre, familje nga Samdrexha e Vushtrrisë.
“Familjari jonë Afrim Bunjaku, rreshter në Policinë e Kosovës është vrarë derisa ndodhej në detyrë, në veriun e Kosovës” – ka thënë ai.
Tutje i njëjti ka shtuar se Afrimi është vrarë në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të venditit.
E Bunjaku ka shtuar se i ndejri këtë gjë e bëri me nder e krenari deri në frymën e fundit.
11:27 Prokuroria Speciale po e heton rastin e sulmit ndaj policëve në veri
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nisur hetimet rreth sulmit të armatosur të kryer kundër Policisë së Kosovës në afërsi të fshatit Banjskë të Zveçanit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në një bisedë për KALLXO.com ka konfirmuar se është Prokuroria Speciale që po udhëheq tashmë hetimet në lidhje me këtë rast.
“Po, Prokuroria Speciale po kryen hetimin. Jemi në bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës dhe jemi duke vazhduar tutje” – ka thënë Isufaj për KALLXO.com
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në veri të Kosovës, mëngjesin e sotëm.
Teksa ka ripublikuar postimin e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, Rohde ka thënë se autorët e këtij sulmi vrasës kundër zyrtarëve të rendit të Kosovës, duhet të dalin para drejtësisë.
“Unë e mbështes plotësisht me deklaratën e kolegëve të mi amerikanë. Autorët e këtij sulmi vrasës kundër zyrtarëve të rendit të KOS-it duhet të dalin para drejtësisë”- ka shkruar Rohde.
Ambasadori gjerman thotë se sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë, teksa ka shprehur ngushëllime për familjen e policit të vdekur.
“Sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë. Ngushëllimet e mia të përzemërta shkojnë për familjen e policit të vdekur të PK-së dhe për policët e plagosur të PK-së”- ka shtuar Rohde.
Policia vendoset rrugës për në Zveçan – 11:10
Pas sulmit që ndodhi në drejtim të Policisë së Kosovës në Bajnskë të Zveçanit, ekipet e Policisë së Kosovës janë parë në drejtim të vendit ku ndodhi ngjarja që la të vdekur një polic, u plagos një tjetër e u lëndua një i tretë.
Në afërsi të vendit të njohur si “Dudit i Kërshit”, njërës prej rrugëve që të qon në Zvecan janë parë të vendosur ekipe të policisë.
KALLXO.com mëson se policia tashmë është vendosur me disa ekipe e njësi të ndryshme speciale në afërsi të Banjskës, në afërsi të vendit në të cilin u vra një polic e u plagos një tjetër.
Dyshimet e para siç ka marrë vesh KALLXO.com janë se në një manastir, i cili gjendet pikërisht në Bajnskë brenda janë disa persona të maskuar e të armatosur.
Përveç ekipeve të policisë në afërsi të Bajnskës janë edhe ekipet e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-.
Burimet bëjnë me dije se njësi speciale operative intervenuese kanë rrethuar manastrin në Bajnskë pas informacioneve se persona të uniformuar janë parë duke hyrë brenda këtij manastiri.
Reagon Molliqaj: Vrasja e policit është sulm ndaj sovranitetit, paqja është e domosdoshme – 11:05
Ka reaguar edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, pas vrasjes së një polici në veri të vendit. Përmes një shkrimi në Facebook, Molliqaj ka thënë se vrasja e policit nga bandat kriminale serbe është sulm ndaj sovranitetit të Kosovës.
Ai ka thënë se tensionet duhet të ndërpriten menjëherë dhe paqja është e domosdoshme.
“Në këtë rast i shpreh ngushëllimet e mia dhe të PSD-së familjes Bunjaku për humbjen e më të dashurit të tyre. Gjithashtu policit të lënduar dhe atij të plagosur i dëshirojmë shërim të shpejtë.Këto tensione ku po rrezikohet edhe jeta e njerëzve duhet të ndërpriten menjëherë. Paqja është e domosdoshme dhe duhet të punohet në këtë drejtim” – ka thënë Molliqaj.
Abdixhiku: Sulmet e bandave kriminale e terroriste me adresë nga Beogradi s’mund ta zmbrapsin Kosovën – 10:51
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku,ka kërkuar nga institucionet e rendit e drejtësisë që tē sjellin autorët e këtij krimi sa më parë para drejtësisë.
“Sulmi terrorist ndaj Policisës së Kosovës dhe vrasja e një polici në detyrë, janë sulme ndaj Republikës së Kosovës dhe vet rendit Kushtetues. Në emër të LDK-së, shprehi ngushëllimet më të thella familjes së policit të vrarë. Policit të plagosur, Alban Rashiti, ndërsa i uroj shërim të shpejtë” – ja thënë Abdixhiku.
Tutje ai tha se në këto momente të vështira për vendin, të gjithë jemi me Policinë e Kosovës.
“Jemi me djemtë e vajzat tona në detyrë në veri. Sulmet e bandave kriminale e terroriste me adresë nga Beogradi s’mund ta zmbrapsin Kosovën nga e drejta për vendosje të rendit, ligjshmërisë e vet sovranitetit” – shtoi kryetari i LDK-së.
Hovenier: SHBA-të denjojnë ashpër sulmet e orkestruara e të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës – 10:43
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në veri të Kosovës, mëngjesin e sotëm.
Hovenier thotë se SHBA-të dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm të 24 shtatorit.
Ai shtoi se Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm të 24 shtatorit. Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ne e njohim dhe respektojmë rolin e saj si reagimi i parë në situata emergjente dhe krize. Ne vlerësojmë koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), sipas rastit”- ka shkruar Hovenier.
Amabsadori amerikan ka thënë se po monitorojnë situatën nga afër dhe se autorët duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë.
“Ne po e monitorojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre”- është shprehur ambasadori.
Në emër të SHBA-së, Hovenier u ka shprehur ngushëllime për vdekjen e rreshterit të PK-së, i cili u vra në krye të detyrës.
Mblidhet Këshilli i Sigurisë i Kosovës – 10:16
Nga ora 10:00 është paraparë të fillojë mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.
Kjo mbledhje do të mbahet pas rastit që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit në veri të vendit, ku një polic mbeti i vrarë e një tjetër i plagosur.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.
Krasniqi: Është sulm kundër shtetit të Kosovës, duhet të qëndrojmë të bashkuar – 10:08
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se është i tronditur nga vrasja e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe plagosja e një tjetri, në veri të vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se të gjithë duhet të qëndrojmë të bashkuar në përkrahje të policëve, të cilët përkundër sulmeve, po mbrojnë sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të shtetit.
“Ftoj të gjithë që ta dënojnë fuqishëm këtë sulm kriminal kundër Policisë së Kosovës, që është sulm direkt kundër shtetit të Kosovës. Kërkoj nga organet përgjegjëse që hetimet e plota të bëhen sa më shpejt dhe përgjegjësit të sillen para dtejtësise për të marrë dënimet meritore” – ka thënë Krasniqi.
Vela i Presidencës: “Burrat e vegjël jeshilë” të Serbisë me automjete të blinduara janë 15 km brenda territorit të Kosovës – 09:11
Shefi i Kabinetit të Preisdentës së Kosovës, Blerim Vela ka thënë se “’Burrat e vegjël jeshilë’ të Serbisë me automjete të blinduara janë 15 km brenda territorit të Kosovës”.
Këtë reagim ai e ka bërë në rrjetin social X, ku ka thënë se këta persona gjenden në Banjskë.
Ai tutje tha se në atë pjesë rezultoi edhe një sulm terrorist kundës Policisë së Kosovës, që rezultoi me një polic të vrarë dhe një tjetër të plagosur.
“Vuçiq i është drejtuar një agresioni të paparë ndaj Kosovë. Ai do të dështojë!” – ka thënë Vela.
Konjufca: Ky është sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues të Kosovës – 08:42
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se vrasja e policit në veri të Kosovës është sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues, ndaj veprive të Kosvës për rend dhe ligj, si dhe cenim i sovranitetit e sigurisë në vendin tonë.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Konjufca e ka quajtur sulm terrorist dhe criminal të strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia.
“Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës.Autorët e këtij krimi, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq i ftoj institucionet e drejtësisë të veprojnë menjëherë” – ka thënë Konjufca.
Haradinaj: Goditje e rëndë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon – 08:33
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetëri në veri të Kosovës, mëngjesin e sotëm.
Haradinaj ka thënë se është i tronditur nga ngjarja që ka ndodhur.
“Ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë” – ka thënë Haradinaj.
Ai ka ftuar organet e rendit për bashkërendim të veprimeve me KFOR dhe aleatët e sigurisë të prirë nga Amerikë dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur situatën.
Vrasja e policit, reagon presidentja Osmani – 08:15
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetër, në veri të Kosovës.
Përmes një komunikate, presidentja Osmani ka thënë se ngjarja është e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe dhe sipas saj, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës.
“Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pres që aleatët tanë ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës” – ka thënë presidentja.
Zyra e Presidencës ka njoftuar si shkak i situatës, presidentja Osmani ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën në New York, dhe qysh sot do të niset për në Kosovë.
Policia: Jemi sulmuar me granata dhe zolla
Policia e Kosovës ka lëshuar komunikatë, pas incidentit në fshatin Bajnskë të Leposaviqit, kur mëngjesin e sotëm është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.
Policia ka bërë të ditur se rreth orës 02:34 në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë, gjatë patrullimit ka vërejtur se janë vendosur dy kamion pa targa, duke bllokuar hyrjen e fshatit përmes urës.
Më pas, tre njësi të Policisë janë nisur në drejtim të urës dhe sapo kanë arritur, Policia ka bërë të ditur se nga disa pozicione të ndryshme janë sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu granata dore dhe zollë.
Si pasojë e sulmit, janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.
“Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor” – thuhet në komunikatë.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka njoftuar se të gjitha njësitë relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat sipas Policisë, janë duke u sulmuar kohë pas kohe me armë zjarri nga grupe të organizuara dhe të armatosura.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet edrejtësisë, po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhesjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve ndaj zyrtarëve policor” – thuhet në komunikatë.