Gashi: Të drejtat e punëtorëve nuk kanë qenë prioritet kombëtar deri më tash

Që nga viti 2015 kanë vdekur 102 punëtorë në vendet e tyre të punës. Për sigurinë në punë dhe shëndetin po diskutohet në emisionin “Kallxo Përnime”.

Kreshnik Gashi, redaktor në KALLXO.com, i cili është njëri nga autorët e hulumtimit dhe monitorimit dyvjeçar “Viktimat e padrejtësisë”, ka thënë se vetë titulli i hulumtimit tregon se në Kosovë ka viktima të cilat rezultojnë nga një proces i padrejtë që nis nga momenti i rekrutimit të punëtorëve në vendet e tyre të punës, prej ambienteve ku ata punojnë e deri te realizimi i të drejtave të tyre.

Gashi ka folur për gjetjet e hulumtimit “Viktimat e padrejtësisë”.

Ai ka përmendur pikat kryesore.

“Siguria, shëndeti dhe të drejtat e punëtorëve deri më tash nuk kanë qenë prioritet kombëtar. Pse arrij me konstatu këtë element është pikërisht fakti që para dy viteve kur kemi nisë me trajtu këtë problematikë, e kemi gjetur Inspektoratin e Punës me një kapacitet nën zero për me përmbushë misionin e tij. Numri i vogël i inspektimeve etj.” – tha Gashi.

Ai tutje ka shtuar se kapacitetet e Qeverisë për të përmirësuar këtë gjendje kanë qenë minimale.

“Kanë qenë joserioze dhe kanë pasur probleme strukturore. Kanë mungu investimet në Inspektorat, vazhdojnë me mungu investimet në kapacitetet hetuese, vazhdojnë me mungu investimet në kapacitetet edukuese e po ashtu edhe investimet në sistemin e ligjit. Gjithashtu vazhdon me pasë një frymë nga bizneset të cilat tentojnë me përfitu duke mos i respektu rregullat, kontratat e punës. Pra kemi një komunitet të biznesit të cilët përfitojnë miliona për shkak se nuk i respektojnë rregullat të cilat i kërkon ligji. E këto rregulla janë e para vendi i punës me qenë i sigurt dhe për t’u bërë një vendpunishte e sigurt, biznesi duhet të investojë disa mijëra euro, e këto para bizneset nuk i investojnë, i fusin në xhepat e vet e si rrjedhojë ata mbërrijnë me përfitu” – ka thënë Gashi.

Si element të dytë për rregullat e punës, Gashi e ka përmendur kontratën, të cilën sipas tij, bizneset e neglizhojnë.

“Kontrata është elementi i dytë që bizneset nuk i respektojnë dhe si rrjedhojë përfitojnë në krah të punëtorëve  të cilët janë të obliguar me kry punën e tyre, pushimet, orët shtesë etj. janë probleme strukturore të cilat e kanë problematike këtë sferë”, – ka shtuar tutje Gashi.

BIRN ka prezantuar të enjten raportin mbi gjetjet për të drejtat e punëtorëve dhe sigurinë në punë për punëtorët për vitin 2023, të titulluar “Viktimat e padrejtësisë”.

Të dhënat nga ky raport dokumentojnë se ekzekutivi dhe gjyqësori kanë bërë një zhvillim të vogël në adresimin e çështjeve lidhur me marrëdhënien e punës, veçanërisht te siguria në punë ku aksidentet me fatalitet në vend vazhdojnë të rriten.

“Gjatë viteve 2021 – 2023, 33 punëtorë kanë vdekur nga 763 aksidente në punë. Statistikat tregojnë që vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 kanë vdekur 9 punëtorë. Kjo tregon një rritje të rasteve të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e aksidenteve në vendin e punës” – thuhet në raportin e publikuar.

Këtë raport mund ta gjeni duke klikuar në këtë LINK.