Gashi: Në Kosovë kemi dezinformata që janë paraqitur si fakte

Në emisionin #KallxoPërnime është duke u diskutuar për rrezikun nga dezinformatat në Kosovë.

Kreshnik Gashi nga KALLXO.com tha se në Kosovë ka shumë dezinformata të cilat janë paraqitur dhe vazhdojnë të paraqiten si fakte.

Gashi tha se një ndër sfidat e pasluftës në Kosovë kanë qenë dezinformatat religjioze të cilat kanë arritur të shkaktojnë edhe përqarje në mes komunitetit.

“Kjo është sfidë, ne nuk kemi qenë të njohur se si zhvillohet dezinformatat dhe prej asaj kemi pas pasoja. Ne jemi t`u e pësu një dezinformatë se si duhet të predikohet islami, për shkak se njerëzit që kanë promovuar deziformata kanë sulmuar duke thënë që feja islame që na e kemi pas nuk është islami i duhur. Për shkak të kësaj sot ka përqarje brenda komunitetit islam” – tha Gashi.

Shpërndarja e dezinformatave për Gashin po bëhet edhe nga nivele të larta siç është kryeministri.

“Shpërndarja e dezinformatave po bëhet edhe nga nivele të larta. E ki në nivel të kryeministrit që del dhe shpërndan dezinformata që jep informacion që nuk ka fakte, që përdor statistika e burime që nuk janë të sakta”- deklaroi Gashi në emisionin Kallxo Përnime.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN kishte publikuar në nëntor të 2023 Raportin e Dezinformimit, “Vorbulla e rrenave”, i cili përshkruan jo vetëm dezinformatat, por edhe narrativat e tij.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë, ‘“Vorbulla e rrenave”.