Zotimet e katër kandidatëve për kryetar të Vitisë

Furnizimi me ujë të pijshëm, ndërtimi i rrugëve e shkollave të reja e kaosi urban janë disa nga temat të cilat u diskutuan në “Debat Përnime” me katër kandidatët për kryetar të Komunës së Vitisë.

Komuna e Vitisë tash e tri mandate udhëhiqet nga Sokol Haliti i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Haliti po synon edhe një mandat.

Në zgjedhjet lokale për komunën me 46 mijë banorë janë edhe tre kandidatë të tjerë, Arsim Ademi nga LVV, Bekim Azizi nga PDK dhe Labinot Bislimi nga AAK.

Planet e Lëvizjes Vetëvendosje për Vitinë

Arsim Ademi, LVV, Viti – Foto: KALLXO.com

Lëvizja Vetëvendosje në Viti po premton qeverisje transparente. Arsim Ademi kandidati i kësaj partie tha se arsimi, sporti e kultura do të kenë fokusin maksimal.

Ademi premtoi edhe shërbime më të mira shëndetësore e ujë të pijshëm.

“Për shkak se e dimë që në Viti shumë prej ambulancave që janë aktualisht ose nuk punojnë fare ose punojnë janë pa mjekë, vetëm me infermierë. Shërbime publike efikase, tek të cilat hyn edhe furnizimi i mjaftueshëm i banorëve me ujë, ose furnizimi në fakt, sepse shumica e banorëve nuk kanë qasje në ujë të pijshëm”- tha ai.

Kandidati i LVV-së u zotua edhe për trajtimin e ujërave të zezave e mbështetje të bujqve.

“Po sigurisht edhe trajtimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbeturinave, të gjitha këto. Planifikimi urbanistik dhe infrastruktura është një prej shtyllave të tjera ku ne do të kemi fokusin e veçantë, për arsye se në Viti ka një kaos urban.  Dhe mbështetjen në zhvillimin ekonomik dhe të bujqësisë”- tha ai.

Zotimet e PDK-së për Vitinë

Bekim Azizi, PDK, Viti – Foto: KALLXO.com

Bekim Azizi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se do të orientohen në modernizimin e infrastrukturës.

Azizi premtoi depolitizimin e arsimit në Viti.

“Kujdesi i veçantë domethënë do të jetë në arsim, ngritjen e cilësisë, hartimin e rregullimit të kushteve të përgjithshme për zhvillimin e procesit, ngritjen e dijes, kthimin e disiplinave në shkollë, ndjekjen e politizimit të procesit të arsimit, dhënien e kompetencave në përgjithësi drejtorëve të shkollave, menaxherëve të shkollave. Sepse ky politizimi i shkollave ka shkaktuar dëm jashtëzakonisht të madh, të cilin do të tentojmë me çdo kusht ta heqim politizimin e shkollave”- tha ai.

Subvencionimi  i bujqve e blegtorëve e digjitalizimi i shërbimeve për qytetarë, janë disa nga premtimet e kandidatit të PDK-së për Vitinë.

“Shëndetësi më të mirë, shërbime më të mira publike, bujqësi më të mirë, duke orientuar subvencionim edhe për bujqit edhe për blegtorët edhe për të gjithë ata të cilët punojnë dhe jetojnë në pjesën e Vitisë. Dhe një kujdes i veçantë do t'[i kushtojmë ‘Vitia Smart City’, një qytet i cili do të jetë i digjitalizuar për shërbime të qytetarëve. Do të orientohemi jashtëzakonisht shumë në mundësinë që qytetarët të kryejnë shumë shërbime përmes çështjeve digjitale, përmes platformave të ndryshme që do t’i orientojmë në komunën e Vitisë këtë mandat”- tha ai.

Plani i AAK-së për Vitinë

Labinot Bislimi, AAK, Viti – Foto: KALLXO.com

Labinot Bisilimi nga AAK tha se fokus do të kenë ujin e pijshëm dhe regjimin e ujërave.

“Ne e kemi në fokus pra ujin e pijshëm dhe regjimin e ujërave që është çështje urgjente dhe në të cilën dosje ne përnjëherë do të fokusohemi. Mbi këtë e kemi një plan do të thotë konkret, të qartë, të studiuar mirë përgjatë gjithë këtij katërvjeçari, ku kemi kaluar shumë kohë edhe në terren edhe në studime përkatëse, por edhe në konsultime të drejtpërdrejta me urbanistë, arkitektë, inxhinierë e tjerë, e tjerë”- tha ai.

Bislimi deklaroi se do ta bëjnë liqenin e Budrikës dhe liqenin e Pozhoranit.

“… aty do ta bëjmë liqenin e Budrikës, sepse aty ndodhet pellgu nëntokësor. Në Pozhoran do ta bëjmë liqenin gjithashtu të Pozhoranit, por do të jetë më i vogël. Dhe krahas kësaj do ti ndërtojmë 120 deri 130 akumulues të ujit nëpër pellgjet e Vitisë. Gjithashtu, për ujin e pijshëm kemi planifikuar një seri të gjërave sepse do të punojmë në burim të ujit dhe jo në rrjetëzimin e tij”- tha ai.

Bislimi premtoi reformë të plotë të arsimit në Viti.

 Premtimet e Sokol Halitit për Vitinë

Sokol Haliti, LDK, Viti – Foto: KALLXO.com

Kryetari aktual, njëherësh kandidati i LDK-së për Vitinë, Sokol Haliti në “Debat Përnime” shpalosi programin e tij me të cilin po synon edhe një mandat.

“Programi ynë katërvjeçar nuk është vetëm listë premtimesh por plan i qartë zhvillimi që përfshin rritjen e investimeve, modernizimin e bujqësisë, përmirësimin e infrastrukturës rrugore urbane, digjitalizimin e shkollave, furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm në tërësi, avancimin e shëndetësisë dhe rritjen e aktiviteteve sportive, kulturore”- tha ai.

Haliti tha se do të angazhohet në funksionalizimin e plotë të zonës ekonomike dhe zonës industriale.

“Përkrahjen dhe fuqizimin e prodhimtarisë primare, ndërtimin e rrugëve alternative që Vitia ka nevojë dhe vetëm se kemi filluar, krijimin e parkingjeve, zgjerimin e rrjetit rrugor dhe me ndërlidhje me qendra të tjera dhe themelimin e akademisë së teknologjisë informative”- tha ai.

Haliti premtoi digjitalizim të plotë të arsimit e shëndetësisë.

“Digjitalizimi i plotë dhe profilizimi jo vetëm i arsimit, por edhe i shëndetësisë, i sistemit arsimor edhe shëndetësor konform nevojave të tregut është vërtetë prioriteti ynë”- tha ai.

Kandidati i LDK-së theksoi se banorët e Vitisë do të kenë 24 orë ujë të pijshëm, premtoi ndërtimin e një parku e objektit të ri të QKMF-së.

“Furnizimi me ujë 24 orë në tërë Vitinë natyrisht me projektin e Bankës Botërore 6.5 milionë që e kemi nënshkruar vetëm dhe është tenderuar dhe është zgjedhur dhe fituesi do të jetë një prej sukseseve tona të radhës. Ndërtimi i parkut të qytetit, ndërtimi i parkut kompleksit dekoristik në grykë të Moravës. Natyrisht, ndërtimi i objektit të ri QKMF-së do të jetë një prej prioriteteve. Dhe qendra kulturore në Pozhoran, që do të jetë prioritet”- tha ai në “Debat Përnime”.

Urbanizmi në Viti, cilat janë premtimet e kandidatëve për kryetar?

Komuna e Vitisë e ka të miratuar Planin Zhvillimor Komunal por nuk e ka të miratuar Hartën Zonale.

Sokol Haliti, kandidati i LDK-së, tha se në zonën qendrore të Vitisë është planifikuar lejimi i ndërtimit deri në nëntë kate (P+8).

“Në zonën qendrore të komunës është planifikuar zhvillimi me etazhitetin më të lartë, duke arritur deri në P+8, duke ndjekur siluetën urbane të komunës. Parashikon një reduktim gradual i etazhitetit nga P+7 dhe P+5, zonat përreth qendrës, duke krijuar tranzicion të natyrshëm mes qendrës dhe zonave urbane dhe zonave periferike me densitet më të ulët ndërtimi”- tha Haliti.

Labinot Bislimi tha se nëse fiton mandatin si kryetar i Komunës së Vitisë nuk do të ketë ndërtime pa leje, ndërsa deklaroi se për të nuk kanë rëndësi sa kate ndërtohen banesat por të mos rrezikojnë qytetarët.

“Unë i kisha lejuar do të thotë banimin, gjithçka që shkon në këtë zonën e Drobeshit e andej, le t’i ndërtojnë sa të duan. Qendra e Vitisë duhet të jetë një shesh i madh, një park i gjelbëruar. Do të thotë, si të them shesh, nuk është beton. Unë po e them, nuk ka me pasur kurrë ndërtim pa leje. Për kate nuk ka problem, mundet me u negociu, sepse janë projekte të cilat negociohen. Po në qoftë se ka fuqi ekonomike, nuk ka problem ndërtimi, nuk e rrezikon qytetarin, i respekton kriteret”- tha ai.

Bekim Azizi nga Partia Demokratike e Kosovës duke iu referuar Ligjit për ndërtim tha se në Viti nuk lejohet ndërtimi i banesave më të larta se tetë kate.

“Ligji që tregon për ndërtim, tregon në bazë të numrit të banorëve sa lejohen kapacitetet e ngritjes domethënë të katit. Komuna e Vitisë domethënë me numrin e banorëve është nën 50,000 banorë në komunë. Që nën 50,000 banorë nuk ka asnjë ligj që ta lejon domethënë mundësinë e ndërtimeve mbi tetë kate. Kjo është domethënë pjesa e qendrës”- tha ai.

Arsim Ademi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se për të është bërë gabim që banesat janë lejuar të ndërtohet mbi gjashtë kate.

“Unë normalisht mendoj që është bërë gabim kur është lejuar mbi gjashtë kate”- tha Ademi.

Mësimi gjithëditor në Viti – çka premtojnë katër kandidatët?

Bekim Azizi nga PDK në planin e tij për arsimin tha se i kanë kushtuar rëndësi ngritjes së cilësisë në shkolla.

“Çështja e arsimit domethënë është një çështje që duhet t’i kushtojmë kujdes të jashtëzakonshëm gjatë kësaj pjese të mandatit. Në nivelin e ngritjes së cilësisë, jo në shtim të objekteve shkollore, se numri i objekteve shkollore në komunë për shkak të numrit të rënies së nxënësve është e mjaftueshme”- tha ai.

Azizi tha se do të fillojnë me një shkollë mësimin gjithëditor si pilot-projekt.

“Do të fillojmë në qytet. Nuk ka mundësi në gjithë komunën e Vitisë të shkojmë me mësimin gjithëditor, po do të fillojmë në qytet në njërën shkollë të qytetit që është fillore dhe të pilotojmë domethënë”- tha ai.

Labinot Bisilimi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se do të bëjnë ristrukturim në fushën e arsimit në Viti.

“Ne do të bëjmë një ristrukturim. Shkollat prej klasës së pestë deri në klasën e nëntë do të mblidhen në dy shkolla kryesore. Me mësim gjithëditor, jemi të parët që e kemi propozuar, jemi të parët që e kemi thënë një gjë të tillë”- tha Bislimi.

Arsim Ademi nga Lëvizja Vetëvendosje premtoi fillimin e mësimit gjithëditor si pilot-projekt në dy shkolla.

“Ne fillojmë që duhet me i pilotu fillimisht me dy, tre shkolla, e pastaj gradualisht me u rritë. Mendoj që kjo është alternativa e duhur. Por kjo është veç një prej gjërave, se për fillimin e mësimit gjithëditor janë edhe disa parakushte”- tha ai.

Sokol Haliti i LDK-së premtoi nisjen e mësimit gjithëditor në tri shkolla.

“Natyrisht, tri shkolla. Por para se me i përgatitë se për shkak se hapësirat i kam përgatitur vetëm tre shkolla. Shkollat fillore në Viti dhe shkollën fillore në Pozhoran. Por në anën tjetër ne duhet të bëjmë kuzhinë funksionale dhe edhe për përgatitjen dhe shërbimin e ushqimit”- tha ai.

Ndarja e drejtorive komunale

Arsim Ademi nga LVV premtoi se së paku 30% të drejtorive komunale nëse fiton zgjedhjet komunale në Viti do të udhëhiqen nga gratë.

“30%. Ne nuk e kemi problem me dhënë 60%. Problemi është që ne me atë kuotën minimale duhet me e respektu. Pjesa tjetër varësisht prej nevojave, se tash ne nuk e dimë se në cilën drejtori ku është çfarë profili kemi”- tha ai.

Sokol Haliti nga LDK tha se 50% e drejtorive komunale me të si kryetar do të udhëhiqen nga gratë.

“Ju e dini që 40% i kam pasur. 50% natyrisht. Për shkak se 50% i kemi pasur, por njëra ka shkuar jashtë. Sërish do ta rikthejmë. Përndryshe, kuota përfaqësuese është me 30%, por edhe kuotën përfaqësuese e kam përmirësuar në listë 42%”- tha ai.

Labinot Bislimi nga AAK deklaroi se 50% deri në 70% e drejtorive komunale do të udhëhiqen nga gratë.

“Çdo grua e cila e ka kapacitetin dhe kompetencën do ta ketë të drejtën të barabartë për të kandiduar dhe për të qenë drejtoreshë. Pra, në aspektin e kuotës mund të jemi 50%, po mund të jenë edhe 70%”- tha ai.

Bekim Azizi nga PDK premtoi se 40% deri në 50% e drejtorive komunale do t’u jepen në udhëheqje grave.