Shkolla fillore "Nazmi Osmani" në fshatin Semajë të Kaçanikut, Foto: Sahide Brati/KALLXO.com

Shkollat e mbyllura në fshatrat e Kaçanikut kanë mbetur në mëshirën e kohës

Numri shumë i vogël i nxënësve në Sllatinë, Kotlinë, Semajë, Gjurgjedell, Llanishtë, Kërbliq e Koxhaj ka bërë që shkollave të këtyre fshatrave të Kaçanikut t’u vihet dryni.

Në oborre e klasë asnjë zë, as i nxënësve, as i mësimdhënësve, copa të thyera të xhamave përreth, dritare e mure të dëmtuara… Kjo është pamja e trishtë e disa prej shkollave të mbyllura.

Në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Kaçanikut tregojnë se është mbyllur një numër i madh i shkollave. Kjo për shkak të lëvizjes së popullatës dhe, rrjedhimisht, rënies së numrit të nxënësve.

Sa u përket objekteve shkollore në Komunë thonë se nuk kanë plane dhe se ato kanë mbetur në mëshirën e kohës.

Banorët shprehen të mërzitur nga mbyllja e shkollave.

Hetem Hasani, banor i fshatit Semajë, thotë se shkolla në fshatin ku ai jeton është e mbyllur.

Shkolla fillore “Nazmi Osmani” në fshatin Semajë të Kaçanikut, Foto: Sahide Brati/KALLXO.com

Ai kujton kohën kur nxënësit e gjallëronin shkollën me aktivitetet e tyre.

Meqë ka punuar në të, përmendja e shkollës i ngjall shumë kujtime. Ai e pranon se e ka të vështirë të kalojë në atë pjesë pasi nuk mund ta shohë shkollën në gjendjen që është tani.

Hetemi ka treguar se këtë po e përjeton rëndë.

“Me ju thënë të drejtën shumë jam zhgënjyer dhe shumë jam mërzitur sa herë që kaloj… Nganjëherë s’mund të shkoj për arsye se ka mbetur shkolla mbyllur, po fati deshti ashtu, nxënësit pasi që po i bartin mirë është”- ka thënë ai.

Ai ka shtuar se në vitet e ’70 punonte në këtë shkollë edhe me 13 nxënës, 4 klasë të kombinuara.

Rufije Loku nga Kotlina e Kaçanikut ka thënë se më herët, në periudha të ndryshme e të vështira, shkolla ka qenë e hapur.

“Tash edhe prej shtatorit d.m.th. ky vit i ri shkollor nuk ka filluar këtu në fshat edhe pse shkolla ka qenë deri në klasën e 9-të. Por është kriju një zgjidhje për fëmijët që kanë pasë me e ndjekë shkollimin këtu”- shtoi Loku.

Shkolla “Naim Frashëri” në fshatin Kotlinë të Kaçanikut, Foto: Sahide Brati/KALLXO.com

Isen Shorra nga fshati Sllatinë ka treguar se shkolla është mbyllur e nxënësit tha se duhet të shkojnë në shkollën në fshatin Doganaj, rreth 4 kilometra larg.

E në mungesë të nxënësve, Emrush Mjaku nga Gjurgjedelli tha se shkolla në këtë fshat është e mbyllur.

Kjo shkollë shtoi se ka qenë 9-vjeçare. Ai tregoi se zërat e fëmijëve tash mungojnë.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Kaçanik, Zahir Doda, tregoi se është mbyllur një numër i madh i shkollave në këtë komunë për shkak të rënies së numrit të nxënësve, për shkak të lëvizjes së popullatës.

Drejtori tha në vitin 2016 është mbyllur paralelja e parë e ndarë, shkolla fillore “Nazmi Osmani”, në fshatin Semajë. Ky objekt ai tha se është shumë i dëmtuar dhe pa mbikëqyrje.

Ndërsa në shtator të vitit 2018 tha se është mbyllur paralelja e ndarë e shkollës “Ali Asllani” në Koxhaj, e cila ka qenë shkollë fillore prej klasës 1 deri në 5, në të cilën kanë qenë vetëm 13 nxënës.

Në të njëjtin vit, më 2018, ai shtoi se në Sllatinë është mbyllur shkolla fillore “Florian Ischinger”, paralelja e ndarë e shkollës “Ali Asllani”. Aty ai tha se kanë qenë vetëm 4 nxënës.

Shkolla fillore “Florian Ischinger” në fshatin Sllatinë të Kaçanikut, Foto: Sahide Brati/KALLXO.com

Po ashtu më 2018 drejtori tregon se është mbyllur edhe paralelja e ndarë e shkollës fillore “Emin Duraku” në fshatin Llanishtë nga klasa 1 deri në 5.

Në shtator të vitit 2022, Doda tregoi se është mbyllur paralelja e ndarë e shkollës fillore “Emin Duraku” në fshatin Kërbliq. Kur është mbyllur ky objekt shkollor drejtori tha që nuk ka qenë asnjë nxënës.

Ndërsa, në shtator të vitit 2023, sipas drejtorit, është mbyllur edhe shkolla amë “Naim Frashëri” në fshatin Kotlinë, nga klasa 1 deri në 9. Aty kishin mbetur vetëm 3 nxënës, të cilët tash barten në shkollën “Idriz  Seferi” në Kovaqec të Kaçanikut.

Shkolla fillore “Emin Duraku”, paralelja e ndarë në Gjurgjedell, po ashtu është mbyllur. Aty kishin mbetur vetëm shtatë nxënës.

Drejtori ka treguar se asnjë nga mësimdhënësit nuk ka mbetur pa u sistemuar dhe se të gjithë nxënësit barten në shkolla.

“Për mësimin e obliguar ne jemi të obliguar që të sigurojmë transportin dhe atë e kemi bërë. Asnjë nga mësimdhënësit nuk më ka mbetur pa u sistemuar. Të gjithë nxënësit barten në shkollat më të afërta ose në pikat ku kanë propozuar prindërit”- ka thënë Doda për KALLXO.com.

Shkolla fillore “Emin Duraku”, paralelja e ndarë në fshatin Gjurgjedell të Kaçanikut, Foto: Sahide Brati/KALLXO.com

Ai ka thënë se procedurat rreth mbylljes së shkollave kanë shkuar sipas udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit.

“Dokumentacioni është bartur në shkollat amë, ashtu siç është e paraparë me udhëzim administrativ të MASHT-it, është bërë njoftimi në MASHT, është formuar komisioni, kanë dalë në terren edhe komisioni, gjithçka ka shkuar sipas legjislacionit në fuqi dhe në fund vendimi është marrë prej kryetarit të Komunës”- ka treguar drejtori.

Drejtori Doda ka thënë se për këto shkolla nuk kanë plane. Ato mbeten në mëshirën e kohës.

“Për objektet shkollore të mbyllura nuk kemi ndonjë plan të shfrytëzimit, thjesht mbeten në mëshirën e kohës sepse zonat ku gjenden këto objekte janë kryesisht pa banorë”- ka thënë Doda.

Drejtori Doda tha se përpos shkollës në Sllatinë, e cila mirëmbahet, shkollat e tjera nuk mbikëqyren.

Nga viti 2016 e deri në shtator të 2023 janë mbyllur 7 shkolla në fshatrat e Kaçanikut.