Kurti përkujton dëshmorët dhe martirët e rënë në Kaçanik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri homazhe në Kaçanik, duke i përkujtuar 28 dëshmorët e kombit dhe 32 martirët të cilët u vranë nga forcat e armatosura të Serbisë gjatë betejave në Lagjen e Re dhe në Rakoc.

Sipas një komunikate për media, Kurti nga atje tha se synimi gjenocidal i forcave serbe nuk kursente asnjë shtresë të shoqërisë sonë.

“Kur shkuam te lapidari në Rakoc, në mesin e emrave të shumtë që i pamë aty, ishte edhe emri i plakut 105 vjeçar, Nebih Livoreka, i lindur në vitin 1894. Pra, forcat e Serbisë okupatore, terorriste në ndërsymjen e tyre gjenocidale që synonte shfarosjen e shqiptarëve, nuk e kursyen edhe plakun 105 vjeçar, Nebih Livorekën”- u shpreh kryeministri më 09.04.2024

Duke nderuar të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit në betejat e Kaçanikut, kryeministri përmendi në veçanti katër gratë dëshmore të cilat duke mbrojtur popullsinë civile, “ranë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me armikun”.

“Është Mukadeze Lika Muhaxheri, janë Jehona dhe Lumnije Raka, dhe Emsale Frangu. Pra katër ushtare të UÇK-së, katër dëshmore të kombit sot që para 25 viteve ranë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike të Serbisë”- ka thënë Kurti.

Ai tha se Mukadeze Lika Muhaxheri në maj të vitit 1998, një vit para se të vritej si ushtare e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, ka qëndruar stoikisht në ballë të protestave kundër dhunës së Serbisë, të organizuara në Kaçanik.

Të pranishëm në këto homazhe ishin edhe Getoar Mjeku, zëvendësministër i Ekonomisë, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues të nivelit qendror e lokal dhe qytetarë të shumtë.