Pasaporta e Republikës së Kosovës Foto: Emirjeta Vllahiu/ KALLXO.com

Saga për lëvizjen e lirë, çka duhet ditur kosovarët nga 1 janari? - VIDEO

Kosovarët këtë vit dhuratën e fundvitit do e marrin në një kohë më të pazakontë – një ditë pas festës së Vitit të Ri. Me fishekzjarret e mesnatës për ndërrimin të motomoteve “do të hapen” edhe kufijtë e shteteve të Europës për turistë nga Kosova.

Pikërisht 1 janari përkon me datën në të cilën do të hyjë në fuqi vendimi për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës, pas më shumë se një dekadë zvarritje nëpër ambasada me një krah letra, për t’u pajisur me një vizë për të cilën në fund ekzistojnë gjasat të refuzohet.

Rruga deri në realizimin e kësaj të drejte fundamentale ishte e gjatë dhe e mundimshme, aq sa ishin të parelizuara ëndërrat e qytetarëve për të kaluar fundjavën në një vend tjetër në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi apo Turqi, për të vizituar më të dashurit e tyre në diasporë, apo për të mësuar më shumë rreth një shteti me të cilin ndajnë të njëjtin kontinent.

“Më kujtohet shumë mirë viti i kaluar kur ne të dyja në një konferencë për shtyp bëmë një thirrje të fuqishme për liberalizim të vizave. Tani këtë vit duhet të them se pothuajse ia dolëm sepse ky është një hap i avancuar përpara, që nga 1 janari Kosova do të mund ta shijojë e gëzojë lëvizjen e lirë në Bashkimin Europian si pjesa tjetër e regjionit”- tha Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen me 30 nëntor në një konferencë për media me presidenten Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Kosovë.

Me miratimin  e vendimit për viza më 18 prill nga Parlamenti Europian, 26 vendet e Shengenit: Austria, Belgjika, Republika Çeke, Kroacia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Suedia dhe Zvicra. Edhe pse është pjesë e Shengenit është dhe Spanja, për kosovarët viza për atje nuk vlen, pasi që Spanja e cila nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu viza nuk vlen as për në vizitë në Qipro, Bullgari dhe Rumani.

Hapat për të shëtitur Europën

Vetëm dy javë më parë, një lajm i keqinterpretuar që Franca ka pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovën, i publikuar në disa media, i trazoi qytetarët. Ky rast shpërfaqi dëshpërimin  e kosovarëve, nëse veç pezullohet lëvizja e lirë. 

Çështja e vizave për Kosovën u bë shkak i polemikave pas deklaratës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron në Samitin e Tiranës, e cila u përkthye dhe nënkuptua si pezullim i vizave. Por kjo deklaratë u përgënjeshtrua nga institucionet e BE-së, të cilat thanë se asnjë vend anëtar nuk ka kërkuar apo ndërmarrë nismë për pezullimin e lëvizjes së lirë.

Qytetarët e Kosovës për të udhëtuar nga lirshëm nga viti i ardhshëm duhet të jenë në dijeni me disa nga rregullat të cilat nuk duhet të shkelen dhe që mund të dërgojnë edhe në pezullim qoftë të vizës individuale, apo edhe të përgjithshme.

Për të udhëtuar qytetarët duhet të posedojnë pasaportë biometrike (e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së largimit nga zona Schengen); dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit  në zonën Shengen; dëshmi mbi qëndrimin si rezervimi i hotelit apo detajet e vendqëndrimit; detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimin e biletës kthyese; nëse udhëtohet me veturë, dokumentet e nevojshme të veturës dhe dëshmi posedimi të mjaftueshëm parash. 

 

Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit, ETIAS, ende nuk është funksional dhe sipas paralajmërimeve mund të operacionalizohet dikur gjatë ose pas vitit 2024, bazuar në të dhënat e webfaqes zyrtare për integrime evropiane, Integrimi Evropian.

 

Sipas informatave zyrtare, derisa ETIAS nuk është ende në funksion, qytetarët e Kosovës me pasaportë do ta kenë të drejtën e udhëtimit pa viza nga 1 janari.  Ndërsa në momentin që është plotësisht operativ dhe funksionon, sistemi ETIAS do të vlej për të gjitha shtetet që nuk kanë viza për të hyrë në zonën Schengen, përfshirë edhe Kosovën.

Shqetësimet e sigurisë me terrorizmin dhe krizën e emigrantëve të shpërfaqura më dukshëm viteve të fundit në Europë kanë bërë që të  krijohet një menaxhim më të mirë, ETIAS, në mënyrë që të kontrollohet se kush po hyn në kufijtë e BE-së. 

Secili aplikant duhet t’i nënshtrohet një kontrolli të detajtuar të ETIAS për të përcaktuar nëse ata mund të hyjnë në zonë Shengen. Hapat për të aplikuar për ETIAS janë plotësimi i formularit  euro dhe pritja për konfirmim. Gjatë këtij aplikimi nuk lejohet të ofrohen informata të rreme pasi që sistemi është i lidhur me shumë baza të dhënash për verifikim, dhe nëse të dhënat e ofruara janë të rreme, do të revokohet ETIAS-i i personit në fjalë.

Shpeshherë, ETIAS po ngatërrohet me vizën, gjëra që nuk janë të njëjta. Për vizë duhet të paguhen tarifa, dhjetëra dokumente, duhet të pritet me javë për një përgjigje, mbushja e aplikacionit merr shumë kohë. Ndërkaq, për ETIAS, procesi është lehtë i zbatueshëm, pasi që nuk ka shumë procedura burokratike: paguhen vetëm 7 euro tarifë për të rritur dhe procedurat janë të gjitha online.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen. Për çdo shkelje të mundshme, si punë, studime apo shkelje e afatit kohor për qëndrim në vendet evropiane, pasojnë masa ndëshkuese.

“Epo, përsëri, nëse zbulohet se i kaloni ato 90 ditë brenda gjysmë viti, në thelb, ju po qëndroni atje ilegalisht. Natyrisht, nëse shikoni vendimin për liberalizimin e vizave, nëse keni shumë njerëz që qëndrojnë më shumë se që duhet ose që nuk i respektojnë ato rregulla… duhet të dihet që liberalizimi ka të bëjë me turizmin. Pra nuk është për të punuar, nuk është për të studiuar”- ka thënë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szyoung në një intervistë për KallxoPërnime.

Szyoung tha që ekziston mundësia që t’i ndalohet zyrtarisht për 10 vite hyrja në zonën Schengen, personit që nuk i përmbahet rregullores. Në rastin më të keq, nëse ka shumë raste të njerëzve që shkelin rregullat, atëherë në fakt vendimi për liberalizim të vizave mund të përfshijë edhe mundësinë e pezullimit”- tha ai.

“…ka disa gjëra për të cilat njerëzit duhet të ndërgjegjësohen dhe duhet të jenë të kujdesshëm sepse mund të lëndojnë jo vetëm veten e tyre, por edhe Kosovën si tërësi” -ka thënë Szunyog.

Ndërkaq, liberalizimi i vizave që u miratua për Kosovën, vlen vetëm për poseduesit e pasaportës së Kosovës, por jo edhe për ata shtetas të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe.

Vendimi për liberalizimin e vizave është miratuar nga Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian më 19 prill 2023 dhe është nënshkruar nga kryetarja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola. Vendimi është publikuar në gazetën zyrtare të BE-së më 25 prill 2023.

Pritja dhe rruga e gjatë për viza

Për 12 vite, kosovarët pritën e grumbulluan një mori dokumentesh për të aplikuar për një vizë. Çmimi i një vize në Kosovë varet nga ambasada, dhe kushton diku në mes të 35 deri 80 euro, pa përfshirë shpenzimet e agjencive për aplikime, sigurimi shëndetësor, rezervimi i hotelit, dokumentet komunale.

“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-europian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë. Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit”- kishte thënë presidentja Vjosa Osmani në Samitin e Bashkimit Europian më 26 qershor 2022.

Kosovarët kanë shpenzuar mbi 89 milionë euro për viza gjatë viteve 2016-2021, diku rreth 165 euro për aplikim, sipas raportit të Grupit për Ballkan. Përderisa në njërën anë qytetarët janë munduar e kanë shpenzuar për viza, në anën tjetër është zvarritur procesi në nivel më të lartë.

Në janar të vitit 2012, Komisioni Evropian i BE-së nisi zyrtarisht dialogun me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave. Që nga nisja e këtij dialogu e deri në fund të vitit 2021, kosovarët kanë parashtruar 659.029 aplikime për vizë Schengen, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.

Më 12 tetor 2022, Komisioni Europian konfirmoi në Raportin të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Komisioni Europian, në vitin 2018, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë, por disa udhëheqës të bllokut kanë shprehur vazhdimisht rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve, gjë që ka bërë që procesi të shkojë zvarrë.

Gjatë vitit 2022, qeveria e Kosovës ka punuar me Komisionin Evropian dhe Presidencën Çeke të BE-së për ta kthyer në agjendë të Këshillit të BE-së këtë temë. Qeveria e Kosovës me 12 gusht, 2022 ka dërguar një raport të përditësuar teknik tek Komisioni Evropian me theks në arritjet në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupcsonin e krimit të organizuar, riatdhesimin, menaxhimin e azilit e migrimit. 

Pasi që Presidenca Çeke e ka vendosur në agjendën e Këshillit në grupin punes të vizave, është zhbllokuar procesi i cili kishte ngelur i bllokuar për 4 vite.

Më 14 tetor 2022, dosja e liberalizimit të vizave për Kosovën kishte kaluar në Grupin Punues të Vizave në kuadër të Këshillit të BE-së. Derisa me 22 nëntor 2022 në mbledhjen e Grupit Punues të Vizave është dakorduar që qytetarët me pasaporta të Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën Shengen pas funksionalizimit të sistemit ETIAS me 1 nëntor 2023 apo me 1 janar 2024, në rast të shtyrjes së funksionalizimit të sistemit ETIAS.

Pas disa fazash, me 9 mars 2023, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për liberalizim të vizave për t’i hapur rrugë miratimit përfundimtar. Me 18 prill të vitit 2023, Parlamenti Evropian ka miratuar ​Rregulloren dhe plotësim ndryshimin e Rregullores për të shtuar Kosovën në listën e vendeve që mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.






Pasi që autoritetet e Kosovës morën zyrtarisht Udhërrëfyesin në qershor të 2012-ës dhe ratifikuan demarkacionin me Malin e Zi në vitin 2016, Komisioni Europian rekomandoi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën në korrik të vitit 2018 dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të miratojnë liberalizimin e vizave. 

Udhërrëfyesi përcaktonte një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ripranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Franca dhe Holanda e kishin zvarritur këtë proces. Vendimin për liberalizimin e vizave, Franca e ka ndërlidhur me sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, përshtatja e Kosovës me politikën e vizave të BE-së, rritja e kontrollit të kufijve dhe vazhdimi i riatdhesimit të atyre që duhet të lëshojnë territorin e BE-së.

Edhe pse Komisioni Europian rekomandoi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën dhe  liberalizimi u votua edhe në Parlamentin Europian, vendimi final kishte mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së duke e lënë kështu Kosovën të vetmin shtet të Ballkanit Perëndimor me regjim të vizave.