Presidenti francez, Emmanuel Macron - Foto: Facebook

Deklarata e presidentit francez për liberalizimin e vizave shkakton huti, institucionet e Kosovës s’e thonë asnjë fjalë

Një deklaratë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, e bërë në Tiranë në lidhje me çështjen e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës ka ngjallur huti e debat në opinionin kosovar.

Ne mediat vendore dhe ndërkombëtare gjatë ditës kanë qarkulluar disa versione të deklaratës së presidentit Macron.

Sipas përkthimit në videon e transmetuar në profilin zyrtar të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidenti francez ka thënë kështu: “E them me qartësi ju kemi besuar për vizat, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respekt për fjalën e dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që palët të angazhohen që të ecin përpara dhe është kushti i paqes në të gjithë zonën”.

Ndërsa, sipas Radio Evropa e Lirë, Emmanuel Macron, ka thënë se “Franca bëri një gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”- ka thënë Macron sipas Radio Evropës së Lirë.

Një tjetër version i kësaj deklarate u publikua në gazetën franceze “Le Figaro”.

Përkthimi i citatit të përdorur nga kjo gazetë thotë se Macron u shpreh kështu: “E them me shumë qartësi, ne kemi bërë një gjest besimi rreth çështjes së vizave. Ajo është pezulluar sa i përket Francës, në respekt të fjalës së dhënë dhe fjala sot nuk është mbajtur. Unë pres një angazhim të vërtetë nga të dy autoritetet për të përparuar në javët e ardhshme. Ky është kushti edhe për paqe në tërë rajonin”.

Këtë deklaratë, profesori i gjuhës frënge në gjimnazin “Ulpiana”, në Lipjan, Arianit Murati, për KALLXO.com e ka përkthyer kështu: “E them me shumë qartësi, ne kemi bërë një gjest besimi sa i përket çështjes së vizave, dhe është pezulluar nga Franca si respekt i fjalës se dhënë, pra fjala e dhënë nuk po mbahet. Kështu që pres riangazhimin e këtyre dy autoriteteve për të ecur përpara në javët në vijim, ky është i vetmi kusht i paqes në të gjithë rajonin”.

Pas përhapjes së lajmit kinse presidenti Macron ka thënë se është pezulluar liberalizimi i vizave për Kosovën, drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, tha se presidenti francez vetëm ka konfuzuar sot me deklaratën e tij.

Sipas Shashës, ka zero mundësi që Franca në mënyrë unilaterale dhe krye në vete të pezullojë liberalizimin e vizave.

Sipas tij, Kosova ka kryer të gjitha detyrat e veta dhe mund të rrijë komod për liberalizimin e vizave.

“Nëse Presidenti Macron ka një qëndrim të ri lidhur me liberalizimin e vizave është mirë të sqarohet. Sot ai vetëm ka konfuzuar me deklaratën e tij. Ka zero mundësi që Franca në mënyre unilaterale dhe krye në vete të pezullojë liberalizimin e vizave. Kjo është ligjërisht e pamundshme”- ka thënë ai.

Për të sqaruar deklaratën e presidentit të Francës, KALLXO.com  u ka dërguar pyetje Ambasadës së Francës në Kosovë dhe Presidencës franceze, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Lidhur me pezullimin e mundshëm të vizave, KALLXO.com ka kërkuar informacione edhe nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola Von Cramon, por nuk ka marrë përgjigje.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka reaguar zyrtarisht për deklaratën e Macronit.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kërkuar një koment edhe nga institucionet e Kosovës.

Nga Qeveria e Kosovës kanë kërkuar t’u referohemi insitucioneve të Francës.

Një reagim të paqartë megjithatë e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Në platformën “X” (ish-Twitter), ajo ka shkruar në frëngjisht: “Dhe, ja!”, duke e shoqëruar me flamurin e Francës.

Pas deklaratës se Macronit,  lidhur me çështjen e vizave, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se “do të ishte dramatike për Kosovën” që të humbte të drejtën për lëvizje të lirë.

“Sot Kosova është futur vet në një kurth që ia ka bërë vetës, por s’ka qenë kurrë më mirë. Do të ishte dramatike që të humbiste një të drejtë të fituar që të lëvizë lirisht në Bashkimin Evropian. Dramatike. Ndërkohë, të dyja palët kanë në tavolinë një plan që është plani franko-gjerman, që është gjëja më e mirë e mundshme që mund t’i ndodhë Kosovës”- deklaroi Rama.

Liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pasi vendimi ka marrë miratimin në të gjitha instancat e Bashkimit Europian. Kosova ka nisur zyrtarisht edhe fushatën informuese për vizat.

Lansohet fushata informuese për liberalizimin e vizave

Ambasada gjermane në Kosovë, ka njoftuar se qytetarët që kanë pasaporta të Kosovës se duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtër.

Sipas njoftimit të ambasadës, udhëtimi pa viza nuk mundëson të punoni në Zonën Shengen.