Pasqyrë e procesit 9 muajsh të vaksinimit në Kosovë

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1 milion e 673 mijë e 578 doza të vaksinës kurse 782 mijë e 696 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Me shumë kritika u përcoll ky proces ndërsa institucionet shëndetësore në vend ende marrin merita se kanë menaxhuar mirë me COVID-19.

Mijërave vaksinave u doli afati e vaksinat e para Kosova i bleu tre muaj pasi filloi vaksinimi.

Procesi i vaksinimit në Kosovë filloi më 29 mars, me kryeministrin Albin Kurti i cili e mori dozën e parë në sallën e sporteve 1 Tetori në Prishtinë. Vaksinimi pastaj vazhdoi në sallën e sporteve si dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përpara se të zgjerohej tutje edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare në të gjithë vendin.

Fillimisht vaksinimi filloi me vaksinat e kompanisë AstraZeneca të cilat Kosova i pranoi donacion, 24,000 sosh, përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Punëtorëve shëndetësorë, qytetarëve mbi 80 vjeç dhe qytetarëve të tjerë në moshë me sëmundje kronike shëndetësore u është dhënë prioritet në vaksinim. Ky proces u nda në tri faza në tri periudha kohore.

Sidoqoftë, në mesin e qytetarëve ka pasur disa hezitime për të marrë vaksinën, madje edhe mes profesionistëve shëndetësorë.

Në fillim të procesit të vaksinimit, Ministria ishte këmbëngulëse në atë që qytetarët duhet të presin për të pranuar një ftesë për t’u vaksinuar, duke inkurajuar njerëzit të aplikojnë ose përmes platformës e-Kosova ose qendrës së tyre lokale të mjekësisë familjare.

Shumë qytetarë pa ndonjë termin paraprak u kthyen prapa nga qendrat e vaksinimit në ditët e para të vaksinimit, duke rezultuar me ankesa për vështirësitë e regjistrimit të qytetarëve të moshuar, shumë prej të cilëve nuk dinë të punojnë me kompjuterë.

Tre muaj pas fillimit të vaksinimit për disa kategori, më 29 qershor Ministria e Shëndetësisë kishte filluar vaksinimin masiv të qytetarëve kundër COVID-19. Në po të njëjtën ditë ishin konfirmuar edhe tri rastet e para të variantit Delta të COVID-19.

Ndonëse Ministria kishte emëruar këtë plan vaksinimi ‘masiv’ edhe më tej kishte vazhduar të vaksinonte qytetarët vetëm me një ftesë nga ky institucion dhe pa asnjë vaksinë të blerë nga buxheti i Kosovës.

Disa ditë më pas, kishin arritur në Kosovë kishte mbërritur kontigjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19 të Pfizer/BioNTech, nga kontrata e nënshkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe prodhuesit Pfizer.

Për këtë blerje nuk u bë kurrë publike kontrata pasi u klasifikuar si dokument sekret nga Qeveria e Kosovës. Edhe blerja e dytë që u bë në tetor nga ky prodhues vazhdoi të mbesë sekret shtetëror.

Në muajin korrik në Kosovë kishte filluar vaksinimi i personave mbi moshën 18-vjeç kurse një muaj më pas, në gusht, Ministria e Shëndetësisë kishte bërë të ditur se do të ndryshohet Plani Shtetëror i Vaksinimit për COVID-19 që do të lejojë vaksinimin e personave mbi 12-vjeç. Vaksinimi i kësaj moshe kishte filluar më pas në muajin nëntor.

Në shtator, Ministria e Shëndetësisë kishte lansuar certifikatën e vaksinimit kundër COVID-19 e cilat edhe pas katër muajsh ende nuk njihet në vendet e Bashkimit Evropian. Po ashtu në shtator, Kosova kishte administruar 1 milion vaksina kundër COVID-19.

Ndonëse në muajin shtator, Ministria kishte filluar me dhënien e vaksinave në shtatë ditë të javës, këtë proces e kishte ndaluar pa paralajmërim një muaj më vonë. Në muajin tetor ishte ndërprerë procesi i vaksinimit gjatë ditëve të vikendit.

Në fillim të muajit nëntor, MSh kishte marrë vendim që të largonte tërësisht terminet në procesin e vaksinimit. Me anë të këtij vendimi qytetarët mund të vaksinoheshin në cilëndo qendër të vaksinimit në Kosovë, pa termin të caktuar paraprakisht.

Në dhjetor, Ministria e Shëndetësisë ka ulur orarin e vaksinimit nëpër Qendrat e Vaksinimit në komunat e Kosovës, nga gjithëditor sa ishte, në orar 8 orësh. Po në këtë muaj, Kosova detektoi 9 rastet e para me variantin e ri të COVID-19- Omicronin.

Po ashtu, në dhjetor, Kosova ka filluar me dhënien e dozës së tretë dhe asaj përforcueses kundër COVID-19.

Në Kosovë jepen vetëm vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.