Vaksina, ilustrim Foto: Pixabay

Shkup: Thirrje për vaksinim pas rasteve me kollën e keqe

Në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rritje numri i pacientëve të prekur nga gripi sezonal. Por, për mjekët pediatër shqetësues është fakti se janë regjistruar dy raste te fëmijët me infeksionin ‘pertusis’, të njohur edhe si kolla e keqe.

Të dyja rastet e fëmijëve të prekur nga kolla e keqe, një në Kërçovë dhe një foshnje 6- muajshe në Shkup, nuk e kanë marrë vaksinën DTP që mbron nga bakteret që shkaktojnë tri sëmundje ku bën pjesë edhe pertusis ose kolla e keqe.

Numri i vogël i fëmijëve të vaksinuar me këtë vaksinë, por edhe me të gjitha vaksinat e tjera pas pandemisë, është një nga arsyet e shfaqjes së kollës së keqe, sëmundje kjo e cila me zbulimin e vaksinës konsiderohet pothuajse e zhdukur.

Në bazë të të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik maqedonas, mbulimi i popullsisë me vaksinim primar është nën 90 për qind për të gjitha vaksinat ku bën pjesë ajo kundër verdhëzës ose hepatitit B, vaksinën kundër gripit, vaksinën e trefishtë kundër difterisë, tetanusit dhe kollës së keqe (DTP ) dhe vaksina MRP kundër fruthit, si dhe atë kundër virusit papilloma humane (HPV).

Që të arrihet imunizimi kolektiv duhet të jetë e vaksinuar mbi 95 për qind e popullsisë.

“Sipas raportit vjetor për vaksinimin e kryer në Maqedoninë e Veriut në vitin 2022, mbulimi me vaksinim primar me tri doza të vaksinës DTP është vetëm 83.9 për qind në nivel të shtetit. Prindërit duhet t’i kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe nëse e kanë humbur një dozë vaksine ose nuk i kanë vaksinuar fare, në atë rast menjëherë duhet të telefonojnë qendrën e vaksinimit dhe ta vaksinojnë fëmijën sipas kalendarit të vaksinimit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Kristina Stavridis, nga Instituti për Shëndet Publik.

Autoritetet shëndetësore, krahas thirrjeve për vaksinimin me kohë të fëmijëve, nga prindërit kërkojnë që mos bien pre e dezinformatave për sigurinë e vaksinave.

“Prindërit duhet të besojnë në vaksina, pasi vaksinimi i fëmijëve është forma më e sigurt dhe më e mirë për mbroje nga epidemitë, përkatësisht të mos ketë përhapje të sëmundjes dhe shfaqjes së pasqyrës së rëndë nga kolla, si te fëmijët ashtu edhe te foshnjat”, thotë për Radion Evropa e Lirë, mjeku Shpëtim Rexhepi.

Ai thekson se kolla e keqe mund të parandalohet me sukses përmes vaksinimit të rregullt duke ua kujtuar prindërve se vaksinimi kundër kësaj sëmundjeje bëhet me tri doza, në moshën 2, 4 dhe 6 muajsh.

Më pas bëhen dy rivaksinime, e para në moshën 18-muajshe dhe e dyta në moshën 7- vjeçare, gjegjësisht në klasën e dytë./REL