Ilustrim

Ndryshohet Plani Shtetëror i Vaksinimit, lejohet vaksinimi i personave mbi 12-vjeç

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se do të ndryshohet Plani Shtetëror i Vaksinimit për COVID-19 që do të lejojë vaksinimin e personave nën 18-vjeç.

“Duke marrë parasysh që vaksina Pfizer BioN/Tech është aprovuar nga FDA dhe EMA për vaksinimin e moshave mbi 12 vjeç, plotësimi i planit përfshin:  Vaksinimin e personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer dhe vaksinimin e grup moshës 12-15 vjeç me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”, thuhet në njoftim për media nga ana e Ministrisë.

Ditë më parë, Këshilli i Prindërve të Kosovë ka deklaruar se është mirë që edhe nxënësit mbi 12-vjeç të vaksinohen para se të fillojë viti i ri shkollor.

Deri më tani në Kosovë janë vaksinuar vetëm personat mbi 18 vjeç.

Aktualisht numri i rasteve aktive me COVID-19 është 8 mijë e 544. Komuna e Prishtinës është qyteti me më së shumti raste aktive, 1 mijë e 572 të tillë.

Deri më tani në nivel vendi janë shënuar 116 mijë e 247 raste pozitive me coronavirus, prej tyre 2 mijë e 284 kanë vdekur.