Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjatë vikendeve, s’do të ketë vaksinim antiCOVID

Ministria e Shëndetësisë ka ndërprerë procesin e vaksinimit për ditët e vikendit. Ndërprerjen e këtij procesi, Ministria e Shëndetësisë e ka konfirmuar për KALLXO.com, përmes një përgjigje me shkrim.

KALLXO.com është interesuar në Ministri për këtë çështje, pasi në ditën e diel, me 17 tetor kishte vizituar disa qendra vaksinimit të cilat kanë qenë të mbyllura.

Vizitat në qendrat e vaksinimit ishin bërë për shkak të disa raportimeve të ardhura në adresë të KALLXO.com.

Në përgjigjen e MSh-së thuhet se vaksinimi gjatë vikendeve ka qenë i paraparë të kryhet vetëm për 5 javë radhazi dhe është kryer si proces.

Për një gjë të tillë, pra se ky proces do të zgjaste vetëm pesë javë, Ministria e Shëndetësisë nuk kishte njoftuar asnjëherë në mënyrë zyrtare.

KALLXO.com ka kërkuar nga Ministria informacione se pse nuk ka njoftuar zyrtarisht rreth ndërprerjes së procesit, të njëjtit kanë thënë se këtë gjë e kanë bërë përmes “disa mediave që kanë bërë storie përmes së cilave zyrtarët e MSh-së kanë njoftuar se vikendit nuk ka vaksinim nga kjo javë”.

“Dje dhe pardje nuk ka pasur asnjë termin të caktuar për vaksinime (as termin për dozë të parë e as për dozën e dytë), prandaj kushdo që i është drejtuar qendrave të vaksinimit këtij vikendi, nuk ka pasur fare termin të caktuar. Vaksinimi vazhdon gjatë 5 ditëve të javës, pasi që, vaksinimi ditëve të vikendit, ndonëse u është ofruar qytetarëve si mundësi, interesimi nga qytetarët për ta shfrytëzuar për vaksinim ka qenë i vogël”, thuhet në përgjigjen, të cilën KALLXO.com e ka pranuar ditën e hënë.

Për më tepër, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se nuk kanë qenë “fare të kënaqur” me ecurinë e procesit në ditët e vikendit.

Sipas tyre, terminet në platformën online janë të rregulluara automatikisht dhe nuk ka më opsion të caktimit të terminit për ditët e vikendit.

“Vet platforma e-Kosova nuk lejon të caktohen termine vikendeve kur qendrat e vaksinimit nuk punojnë, me çka me automatizëm nënkuptohet se nuk ka vaksinime ato ditë. Kjo është e rregulluar në mënyrë automatike. Si Ministri nuk kemi ankesa për këtë çështje, ndërsa nuk jemi fare të kënaqur që qytetarët nuk po i shfrytëzojnë mundësitë për vaksinim, dhe gjatë ditëve të vikendit, ka pasur ditë me numra fare simbolik në vaksinim, sidomos me dozën e parë”, thuhet më tej në përgjigjen e Ministrisë.

Njoftimet se në ditën e diel nuk do të bëhen vaksinimet, KALLXO.com i ka parë edhe në njoftimet e Qendrave Mjekësore Familjare.

“Ju njoftojmë që me vendim të MSH vaksinimi antiCOVID nuk do të kryhet gjatë vikendeve”, thuhej në njoftimin e QKMF-së “Dr. Fahredin Hoti” në Rahovec.

Vaksinimi në Kosovë ka filluar me 29 mars ndërsa bazuar në Planin e Veprimit për vaksinimin në masë të qytetarëve me vaksinën kundër COVID-19, më 15 qershor, në Kosovë ka filluar vaksinimi masiv kundër COVID-19.

Nga 12 shtatori, qytetarët kanë pasur mundësinë e vaksinimit edhe gjatë të ditëve të vikendit. Vaksinat e disponueshme në Kosovë janë Pfizer dhe AstraZeneca.

Nga 12 shtatori fillon vaksinimi anti- COVID-19 edhe të dielave

Nesër fillon vaksinimi masiv në Kosovë, krijohen 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi