Regjistrohen 9 raste të variantit Omicron në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka bërë të ditur se sot janë testuar 22 mostra pozitive në SARS-CoV-2, të periudhës kohore 15-25 dhjetor 2021 dhe nga këto mostra, 9 prej tyre kanë rezultuar pozitive me variantin Omicron.

“Nga hulumtimi epidemiologjik, ka rezultuar se nga këto raste: 2 raste janë të importuara nga SHBA-të,2 raste janë të importuara nga Londra, Mbretëria e Bashkuar, 1 rast është i importuar nga Franca; dhe 4 raste me variantin Omicron të detektuar janë në komunën e Mitrovicës,  të cilët mohojnë historinë e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë”, thuhet në një njoftim për media.

Sipas IKShPK, testimi është kryer me RT PCR dhe kit-e shtesë të pranuar përmes OBSh-së.

“Pas paraqitjes së variantit Omicron (B.1.1.529) në botë, Evropë, rajon e tashmë edhe në Kosovë, parashikohet që të rëndoj situatën epidemiologjike. Ky variant, në bazë të të dhënave të deritanishme nga bota, ka një përhapje edhe më të shpejtë se varianti Delta Plus”, thuhet më tej në njoftim.

MSh dhe IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë me përpikëmëri masat në fuqi dhe që të vaksinohen dhe t’i inkurajojnë tjerët për vaksinim.

“Kosova disponon me vaksina të miratuara për përdorim nga trupat më relevant botërorë. Vaksinimi mund të bëhet kurdo, pa termin, pavarësisht vendbanimit e shtetësisë”, përfundon njoftimi.

Omicron është variant i virusit që shkakton COVID-19. 

Sot në vend janë shënuar edhe 12 raste pozitive me COVID-19 dhe 1 viktimë.

Kompanitë, Pfizer dhe BioNTech njoftuan më 8 dhjetor se tri doza të vaksinës së këtij prodhuesi kundër COVID-19, treguan që gjenerojnë efekte neutralizuese kundër variantit të ri të koronavirusit, Omicron.

Vaksinat që jepen në Kosovë, janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.