Gjermani, një qytetar dyshohet se është vaksinuar 217 herë kundër COVID-19
Një 62-vjeçar nga Gjermania, kundër këshillës mjekësore, është vaksinuar 217 herë kundër Covid-it, raportojnë mjekët e atjeshëm.
Mjekët kanë raportuar një rast të veçantë në Gjermani ku një burrë 62-vjeçar ka marrë 217 doza të vaksinës COVID-19 kundër këshillave mjekësore.
Rasti i pazakontë, i dokumentuar në revistën The Lancet Infectious Diseases, thotë se burri në fjalë ka blerë dhe administruar injeksionet në mënyrë private gjatë një periudhe prej 29 muajsh. Çuditërisht, burri nuk përjetoi asnjë efekt negativ, sipas studiuesve nga Universiteti i Erlangen-Nurnberg.
Rasti i 62 vjeçarit doli në dritë përmes artikujve të gazetave, duke nxitur studiuesit ta ftonin për testim. Pavarësisht marrjes së dozave të shumta, 62 vjeçari nuk tregoi shenja të efekteve negative, me testet që zbuluan një përgjigje të fortë imune pa asnjë tregues të infeksionit COVID-19.
Ndërkohë që ka nisur hetimi për mashtrim të mundshëm për shkak të numrit të tepërt të vaksinimeve, nuk është ngritur asnjë kallëzim penal.
Vaksinat MRNA të përdorura në këtë rast funksionojnë duke e trajnuar sistemin imunitar të trupit për ta njohur dhe luftuar virusin, dhe pavarësisht shqetësimeve për mbistimulimin e sistemit imunitar, burri nuk tregoi shenja lodhjeje në disa qeliza imune.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë kundër hiper-vaksinimit si një strategji, duke theksuar se gjetjet e tyre nuk janë mjaft bindëse për të rekomanduar një qasje të tillë. Në vend të kësaj, ata e mbrojnë regjimin standard të vaksinimit, me doza shtesë për grupet vulnerabël siç rekomandohet nga autoritetet shëndetësore.
Ndërkohë që rasti paraqet një anomali intriguese, sipas studiuesve, nuk sugjerohet nevoja për vaksina shtesë përtej regjimit të rekomanduar.
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar, NHS, në Angli, këshillon që vaksinat kundër COVID-19 zakonisht administrohen sezonalisht, me disa përjashtime për individët me sistem imunitar të dobësuar që mund të kërkojnë mbrojtje shtesë./BBC
Përgatiti: Nuhi Shala