Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK). FOTO: Ministria e Shëndetësisë
IKShPK: Në Kosovë ka rritje të lehtë të rasteve të kollës së mirë ‘Pertussis’
Në Kosovë ka rritje të lehtë të rasteve të kollës së mirë (Pertussis), krahasuar me vitet e fundit.
Kështu ka konstatuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës gjatë mbikëqyrjes permanente të situatës epidemiologjike në vend.
Përmes një njoftimi, IKShPK thotë se gjatë vitit 2024 ka regjistruar 8 raste të konfirmuara me laborator të Pertusisit, kryesisht te moshat e reja.
Ata kanë njoftuar po ashtu se Kolla e mirë është sëmundje ngjitëse.
“Pertusis që ndryshe njihet edhe si Kolla e mirë, është një sëmundje ngjitëse bakteriale që përfshin traktin e frymëmarrjes. Shkaktohet nga bakteria Bordetella pertussis që gjendet në gojën, hundën dhe fytin e personit të infektuar. Kjo sëmundje ngjitëse mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh i prek fëmijët dhe adoleshentët. Më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën 1 vjeçare” – thuhet në njoftimin e IKShPK-së.
Kjo sëmundje, IKShPK bën të ditur se përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave, spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar.
Sipas IKShPK, simptomat e kësaj sëmundjeje shfaqen 7 deri në 10 ditë pas infektimit, por mund të shfaqen edhe deri në 21 ditë më vonë.
“Fillimisht, simptomat ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë. Komplikimet më të shpeshta janë pneumonia dytësore bakteriale, komplikimet neurologjike, infeksioni i veshit të mesëm, dehidrimi, konvulsionet” – njofton IKShPK.
Mbrojtja më e mirë ndaj kësaj sëmundjeje, IKShPK konsideron se është parandalimi përmes vaksinimit të fëmijëve.
“Në Kosovë vaksinimi kundër Pertusisit bëhet sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, ku vaksina kundër Pertusisit jepet në moshën 2, 4 dhe 6 muajsh, ndërsa ri-vaksinimi në moshën 18 muajsh” – kanë njoftuar nga IKShPK.
Kurse, sa i përket trajtimit të kësaj sëmundje, IKShPK vlerëson se terapia me antibiotikë është trajtimi i zgjedhur për Pertusis, sidomos në javën e parë dhe të dytë nga fillimi i simptomave.
IKShPK ka paralajmëruar se Pertusisi mund të shfaqet tek i njëjti person më shumë se një herë gjatë jetës, sepse antitrupat që krijohen pas infeksionit ose imunizimit bien me kalimin e kohës.
Duke iu referuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), IKShPK ka përmendur se ato kanë raportuar për rritje të numrit të rasteve të Pertusisit në shumë vende të rajonit evropian gjatë pjesës së dytë të vitit 2023 dhe gjatë vitit 2024.
Po ashtu, IKShPK njofton se raste të Pertusisit janë regjistruar gjatë kësaj periudhe edhe në vendet e rajonit.
Si përfundim, IKShPK u ka bërë thirrje prindërve që t’i përmbahen Kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe t’i vaksinojnë fëmijët, sipas orareve të përcaktuara në kalendar.