Lansohet certifikata elektronike e vaksinimit kundër COVID-19

Nga sot qytetarët e Kosovës do të mund të shkarkojnë certifikatën elektronike të vaksinimit kundër COVID-19 në platformën e-Kosova e cila do të shërbejë si dëshmi për vaksinim.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se procedurat e shkarkimit janë të ngjashme sikurse caktimi i terminit për vaksinë.

Njoftimi i plotë:

MSh lanson certifikatën elektronike të vaksinimit kundër COVID-19

Prishtinë, 22 shtator 2021

Ministria e Shëndetësisë i njofton qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët janë vaksinuar kundër COVID-19 se mund të shkarkojnë certifikatën elektronike të vaksinimit nga platforma on-line e-Kosova.

Për ta shkarkuar certifikatën elektronike, qytetarët duhet të ndjekin procedurën pothuaj të ngjashme sikurse të caktimit të terminit për vaksinë, duke iu qasur llogarisë në platformën e-Kosova.

Me këtë rast, ata, pas hyrjes në llogarinë e tyre në e-Kosova, klikojnë tek rubrika “Pasaporta elektronike e Vaksinimit” ose përmes skanimit të QR kod-it dhe ju shfaqet opsioni “Shkarko”, përmes të cilit shkarkojnë certifikatën.