Edhe kontrata e re për blerjen e vaksinave kundër COVID-19 do të jetë konfidenciale
Qeveria e Kosovës ka vendosur përsëri që kontrata e re për blerjen e vaksinave kundër COVID-19 për vitin 2022 të jetë sekrete për opinionin publik.
Qeveria në mbledhjen e sotme ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë që kjo blerje t’i shmanget procedurave të Ligjit për prokurim publik, në përputhje me nenin 3 të këtij ligji.
Në këtë nen thuhet se kjo kontratë, për blerjen e këtyre vaksinave mund të mos jetë transparente për publikun për shkak të ndjeshmërisë.
Po ashtu për këtë blerje do të përdoren masa të veçanta të sigurisë në përputhje me këtë ligj.
“Pavarësisht nga dispozitat e tjera të këtij ligji, autoriteti kontraktues nuk do të kërkohet që të veprojë në përputhje me ndonjë procedurë të veçantë të prokurimit apo të respektoj dispozitat e këtij ligji mbi transparencën gjer në shkallën kur, përputhshmëria dhe respektimi do të kompromitonin sekretin e ligjshëm ose interesat e sigurisë gjatë kryerjes së aktiviteteve të prokurimit të rëndësishme për dhënien e një kontrate publike për të cilën Qeveria është pajtuar që ta përjashtojë nga fushëveprimi i këtij ligji sepse (i) ekzekutimi i kontratës në fjalë, sipas ligjit të aplikueshëm në Kosovë, kërkon përdorimin e masave të veçanta të sigurisë, ose (ii) Qeveria është pajtuar që ta klasifikojë lëndën e kontratës në fjalë si sekret. Përjashtimet sipas këtij neni lidhur me çështjet e rezervuara do të lejohen në pajtim me Ligjin për Qasjen në Dokumentet Publike”, thuhet në pikën 1 të nenit 3 të këtij ligji.
Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku ka kërkuar që kjo blerje të bëhet me kontratë të negociuar.
“Me qenë se kontrata me sasi të planifikuara për furnizim përfundon në fund të vitit 2021, MSh e ka të domosdoshme inicimin e procedurave për negocimin e kontratës për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 për vitin 2022″, ka kërkuar Gexha-Bunjaku.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se blerja e vaksinave shtesë me kontratë të negociuar është e nevojshme për shkak se duhet të përfundojë emergjenca shëndetësore.
“Meqenëse sasitë e kontraktuara më Pfiser prej 1.2 milion vaksinave mbulojnë nevojat për vaksinim të 60 për qind të popullatës është e nevojshme që të autorizohet MSh për negocim të vaksinave deri në imunizimin e plotë të popullatës, respektivisht në përfundimin e emergjencës shëndetësore”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kishte thënë se Kosova kishte blerë mbi 1 milion doza të vaksinës.
“Nëse flasim në total, janë 1 milion e 213 mijë vaksina të cilat janë blerë nga fondet e Republikës së Kosovës. Ndërsa, deri në momentin që tani po flasim, janë diku 700 mijë vaksina nga kontrata me Pfizer, të cilat kanë ardhur”, kishte thënë ai në emisionin “Kallxo Përnime”.
Negociatat dhe kontrata e parë e Kosovës me kompaninë Pfizer për blerjen e vaksinave kundër COVID-19 është po ashtu konfidenciale dhe nuk mund të bëhet publike për opinionin për shkak të marrëveshjes që ka pasur Kosova me këtë prodhues.
Sipas Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në territorin e Kosovës, thuhet se Qeveria e Kosovës obligohet që të sigurojë për të gjithë qytetarët vaksina të mjaftueshme kundër COVID-19.
Shpenzimet për vaksinën kundër COVID-19 dhe për vaksinimin e detyrueshëm, sipas këtij ligji, i mbulon Qeveria e Kosovës nga buxheti i saj, nga donatorët apo përmes kredive që i merr shteti.