Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nga sot në Kosovë ka filluar dhënia e dozës së tretë të vaksinës anti-COVID-19

Doza e tretë përforcuese kundër coronavirusit për personat mbi 18-vjeç nga sot do të jepet edhe në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se doza e tretë e vaksinës kundër coronavirusit duhet të jepet jo më herët se tetë javë dhe ende pa i bërë gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë.

“Doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues”, thuhet në njoftim.

IKShPK apelon qytetarët që të vaksinohen pasi që, sipas tyre, vetëm përmes vaksinimit do të luftohet pandemia COVID-19.

Sa i përket vaksinimit Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të fundit janë dhënë  2 mijë e 999 doza të vaksinave anti-COVID-19, përderisa deri më tani të vaksinuar komplet apo me dy doza janë 769 mijë e 967 qytetarë.

Në anën tjetër, vendet e rajonit dhe të botës  janë duke u ballafaquar me variantin e ri Omicron apo B.1.1.529. Në Kosovë ende nuk është identifikuar asnjë rast me këtë variant.

Sipas Institutit në rast se rritet numri i rasteve pozitive në nivel vendi do të paraqiste mbingarkesë për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësorë, andaj Instituti kërkon nga qytetarët që të respektojnë masat anti-COVID-19, të mbajnë maskën, të mbajnë distancën si dhe higjienën personale.

Brenda 24 orëve të fundit në Kosovë është regjistruar një rast i vdekjes me COVID-19 përderisa 19 qytetarë të tjerë kanë rezultuar pozitivë me coronavirus.

Aktualisht në nivel vendi janë 331 raste aktive me SARS-CoV-2.

Nga 13 marsi i vitit të kaluar e deri më tani në nivel vendi janë regjistruar 161 mijë e 176 raste pozitive me SARS-CoV-2, prej tyre 2 mijë e 986 kanë vdekur ndërsa janë shëruar 157 mijë e 859 qytetarë.