Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO
Pse beteja e fituar në Kushtetuese, e bëri pishman Lëvizjen Vetëvendosje – Pasojat dhe efektet juridike - (II)
Derisa organizimi i procesit zgjedhor të 14 shkurtit veçse ka filluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (këtu e tutje: KQZ), këto ditë, ndër të tjera, do të bëjë edhe verifikimin e listave të kandidatëve të subjekteve politike që garojnë në zgjedhje, pashmangshëm do të shtrohet edhe çështja e zbatimit të njërit prej efekteve kryesore juridike të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO95/20, (i miratuar më 21 dhjetor 2020, e i publikuar më 6 janar 2021), dhe i cili ka të bëjë me pamundësinë (papërshtatshmërinë) për t’u kandiduar për deputet në zgjedhjet e përgjithshme, në kontekst të kritereve kushtetuese dhe ligjore në fuqi.
Duke vendosur dhe shpallur të papajtueshme me Kushtetutën jurisprudencën e Gjykatës Supreme, e cila në interpretimet e saj kishte përcaktuar se heqja e të drejtës për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur mund të bëhet me vendim gjyqësor, përkatësisht me dënim plotësues, pra për heqjen e kësaj të drejte, krahas një dënimi kryesor, Gjykata Kushtetuese i riktheu KQZ-së mandatin e saj ligjor për të zbatuar drejtë Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, të cilin e kishte interpretuar Gjykata Supreme në mënyrë të gabuar, dhe për më keq, duke u përpjekur të interpretojë dispozitat e këtij ligji, kjo e fundit shkeli edhe në terrenin e Gjykatës Kushtetuese, kur u lëshua në interpretimin ekskluziv të dispozitave të nenit 45 (Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes) të Kushtetutës.
Sidoqoftë, për rrjedhojë me Aktgjykimin AA.-Uzh.nr.16/2017, të 19 shtatorit 2017, duke konstatuar se askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar në zgjedhje, nëse një e drejtë e tillë nuk i është hequr me vendim gjyqësor, e që do të thotë, se kandidati duhet me vendim të formës së prerë, të shpallet fajtor dhe gjykata, t’i ketë shqiptuar dënimin plotësues “heqjen e të drejtës për t’u zgjedhur”, Gjykata Supreme, ia ngushtoi rrezen e veprimit juridiksional të KQZ-së, për çka edhe ky i fundit, nuk mund t’i skualifikonte nga kandidimi, kandidatët që ishin të dënuar për vepër penale, me vendim të formës së prerë, në tre vitet e fundit, përveç kandidatëve që, sipas këtij vendimi të Gjykatës Supreme, ishin të dënuar me vendim gjyqësor me emërtimin “heqja e të drejtës për t’u zgjedhur”.
Këtë interpretim të Supremes, Gjykata Kushtetuese e konsideroi më shumë se absurd. Dhe me të drejtë, sepse sipas nenit 71 të Kushtetutës, secili shtetas i Republikës së Kosovës i cili është tetëmbëdhjetë vjeç ose më i madh dhe përmbush kriteret ligjore, mund të jetë kandidat për deputet, dhe njëri ndër këto “kritere ligjore” është që asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhjet për Kuvend nëse është dënuar për vepër penale me vendim përfundimtar të Gjykatës në tri vitet e fundit (sipas nenit 29.1(q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme).
Një standard i tillë i pastërtisë së figurës së kandidatit/ve, respektivisht, një praktikë e tillë e pamundësisë së kandidimit në zgjedhje parlamentare të personave të dënuar për vepra penale i shërben qëllimit të ruajtjes së integritetit kushtetues dhe besueshmërisë qytetare në organin ligjdhënës, si shtyllë themeltare e rendit demokratik, konstatoi ndër të tjera, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, kur analizoi praktikat e vendeve anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias.
Një konstatim i tillë, që pason me efekt të qartë juridik, nënkupton që ligji duhet të respektohet nga individët dhe autoritetet dhe ushtrimi i funksionit politik nga personat të cilët kanë shkelur ligjin në mënyrë serioze e vendos në rrezik zbatimin e këtij parimi të sundimit të ligjit, i cili është njëri nga parakushtet e demokracisë, dhe për këtë arsye rrezikon natyrën demokratike të shtetit të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, një efekt tjetër juridik, jo më pak i rëndësishëm, është edhe vendosja e detyrimit për bashkëpunimin ndërinstitucional në mes të KQZ-së, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Kuvendit, që janë institucione kompetente për të garantuar ligjshmërinë dhe integritetin kushtetues të proceseve zgjedhore dhe veprimtarisë parlamentare.
Në këtë kontekst, Aktgjykimi i Kushtetueses, vuri në dukje se, neni 29 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme i atribuon KQZ-zë kompetencën ekskluzive për të bërë vlerësimin e kushteve formale të kandidateve me rastin e aplikimit dhe certifikimit të tyre për të marrë pjesë në zgjedhje.
Kjo nënkupton se tani KQZ, me qëllimin e sigurimit të integritetit të procesit zgjedhor, duhet të bashkëpunojë ngushtë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për sa i përket konsultimit të Databazës së Evidencës Penale të këtij të fundit, nëse personat që kandidojnë në zgjedhje, janë të dënuar në tre vitet e fundit me vendime përfundimtare gjyqësore.
Po ashtu, një tjetër efekt juridik i këtij Aktgjykimi, është se mandati i deputetit humbë apo bëhet i pavlefshëm në mënyrë automatike, nga momenti i nxjerrjes së vendimit të formës së prerë gjyqësor me të cilin ai/ajo dënohet me një vjet e më tepër burgim, qoftë burgim efektiv apo me kusht.
Gjykata Kushtetuese, me të drejtë erdhi në përfundimin se në Kushtetutë e as në ligjet dhe rregulloret përkatëse nuk ka një procedurë të përcaktuar posaçërisht që duhet ndjekur për konstatimin e humbjes së mandatit, pasi të jenë plotësuar kushtet për mbarimin apo pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, për shkak të dënimit me burgim një vit e më tepër (siç e parasheh neni 70. 3.6. i Kushtetutës dhe nenet përkatëse të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit).
Megjithatë, Gjykata theksoi se mbi faktin e mungesës së një procedure të tillë të posaçme, nuk mund të konstruktohen interpretime të tilla kushtetuese që do t’a zhvishnin nga efekti praktik nenin 70.3.6 të Kushtetutës. Prandaj, Kushtetuesja me të drejtë konsideroi se qëllimi i nenit 70.3.6 të Kushtetutës dhe neneve ligjore në fjalë, që burojnë prej tij, është që të mos i mundësohet ushtrimi i mandatit një deputeti i cili është i dënuar me një vit apo më tepër burgim.
Përfundimisht, duke konsideruar që pavlefshmëria e mandatit të deputetit, fillon të rrjedhë ipso jure – automatikisht nga momenti i nxjerrjes së vendimit të formës së prerë për dënim të deputetit për vepër penale me një vjet e më tepër burgim, i jepet fund praktikave të Kuvendit që të qëndrojë i heshtur, duke mos vepruar në drejtim të zëvendësimit të një anëtari të tij, të dënuar si më sipër, për shkak të mungesës së një procedure shprehimore – expressis verbis për këtë qëllim, siç ishte rasti konkret me z. Etem Arifi, vota e të cilit solli këtë Aktgjykim me pasoja të shumta juridike.
Po ashtu, në mesin e efekteve që rezultojnë nga ky Aktgjykim, është edhe efekti implikues i tij në raport me vendimet e Qeverisë aktuale, e cila edhe pse rezultoi të ishte zgjedhur, nga ana e Kuvendit, në papajtueshmëri me Kushtetutën, megjithatë, vendimet e saj mbeten në fuqi, siç edhe mbetet në detyrë Qeveria aktuale, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Këtë qëndrim, Gjykata e mbështeti në jurisprudencën e saj të bazuar parimin e sigurisë juridike me qëllimin e evitimit të pasojave juridike të pamatshme e të pariparusheme, siç do të mund të ishin shkaktuar, nëse Aktgjykimi do të kishte efekt prapaveprues.
PJESA E PARË – LINK
(Në pjesën vijuese, përkatësisht në numrin e radhës, do të shtrohen pasojat dhe efektet tjera juridike të këtij me vështrim kritik ndaj këtij aktgjykimi.)
Faton FETAHU
Autori është njohës i të drejtës kushtetuese dhe parlamentare, me përvojë solide në këshilldhënie juridike