Pse beteja e fituar në Kushtetuese, e bëri pishman Lëvizjen Vetëvendosje – Pasojat dhe efektet juridike (1)

 

Në mesditën e së mërkurës të javës që shkoi, Gjykata Kushtetuese më në fund, publikoi aktgjykimin e plotë, e të shumëpritur, në rastin e regjistruar në këtë gjykatë me Nr. KO95/20, parashtrues të të cilit kishin qenë shtatëmbëdhjetë (17) deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës (anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Vetëvendosje!).

Siç dihet, parashtruesit në kërkesën e tyre, ngritën çështjen e përputhshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës (nr. 07/V-014, të 3 qershorit 2020), për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës (këtu e tutje: Qeverisë Hoti), me qëllimin që përmes vlerësimit të kushtetutshmërisë së këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese, t’iu japin edhe vulën e kësaj të fundit, argumenteve të tyre.

Por, çka kërkoi ky subjekt politik e çka vlerësoi, konstatoi e vendosi Gjykata Kushtetuese?

Meqë, Qeveria Hoti fitoi 61 vota “për”, (shumica e nevojshme për votimin e suksesshëm të Qeverisë) e z. Etem Arifi, mori pjesë në këtë vendimmarrje të shumicës, vota e tij, s’do mend se ishte votë konstituive e vendimtare e këtij vendimi të Kuvendit, për çka edhe, parashtruesit e kërkesës, ngritën rastin në Gjykatë mbi këtë objekt kontesti. Sipas tyre z. Etem Arifi nuk kishte mandat të vlefshëm në kohën e nxjerrjes në Kuvend të Vendimit të kontestuar për zgjedhjen e Qeverisë.

Ashtu edhe ndodhi, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e vlerësoi të bazuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe po ashtu, i konstatoi të bazuara shumicën e pretendimeve të tyre të përshkruara në kërkesë.

Por, për habinë e të gjithëve, kjo parti jo vetëm që nuk iu gëzua fitores së kësaj beteje juridike në instancën e gjykimit dhe interpretimit përfundimtar të Kushtetutës, por dëshpërimisht po përpiqet publikisht të vlerësojë e kontestoje të njëjtin si tejkalim të kufijve të kërkesës së tyre.

Sipas tyre, Gjykata, do të duhet vetëm të vlerësojë nëse me rastin e votimit të Qeverisë Hoti, z. Arifi kishte ose jo mandat të vlefshëm, por jo që Gjykata të bëjë verifikimin e nevojshëm të fakteve e rrethanave të rastit konkret, të cilat pashmangshmërisht e detyruan Kushtetuesen që të analizojë njëkohësisht dy segmente kushtetuese.

  • I pari, çështjen e humbjes së mandatit të deputetit kur i njëjti gjatë kohës së ushtrimit të tij, dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.
  • I dyti, çështjen e kandidimit për deputet në zgjedhjet e përgjithshme, nën dritën e kushteve kushtetuese e ligjore që duhet plotësuar sipas kuadrit kushtetues e ligjor në fuqi.

Për të kuptuar më lehtë thelbin e çështjes dhe arsyet e gjykatës se pse rastit i bëri vlerësim të tërësishëm meritor, le t’i kthehemi qëndrimeve të palëve të përfshira, të cilat përveç përgjigjeve në të shkruar, i ritheksuan të njëjtat edhe gjatë seancës dëgjimore, të organizuar nga gjykata enkas për rastin në shqyrtim.

Në pyetjen se a e ka humbur dhe, nëse po, kur e ka humbur Etem Arifi mandatin e tij, palët (përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, përfaqësuesi i Kryetares së Kuvendit dhe përfaqësuesi i Qeverisë) edhe pse me qëndrime të kundërta, asnjëri prej tyre, nuk kishte të drejtë.

Sepse Etem Arifi, nuk e kishte humbur mandatin e as humbja nuk kishte filluar të prodhojë efekt për Kuvendin, nga momenti kur Kuvendi është njoftuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për dënimin e deputetit në fjalë, siç pretendoi përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, e as nuk vazhdonte të kishte mandat, edhe pse z. Arifi tashmë ishte në vuajtje të dënimit, siç pretendoi përfaqësuesi i Kryetares së Kuvendit, por as nuk qëndroi pretendimi i përfaqësuesit të Qeverisë, se Etem Arifi ka humbur mandatin në legjislaturën e kaluar (VII-të), kur edhe është dënuar me vendim të formës së prerë, dhe sipas tij, mandati i Etem Arifi në këtë legjislaturë (VII-të) është i vlefshëm.

Për shkak të kompleksitetit të rastit, shihet qartë së gjykata, kishte vendosur të analizojë dhe shqyrtojë të gjitha faktet që e karakterizonin vet çështjen penale të z. Arifi, në mënyrë që të sillte në përfundim të saktë e të qëndrueshëm juridikisht edhe të ligjshmërisë së ushtrimit të mandatit të deputetit.

Ajo, theksoi se në kohën e shqiptimit të dënimit nga Gjykata e Apelit, më 19 mars dhe 20 gusht 2019, Etem Arifi ishte deputet i legjislaturës së kaluar të Kuvendit (VI-të), e cila legjislaturë u shpërnda pas votimit të Kuvendit më 22 gusht 2020. Mirëpo, z. Arifi nuk ishte zëvendësuar në legjislaturën e kaluar (VI-të), duke qenë se Kuvendi nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim lidhur me mandatin e tij. Për rrjedhojë, tashmë qenësore ishte pikë së pari a është dashur të lejohet kandidimi i tij për deputet, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, sipas nenit 71.1 të Kushtetutës dhe nenit 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, e nuk ishte  qenësore se a është dashur t’i merret Etem Arifit mandati i deputetit, në legjislaturën e kaluar.

Mbi këtë bazë, edhe u shtrua çështja e kandidimit për deputet, dhe Gjykata, nuk kishte rrugë tjetër kushtetuese, që përcaktonte fuqimisht atë që autori i këtyre rreshtave, edhe në cilësinë e detyrës që ushtronte, këshilloi Komisionin për Legjislacion të Kuvendit që në muajin Maj të vitit 2020 (kur edhe u ngit çështja e mandatit të z. Arifi), se mandati në fjalë kishte humbur ‘ispo jure’ – automatikisht, dhe se Kuvendi nuk duhet të shërbejë si përmbarues i vendimeve gjyqësore, për çka edhe kryetarja, z. Osmani, nuk e dinte se ishte e vonuar në inicimin e procedurës për zëvendësimin e tij, pa çka se i njëjti, s’do të duhet as të kalonte filtrin e certifikimit si kandidat për deputet.

Asgjë më pak e as më shumë, gardiani i Kushtetutës, konstatoi se korniza përkatëse kushtetuese dhe ligjore përcakton në mënyrë të qartë se mandati i deputetit mbaron apo bëhet i pavlefshëm nëse ai/ajo, “dënohet me vendim gjyqësor”; “dënimi është për një vepër penale”; “dënimi është me burgim për një periudhë kohore prej një (1) e më shumë vjet”; “vendimi i gjykatës është i formës së prerë”. Pra, në momentin kur plotësohen kumulativisht katër rrethanat e lartcekura ndaj një deputeti të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai/ajo e humb mandatin.

Tanimë, duhet t’i gëzohemi ngritjes së këtij standardi edhe në nivelin tjetër, atë të kualifikimit për kandidatë për deputet. Kushtetuta dhe ligji në fuqi për zgjedhjet e përgjithshme, nuk lejojnë që personi i dënuar për vepër penale as të kandidojë në zgjedhje (nëse ka qenë i dënuar për vepër penale gjatë tri viteve të fundit).

Siç edhe zbatohen praktikat e pastërtisë së figurës së bartësve të përgjegjësive e funksioneve publike, të dhëna edhe përmes opinioneve nga shtetet anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias si dhe qëndrimet e këtij të fundit në veçanti, edhe normat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës, nuk kanë synim parësor ndëshkimin e individëve të caktuar duke ua pamundësuar atyre ushtrimin e funksionit të deputetit, por kanë si qëllim themelor mbrojtjen e integritetit kushtetues dhe besueshmërisë qytetare në organin ligjdhënës, si shtyllë e demokracisë parlamentare.

Parashtruesit e kërkesës, e prisnin me të drejtë konstatimin e Gjykatës se vota e z. Arifi, e nxori vendimin kundërkushtetues për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, por ata, janë të pakënaqur, edhe pse Gjykata i bëri një shërbim demokracisë kushtetuese e parlamentare në Kosovë, dhe i qëndroi besnike parimeve të sundimit të ligjit, duke bërë një hap më tej në dekriminalizimin e skenës politike kosovare, dhe duke vendosur symbyllur ndaj çdo pale para saj, pa dallim, qoftë aktor politik e qoftë, qytetar i thjeshtë. Fundja ky është misioni i saj, të mbrojë në mënyrë të pakompromis parimet kushtetuese dhe barazinë e të gjithëve para Kushtetutës dhe ligjit.

Por, fatkeqësisht sipas parashtruesve të kërkesës, kjo Gjykatë, do të duhej vetëm t’i nënshtrohet vullnetit të tyre politik e jo mandatit të saj juridiksional për zbatimin e interpretimin e normave kushtetuese në fuqi. E kundërta e pritjeve të tyre, e bën këtë gjykatë, si gjithnjë sipas tyre, të kapur, të ndikuar e të anshme.

Sepse, tashmë nuk është temë Etem Arifi. Temë është, që ky vendim, penalizon në kandidim e certifikim çdo person që ka probleme me ligjin. Halli është se në zgjedhjet e 14 shkurtit, s’do të mund të kandidojnë personat që tashmë janë të dënuar për vepra penale me mbi një vit burgim, me vendim gjyqësor të formës së prerë, përgjatë këtyre tre viteve të fundit. Ndërkohë, ju mbetet subjekteve politike të propozojnë kandidatët e tyre, e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të bëjë verifikimin e nevojshëm dhe marrjen e vendimeve në pajtim me dispozitivin e qartë e të kuptueshëm, të këtij aktgjykimi.

Në pjesën vijuese, do të shtrohen pasojat dhe efektet tjera juridike të këtij aktgjykimi, përfshirë edhe rreziqet nga devijimi e keqinterpretimi i përmbajtjes së tij.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Faton FETAHU,

Autori është njohës i të drejtës kushtetuese dhe parlamentare, me përvojë solide në këshilldhënie juridike