Varrezat e viktimave civile në Mejë. Foto: Kallxo.com

Bisedat e paqarta për amnistitë nuk do të shërojnë plagët e Kosovës

Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit i Afrikës së Jugut është një shembull model se si të përdoret drejtësia transicionale pas konfliktit, dhe tregon se një proces i tillë kërkon të drejtohet nga individë me besueshmëri dhe dëshirë te mirëfilltë për të pranuar dhunën e se kaluarës dhe për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në shoqëri.

 

Fundi i regjimit të aparteidit në Afrikën e Jugut u arrit përmes një seri bisedimesh të drejtuara nga Nelson Mandela dhe Presidenti Frederic W. de Clerk, i cili e kishte liruar Mandelën nga burgimi në vitin 1990. Këto negociata çuan në një marrëveshje që lejonte zgjedhjet e para multi-raciale në vend, pas së cilave Mandela u bë president në 1994 dhe Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit u krijua në 1995.

Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit ishte një organ i ngjashëm me gjykatë që praktikonte drejtësi restauruese. Dëshmitarët e identifikuar si viktima të shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut u ftuan të jepnin deklarata në lidhje me vuajtjet dhe përvojat e tyre. Këto ishin dëgjime publike që shpesh transmetoheshin në radio dhe televizion për të gjithë popullatën. Në këto seanca dëgjimi merrnin pjese edhe përdhunuesit, të cilët para se të dëshmonin mund të kërkonin amnisti nga ndjekja civile dhe penale.

Në qershor te vitit 2005, unë isha në Cape Town, duke provuar dimrin me shi të Afrikës së Jugut nga bodrumi i Qendrës Ndërkombëtare për Drejtësi Transicionale. Nën mentorimin e profesorit të ndjerë Alex Boraine, i cili së bashku me Kryepeshkopin Desmond Tutu kishin themeluar Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit, po zhvilloja një studim mbi strategjitë e drejtësisë transicionale qe aplikohen ne shoqëritë e pas-konfliktit për të sjellë drejtësi dhe sistem demokratik dhe përfundimisht një shoqëri paqësore.

Më saktë, unë po kaloja kohën nëpër arkiva dhe po i  dëgjoja historitë e dhimbshme të viktimave të aparteidit për disa orë në ditë, kryesisht nëna të Afrikës së Jugut, të cilat ishin në lot pa fund duke rrëfyer historitë e fëmijëve të tyre të vrarë, shpesh hedhur në vende të panjohura dhe te pagjetur kurrë.

Në seancë të dëgjimit përballë vikitmës do të ishte autori që kishte kryer krimin, pra përdhunuesi, dhe ai do t’i zbulonte nënës në detaje se si djali i saj u vra në të vërtetë dhe ku e varrosën trupin e tij. Nënës do t’i jepej mundësia që të paktën të gjente eshtrat dhe t’i jepte djalit një varrosje të dinjitetshme dhe një vend ku ai të mund të pushonte në paqe dhe ku familja mund të nderonte dhe përkujtonte viktimën. Shpesh, në një gjendje dëshpërimi, nëna do ta falte përdhunuesin për krimin e bërë, në emër të nocionit ubuntu, që njihet si nocioni i empatisë dhe njerëzimit në Afrikës të Jugut.

Thuhet se mënyra e vetme që përdhunuesit e caktuar të ulen në stolin e komisionit të së vërtetës ishte nëse e kishin te garantuar tashmë amnistinë për krimet që kishin bërë. Thuhet gjithashtu se procesi kishte të bënte më shumë me zbulimin e së vërtetës sesa për drejtësinë. Me fjalë të tjera, ishte më shumë për regjimin e bardhë që të pranonte krimet që kishte kryer. Prandaj, komisioni i Afrikës së Jugut kishte boshllëqet e veta. Por ishte gjithashtu jashtëzakonisht i suksesshëm, kryesisht sepse ishte inicuar me një qëllim të mirëfilltë për të vendosur barazinë në një shoqëri thellësisht të copëtuar, dhe për shkak të reputacionit të jashtëzakonshëm të Nelson Mandelës, ashtu edhe të profilit të lartë të Kryepeshkopit Desmond Tutu.

Në Kosovë, problemet e tanishme politike mendohet se rrjedhin nga një dyshim se është arritur një marrëveshje sekrete midis presidentëve të Kosovës dhe Serbisë. Fjala “amnisti” gjithashtu është rishfaqur disa herë përgjatë vitit të kaluar por edhe javëve të fundit, duke sugjeruar (përsëri) se të dy presidentët po krijonin plane për shkëmbimin e amnistive për krimet e luftës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në Kosovë ekzistojnë rreth 24 vende te masakrave ku fshatarët e pafajshëm shqiptarë u vranë në mënyrë sistematike gjatë luftës së viteve 1998-99. Shumica u zbuluan në seancat e Gjykatës Ndërkombëtare përgjatë gjykimit të Millosheviqit për krime të luftës në vitin 2005. Këtu përfshihen edhe masakra e Reçakut, në të cilën ndodhi vrasja masive e 45 shqiptarëve të Kosovës në fshatin Recak; masakra në Mejë, ku u ekzekutuan më shumë se 370 civilë shqiptarë; masakra ne Krushë të Madhe, ku u vranë rreth 90 njerëz; masakra në fshatin Izbicë, ku u ekzekutuan rreth 93 persona, dhe ajo në Vushtrri, ku u vranë 120 njerëz.

Tashmë është e ditur që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po ndjek idenë e një Komisioni të së Vërtetës dhe Pajtimit ne Kosove, që nga viti 2017. “Qëllimi i këtij komisioni do të jetë e vërteta. E vërteta e shëron shoqërinë nga hakmarrja dhe urrejtja,” pohoi Presidenti.

Unë isha prezente në njërin nga takimet e planifikimit për Komisionin e propozuar të së Vërtetës dhe Pajtimit në Prishtinë dhe të them të drejtën u vura në mëdyshje. Po përpiqesha të kuptoja se si e vizuelizon punën e këtij Komisioni presidenti i Republikës së Kosovës. Si po përpiqej të pajtonte Presidenti i Kosovës – Kosovën me Serbinë, nga larg, me vetëiniciativë? Apo serbët dhe shqiptarët në Kosovë, me imponim? Si i parashikon seancat dëgjimore? A do të mblidhte serbët lokalë për të dëgjuar tregimet e dhimbshme të shqiptarëve vendas dhe anasjelltas? Kush do të ishin komisionerët dhe ku do të kishte bazën komisioni i së vërtetës? Me kë dhe si do të negocionte amnistinë apo gjykimin e mundshëm për autorët?

Nëse e imagjinojmë një skenar të ngjashëm me atë në Afrikën e Jugut, do të dukej kështu: Një nënë shqiptare nga Kosova do të paraqitej në seancën e dëgjimit para Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit. Ajo do të tregonte historinë e saj të dhimbshme se si fqinji i saj serb, i cili ishte polic lokal, së bashku me një grup ushtarësh serbë, morën tre djem dhe burrin e saj në mars 1999.

Në vitin 2003, dy djemtë e saj u gjetën në një varr masiv në Batajnicë, ndërsa burri dhe djali i tretë janë ende të zhdukur. Këto histori dhe të ngjashme, i kemi dëgjuar në vazhdimësi përgjatë 20 viteve të fundit, prandaj shtrohet pyetja si do ta shëronte kjo e vërtetë shoqërinë e Kosovës dhe si do të depërtonte më thellë kësaj radhe që ta sensibilizonte edhe popullin në Serbi?

Për më tepër, përdhunuesi serb apo kryesi i krimit në fjalë nuk do ishte prezent në këtë seancë, duke e ditur që varri më i madh masiv në Serbi është brenda bazës ushtarake në Batajnicë. Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq thotë se mbetjet njerëzore në këto varreza masive në Serbisë hapin një zinxhir përgjegjësie që arrin nivelet shumë më të larta të autoritetit dhe shtetit serb. Prandaj, heshtja rreth varreve masive është sistematike dhe autoritetet e kanë mbajtur atë nën kontroll për gjithë këto vite.

Prandaj, është e panjohur nëse Komisioni i së Vërtetës në Kosovë planifikon t’u japë përdhunuesve serbë një amnisti në “absentia” dhe t’i imponojë një proces pajtimi viktimave të këtyre krimeve. Ky skenar nuk do të premtonte një të ardhme më të mirë, apo shërim nga e kaluara e vrazhde, pavarësisht nga fakti se (hipotetikisht) me atë rast do ta dinim të vërtetën.

Një skenar tjetër relevant ne Kosove, do të dukej kështu: një grua serbe paraqitet pranë Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit për të thënë të vërtetën e saj, duke i treguar Komisionit dhe krejt Kosovës për burrin e saj, një mjek, i cili u rrëmbye dhe u zhduk në qershor 1999 nga një grup burrash shqiptarë. Ajo kërkoi ndihmë nga paqeruajtësit e KFOR-it, UNMIK-u dhe në atë kohë qeveria e përkohshme e Kosovës. Deri më sot, asnjë prej tyre nuk e ka gjetur burrin e saj.

Kjo seancë dëgjimi do duhej ta shtynte presidentin e Kosovës t’i identifikoje autorët e krimit të cilët do duhej të dilnin përballë me zonjën dhe popullin e Kosovës dhe të tregonin faktet, pra të vërtetën për fatin e te rrëmbyerit. Pastaj do të duhej të përcaktohej, nëse kryesit do t’i lejohet amnisti apo jo, dhe me të mësuar të vërtetën dhe pranimin e përgjegjësisë në këtë rast, do të sigurohej procesi i pajtimit me komunitetin serb në Kosovë.

Skenarët e mësipërm janë të vërteta që të gjithë i dimë. Ato janë të vërteta që janë hetuar edhe nga gjykata ndërkombëtare e krimeve të luftës, ICTY, dhe raportuar nga Amnesty International. Në Kosovë e njohim të kaluarën, e dimë të vërtetën sepse jetojmë afër viktimave.

Por të mos hamendemi, ne gjithashtu e dimë se e vërteta jo domosdoshmërisht mjafton për ta shëruar një shoqëri nga traumat e dhunshme të së kaluarës; e vërteta duhet shoqëruar nga drejtësia për të arritur një paqe të qëndrueshme në një shoqëri të ndarë si kjo ne Kosove.

E vërteta, drejtësia dhe amnistia janë të rëndësishme për të mbijetuarit, familjaret e viktimave dhe tërë komunitetin ose shoqërinë që ka qenë në shënjestër të dhunës sistematike. Por, nuk guxojmë të harrojmë se e vërteta, drejtësia dhe amnistia e viktimave gjithashtu mund të jenë e rëndësishme për shoqerinë e përdhunuesve të cilët e kanë të ngulitur këtë përvojë ne historinë dhe ndërgjegjen e tyre kolektive.

Amnistia mund të jetë efektive – por është gjithashtu mënyra më e lehtë për t’i ikur përgjegjësisë. Njohja e krimeve dhe dhunës së kaluar nga ana e përdhunuesit është dhe do të mbetet hapi më i rëndësishëm për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë.

 

Nora Weller është avokate dhe studiuese e trashëgiminë së luftës dhe mbrojtjes se trashëgimisë kulturore ne Universitetin e Cambridge-it.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.